Agjencia “Rojter”: Bileta që implikon Ramën në skandal

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” i ka bërë jehonë skandalit ku është përfshirë kreu i qeverisë. Kjo agjenci evidenton faktin se, Rama implikohet direkt në këtë skandal, pasi njëra nga dy biletat 40 mijë dollarëshe është përdorur prej tij në eventin e rritjes së fondeve për Presidentin Oabama. Ramës u duhet të japë shpjegime pikërisht për biletën 40 mijë dollarëshe që ai ka përdorur.

Raportimi i agjencisë “Rojter”

Një shofer limuzine në New Jersey është deklaruar fajtor të mërkurën për arsyen se ka ndihmuar me një shumë prej 80 mijë dollarëshe në kontribute të huaja komitetin e mbledhjes së fondeve për Presidentin Barack Obama në vitin 2012, në mënyrë që një i huaj të merrte pjesë në eventin e fushatës.
Bilal Shehu u deklarua fajtor për dhënie me vetëdije të kontributeve vullnetare, por  prokurorët nuk kanë identifikuar origjinën e huaj apo kombëtare të parave.
Rasti u zbulua, pasi një anëtar i Kongresit Republikan në vitin 2013 kërkoi hetime mbi blerjet nga ana e familjes Shehu të dy biletave prej 40 mijë dollarësh, njëra nga të cilat u përdor nga kryeministri tashmë shqiptar Edi Rama.
Në manifestimin e tetorit 2012, Rama, lider i Partisë Socialiste Shqiptare, u fotografua me Obaman. Republikani Dana Rohrabacher nga Kalifornia, në atë kohë pretendoi se kjo foto është përdorur për qëllime mashtruese nga Rama me qëllim për të nënkuptuar një marrëdhënie me Obaman që do t’i shërbente gjatë zgjedhjes së tij në Shqipëri, që më pas e solli në lidership.
Një zëdhënës i Rohrabacher nuk dëshiroi të komentonte të mërkurën. Pasi e shpallën fajtor, prokurorët thanë se Shehu, qytetar amerikan, ka pranuar që në fund të shtatorit 2012 ka marrë një bono prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, duke e ditur që kjo ishte për të furnizuar komitetin e mbledhjes së fondeve të përbashkëta.
Prokurorët thanë se Shehu, nga Paramus, rezident në New Jersey, fluturoi në San Francisco dhe ka tentuar të hyjë në eventin e mbledhjes së eventeve me qytetarin e huaj, të cilit ju ndalua hyrja, por që u lejua të fotografohej me Obamën.
“Me kërkesën e tij, zoti Shehu ka pranuar përgjegjësinë për përfshirjen e tij dhe është thellësisht i penduar për veprimet e kryera”, ka thënë avokati i tij Alan Abramson. Prokuroria ka thënë gjithashtu se, askush nga komisioni elektoral nuk është akuzuar për korrupsion. Shehu rrezikon një dënim prej 5 vitesh burg i shoqëruar edhe me vlerën monetare prej 250 mijë dollarësh. Ai pritet të dënohet më 5 tetor.

