Shtetet e Bashkuara kanë një mesazh të qartë për protestën e së shtunës. Përmes një mesazhi të shkurtër Ambasada e SHBA në Tiranë thotë se protesta për ndryshim pozitiv është simbol i një shoqërie demokratike. Një tjetër pikë e fortë e deklaratës së SHBA është ajo ku nënvizon se “dhuna ndaj njerëzve do të jetë e papranueshme”. Në këtë rast kemi të bëjmë me një mesazh që i drejtohet udhëheqësve politikë, por është e qartë se vetëm pushteti mund të ushtrojë dhunë ndaj njerëzve kur protestat janë pikërisht të njerëzve. Deklarata e sotme e Ambasadës është krejtëisht e ndryshme nga deklaratat e mëparshme në prag të protestave të opozitës.
Ambasada e SHBA-së ka reaguar në lidhje me protestën e paralajmëruar nga opozita në datën 16 shkurt.
Sipas ambasadës amerikane, protesta është një e drejtë e demokracisë që ushtrohet nga qytetarët e cila përdoret shpesh në SHBA.
Deklarata e plotë e ambasadës së SHBA:
E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme.
Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht.
Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme.
Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive.