Bileta ku ngec Rama

Bledi KASMI

Rama u mundua ta kalojë si me të qeshur hetimin amerikan mbi futjen në mënyrë të paligjshme të 80 mijë dollarëve për fushatën e Presidentit Obama. Në fakt situata është më serioze. Hetimet nuk kryhen nga prokurorë që kërcënohen me telefon për prerje këmbësh apo koke në daljet publike nga Kryeministri apo ministri i Brendshëm.
Hetimet e Prokurorisë amerikane që kanë sjellë edhe reagimin e Departamentit të Drejtësisë së SHBA janë kthyer në çështje politike në Shtetet e Bashkuara për shkak se është tentuar të ndotet sistemi amerikan i zgjedhjeve dhe kjo ka sjellë shqetësim të kongresmenëve amerikanë. Ai që është munduar ta njollosë për qëllimet e tij politike këtë sistem është Kryeministri i Shqipërisë, të cilit nuk i mjafton vetëm varrosja e votës këtu, por shndërrohet në një problem zyrtar edhe për politikën amerikane.
Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve njoftoi se qytetari amerikan, me origjinë shqiptare, Bilal Shehu pranoi akuzat e Prokurorisë së Nju Xhersit se, ka ndihmuar në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme për transferimin e 80 mijë dollarëve nga burime të huaja si kontribut për fushatën elektorale presidenciale amerikane.
Në asnjë rast pra, Bilali nuk ka pranuar para hetuesve se ka qenë ai ideatori dhe organizatori i kësaj transferte parash. Pjesa më delikate që implikon direkt Ramën në këtë skemë është ajo e biletave. Bilali ka blerë dy bileta secila për aktivitetin e mbledhjes së fondeve në San Francisko në tetor 2012.
Hetimi ka zbardhur falsifikimin e njërës biletë, ku në emër të bashkëshortes së Bilalit është shfaqur Rama. “Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?” Bilali i është përgjigjur pozitivisht hetuesve amerikanë në lidhje me këtë pikë, duke konfirmuar se Rama ka pasur njërën nga këto dy bileta duke u shfaqur si gruaja e tij.
Vetë Rama thotë se ai nuk ka paguar para. Por ai ka mbajtur një biletë që ka kushtuar dhjetëra mijëra dollarë. Ka qenë kjo biletë që i ka mundësuar foton me Presidentin Obama. Tani Rama pranon foton në këtë eveniment me Obamën dhe mohon biletën. Kjo nuk shkon, sepse pa biletën Rama nuk do të kishte bërë dot foton.
Rama ngec tek bileta. Ajo është prova që lehtëson Bilalin dhe rëndon “bashkëshorten” e tij.

Artikulli paraprakKontrata me qeverinë, shtojca 44 akuzon policinë në lidhje me sigurinë e TIA-s
Artikulli tjetërFaqja e parë