Halimi: Tre veprat penale të Ramës

Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar më herët, Partia Demokratike kallëzoi sot penalisht kryeministrin Edi Rama në lidhje me transferimin e një shume prej 28 mijë dollarësh në vitin 2012.
Deputeti Eduard Halimi tha se, kryeministri ka kryer elementët e tri veprave penale, si ajo e mashtrimit, pastrimi i parave dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm.
“Depozituam kallëzim penal ndaj kryeministrit për faktet e bëra të njohura botërisht për rastin e vitit 2012, ku tregohet qartë se Edi Rama ka konsumuar të paktën elementët e tri veprave penale, atë të mashtrimit, fshehjes dhe pastrimit të parave, duke ushtruar një ndikim të paligjshëm dhe duke përfituar ai drejtpërdrejt, nëpërmjet këtij ndikimi të paligjshëm. Faktet dhe grup faktet e bëra publike, të mbledhura nga organet ligjzbatuese amerikane, tregojnë qartë se 80 mijë dollarë janë paguar nga Shqipëria, nga burime tërësisht të dyshimta, të padeklaruara nga kryeministri me një qëllim të vetëm, pikërisht përdorimin e një takimi dhe bërjen e një fotoje me Presidentin e SHBA Barack Obama, në 2012, në kohën kur zoti Rama ishte kryetar i opozitës në Shqipëri. Faktet dhe grupfaktet plotësojnë të gjithë elementët e figurave penale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar. Legjislacioni shqiptar bën të qartë dhe i ka të qarta të gjitha përcaktimet që kanë të bëjnë me dënueshmërinë e veprimeve të tilla, siç është fshehja e të ardhurave, fshehja e burimeve dhe mashtrimi, duke përdorur këto para, dhe po kështu, kemi dhe një precedent ndërkombëtar, siç është ai i Viktor Pontes në Rumani vite më parë, për vepra shumë herë më të lehta se këto, përt të cilat opozita akuzon kryeministrin shqiptar, për shuma shumë herë edhe më të vogla se për këto që bëhet fjalë në vitin 2012, ai është përballur me drejtësinë dhe po vuan dënimin. Tani është momenti që Prokuroria të thërrasë dhe të marrë në përgjegjësi penale, ashtu si ka vepruar Prokuroria në Rumani apo në vende të tjera, të thërrasë në përgjegjësi penale kryeministrin shqiptar, i cili është i detyruar t’i japë përgjigje pyetjeve që ngrihen dhe nga opozita, nga publiku, por dhe nga mediat ndërkombëtare mbi financimin e dyshimtë dhe përdorimin e parave të pista, për aq kohë sa janë nga burim i dyshimtë, janë para të pista në një fushatë elektorale, për të ushtruar një ndikim të paligjshëm”, u shpreh Halimi.
I pyetur nga gazetarët se pse bëhej ky kallëzim në ditën kur kryeministri kishte ditëlindjen, Halimi tha se kjo ishte koincidencë.

Ortaku i Bilalit, financues i fushatës së Edi Ramës

Biznesmeni shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili ka pranuar në Gjykatë se pagoi 80 mijë dollarë nga fonde të huaja për fushatën e Presidentit Obama, rezulton ortak në Tiranë me një sponsor zyrtar të Partisë Socialiste.
Në vitin 2009, Bilal Shehu është paraqitur në Tiranë dhe ka hapur dy kompani. E para ishte “E&B Import-Export”, ku Shehu kishte partner me aksione të barabarta shtetasin Edmond Ziso.
Në të njëjtën periudhë, Shehu dhe Ziso kanë hapur dhe një kompani tjetër, farmaceutike, ku së bashku me ta ishin ortakë dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë.
Bilal Shehu dhe Edmond Ziso duken dy partnerë të ngushtë në biznes, sepse në të dyja kompanitë ata janë kombinuar mes tyre.
Nga një verifikim i kryer prej HashtagAL, biznesmeni Edmond Ziso rezulton se është sponsor zyrtar i Partisë Socialiste.
Të dhënat zyrtare të KQZ-së zbulojnë se Ziso ka deklaruar sponsorizimin në shumën e 400.000 lekëve për Partinë Socialiste në fushatën e vitit 2009.
Ortaku i Bilal Shehut e kishte bërë këtë sponsorizim vetëm pak kohë, pasi të dy ata kishin regjistruar kompanitë në Tiranë.
Dy kompani hapi z.Shehu në Tiranë në vitin 2009 dhe në të dyja kishte partner një sponsorizues zyrtar të partisë që drejtohej nga Edi Rama.
Të dyja kompanitë e hapura nga Shehu-Ziso në vitin 2009, u likuiduan dhe u mbyllën në vitin 2011.
Një vit më vonë, Bilal Shehu është angazhuar në skemën e financimit të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh. Rivalët republikanë denoncuan se paratë u përdorën për të siguruar takimin dhe foton mes Presidentit Obama dhe Edi Ramës.
Dosja hetimore e prokurorëve amerikanë ka zbuluar se origjina e parave që pagoi Bilal Shehu ishte nga Shqipëria dhe se personi që ja dha atij lekët është një shtetas grek, ende i paidentifikuar me emër.

