Mashtruesi i Bashkisë, inspekton tri objekte në Tiranë dhe Sauk nga Moska

Një ditë pas dasmës, Erion Veliaj shpërndau në media një kasetë filmike për të treguar se ishte në punë. Në atë kohë, në shtator të 2014–ës ai ishte ministër i Mirëqenies Sociale dhe pamjet filmike e tregonin në një aktivitet që organizohej në një shkollë të Gjirokastrës. Në Gjirokastër, në kalanë e qytetit ai zhvilloi edhe ceremoninë e martesës dhe Veliaj tentoi të tregonte se menjëherë sapo ishte zgjuar, pas ceremonisë, i kishte vajtur mendja për punë. Por mediat zbuluan se aktiviteti që u shpërnda me kaseta nga ministria e Veliajt ishte regjistruar një javë më parë.
Vesin për të gënjyer opinionin publik dhe zgjedhësit e tij Veliaj nuk e ka lënë as pas ardhjes në bashki.
Në mbyllje të qershorit dhe në fillim të korrikut zyra e tij e shtypit ka shpërndarë thuajse çdo ditë pamje filmike që e tregojnë kryetarin e Bashkisë nëpër takime e inaugurime.
Më 29 qershor ai i tregon publikut se gjendet në mes të fëmijëve të një kopshti në Sauk.
Më 30 qershor Veliaj shfaqet me presidentët e gjimnazeve të Tiranës.
Po në këtë datë ai është takuar me banorë të rrugës “5 Maji”, në inaugurimin e rikonstruksionit të saj. Pamjet filmike u shpërndanë sërish me kaseta nga zyra e tij e shtypit në bashki.
Më 1 korrik ai shfaqet në depon e re të ujit në Yzberisht. Edhe filmimet e këtij aktiviteti u shpërndanë nga bashkia.
E gjithë kjo propagandë ka për qëllim të tregojë se sa i përkushtuar është për Tiranën kryetari.
Por në realitet gjërat nuk janë siç kërkon t’i paraqesë Veliaj. Ndryshe nga sa thotë, më 29 qershor ai nuk gjendej pranë fëmijëve në Sauk; 30 qershor ai gjendej as në takim me presidentët e gjimnazeve dhe as në rrugën “5 Maji” për t’u qarë hallet banorëve. Ai ndodhej në Moskë. E thotë këtë ambasada ruse në Tiranë, në një njoftim zyrtar.
Ambasada sqaron se “më 30 qershor është çelur në Moskë Forumi VI Ndërkombëtar Urban (mosurbanforum.ru), ku po merr pjesë edhe delegacioni shqiptar me në krye kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”.
Dhe sipas ambasadës, Veliaj jo vetëm ka marrë pjesë në këtë aktivitet prej 29 qershorit, por edhe u ka rrëfyer pjesëmarrësve përvojat e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Z. Veliaj ishte ftuar dje në seancën plenare të forumit me temë ‘Revolucioni teknologjik. Axhenda për menaxhimin e qyteteve’, ku rrëfeu për përvojën e Bashkisë Tiranë në përmirësimin e infrastrukturës së kryeqytetit shqiptar, si dhe për aplikacionin ‘Tirana Ime’ në veçanti. Në kuadër të forumit, z. Veliaj mbajti gjithashtu një takim me përfaqësuesit e Unionit të Qyteteve të Rusisë, me të cilët diskutoi mbi vendosjen e bashkëpunimit midis bashkive të dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Veliaj ka vijuar me shpërndarjen e kasetave që e tregojnë atë duke i shkuar cep e më cep Tiranës edhe gjatë të shtunës e të dielës.
Përveç mashtrimit të qytetarëve me kasetat e xhiruara më parë, Veliaj e ka mbajtur të fshehtë vizitën në Moskë. Ai nuk ka postuar asnjë foto nga aktiviteti ku ka qenë i ftuar, ndonëse në faqen e tij në Facebook gjen postime të panumërta që e tregojnë atë aktiv dhe të angazhuar në fusha të ndryshme. Nuk ka të dhëna mbi arsyen se përse Veliaj po e fsheh këtë vizitë. Por nuk është çudi që ai t’i shpërndajë pamjet filmike të këtij aktiviteti të mbajtur në Moskë në ndonjë ditë ku nuk do të ketë çfarë të tregojë për Tiranën.

Artikulli paraprakPërdhunuesi Rroshi mbetet në “Arrest shtëpie”, Apeli nuk e ndryshon masën e sigurisë
Artikulli tjetërCila bankë e ka rradhën? Provat e krimit të policisë