Implikimet e Ramës

Bilal Shehu u cilësua fajtor në New Jersey dhe është në pritje të masës së dënimit. Ai ka pranuar para Gjykatës se në vitin 2012 u përfshi në skemë financimi të paligjshëm.
Sipas hetimeve dhe sipas vetëdeklarimeve të biznesmenit Bilal Shehu, rezulton se Shehu mori nga Shqipëria një shumë prej 80 mijë dollarësh, të cilat i përdori si donacion për një fushatë bamirëse të Presidentit Obama, e më pas fitoi të drejtën për të qenë dhe pjesëmarrës në një festë të organizuar me këtë rast.
Bilal Shehu siguroi dy ftesa, e si rregull duhej të shkonte me bashkëshorten, por në vend të bashkëshortes së tij u paraqit pako-postale, një politikan shqiptar.
Ende nuk është pohuar zyrtarisht, se ky politikan ishte Edi Rama, ndonëse agjencia prestigjoze “Reuters” raportoi se një kongresmen amerikan kishte përmendur Edi Ramën.
Edi Rama e ka mohuar këtë histori. Mëkëmbësi i tij për median, z.Endri Fuga, bëri një prononcim nëpërmjet të cilit mohoi kategorikisht se mund të ishte Rama përfituesi i skemës korruptive të Bilal Shehut.
Të gjitha të dhënat të çojnë tek emri i Ramës. Tashmë dhe në Tiranë, biznesmeni Bilal Shehu rezulton në ortakëri me një sponsor zyrtar të partisë që Edi Rama drejton.
Është interesante se si kryeministri shqiptar dyshohet seriozisht i implikuar në një skemë korruptive me fonde të paligjshme të aplikuar në territorin e Shteteve të Bashkuara, e për më tepër, duke ‘bërë pis’ dhe një aktivitet bamirësie të Presidentit të SHBA-ve, ndërsa në Tiranë, ambasadori amerikan e konsideron të njëjtin kryeministër, si një reformator të sistemit të drejtësisë.

Bilali pranoi fajësinë e tij

Shqiptaro-amerikani Bilal Shehu, i cili u akuzua tre vjet më parë se kishte përdorur para të marra nga jashtë Amerikës për të siguruar një mundësi për fotografi mes Edi Ramës, në atë kohë, kryetar i Partisë Socialiste në opozitë dhe Barack Obama, presidenti amerikan në fushatë për rizgjedhje, pranoi fajësinë e tij në një gjykatë federale në Njuuark, Nju Xhersi në SHBA dhe pritet të dënohet, njoftoi agjencia Reuters.
Sipas Reuters dhe mediave të tjera amerikane, Shehu pranoi fajësinë duke deklaruar se në shtator 2012, ai mori një transfertë bankare prej 80 mijë dollarësh “nga një burim i huaj” me dijeni të plotë se këto para duhej të përdoreshin për të paguar pjesëmarrjen në një aktivitet për mbledhje fondesh për fushatën e Obamës. Aktakuza nuk e përmend emrin e financuesit të huaj të këtij operacioni të paligjshëm në SHBA, por Reuters thotë se personi që përfitoi nga financimi qe Edi Rama, aktualisht kryeministër i Shqipërisë.
“Një shofer limuzine nga Nju Xhersi pranoi fajin të mërkurën se ndihmoi në transferimin e 80 mijë dollarëve kontributeve nga jashtë për fushatën e Presidentit Barack Obama në vitin 2012 në mënyrë që një nënshtetas i huaj të mund të merrte pjesë në një aktivitet fushate,” shkruan Reuters.

PD: Rama pranoi se është shtetasi i huaj

Reagimi i dëshpëruar i Ramës përmes zyrës së tij të propagandës konfirmon faktin së është ai shtetasi i huaj që ka porositur pagesën e paligjshme 80 mijë dollarëshe për të përfituar një foto me Presidentin Obama.
Ky që nuk mungon të komentojë gjithçka mbi këtë rruzull, ka 5 ditë që hesht teksa zyra e tij e propagandës cilëson “Reuters” dhe “Zërin e Amerikës” si media të paguara nga Partia Demokratike.
Ndërkohë që e pret një tjetër padi për këtë shpifje të pacipë, Edi Rama vazhdon të mos iu përgjigjet pyetjeve: “Ku i mori 80 mijë dollarë Edi Rama kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë euro? A janë këto 80 mijë dollarë para rryshfeti apo korrupsioni? Çfarë ju premtua në këmbim sponsorizuesit të 80 mijë dollarëve?”
Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të mos fshihet pas zyrës së propagandës, por të dalë para shqiptarëve dhe para drejtësisë për t’u përballur me të vërtetën.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakNuk janë qen Çani janë larva
Artikulli tjetërDekriminalizimi, kërkohet verifikim për 160 zyrtarë