Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte ka gjetur se ultra-nacionalisti serb,Vojisllav Sheshel, nuk është fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që lidhen me luftërat në Ballkan në vitet 1990.
Sheshel nuk ka qenë i pranishëm në seancën e së enjtes në Gjykatën në Hagë, kur gjykatësi kryesues, Jean-Claude Antonetti, ka bërë të ditur se ai është i lirë.
Antonetti ka thënë se Gjykata ka vendosur se Sheshel nuk mban asnjë përgjegjësi individuale për krimet, për të cilat është akuzuar.
“Me lirimin nga të nëntë pikat e akuzës, urëdhër-arresti i lëshuar nga Dhoma e Aapelit më 17 qershor, 2015, zhvlerësohet. Vojisllav Sheshel është njeri i lirë pas këtij aktgjykimi”, ka thënë gjykatësi Antonetti.
Gjykata e Hagës ka lejuar që Sheshel, 61 vjeç, të qëndrojë në Beograd kur të jepet vendimi. Atij i është dhënë leje e përkohshme në vitin 2014 për trajtim të kancerit, por ai i ka sfiduar urdhërat e Gjykatës për t’u kthyer dhe ka mbetur në Serbi. Prej atëherë, ai është rifutur në skenën politike, duke mbajtur tubime, në kundërshtim me urdhërat e Gjykatës.
Sheshel, i cili ka qenë zëvendëskryeministër në regjimin e Milosheviqit, është përballur me tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe në krahinën e Serbisë, Vojvodinë.
Prokurorët kanë thënë se ai ka ndihmuar ngritjen e njësiteve paraushtarake që do të ndihmonin realizimin e qëllimit të tij – krijimin e së ashtuquajturës “Serbi e Madhe”, e pastër etnikisht. Këta paraushtarakë kanë dëbuar dhjetëra-mijëra myslimanë dhe kroatë nga shtëpitë e tyre.
Sheshel është i njohur për retorikë kërcënuese. Ai është zotuar se do të vrasë kroatë “duke ua nxjerrë sytë me lugë të ndryshkura”.
Kryeministri i Kroacisë, Tihomir Oreshkoviq, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës është “i turpshëm”.
“Nuk mund të kuptoj se si dikush që është dëshmuar se ka marrë pjesë në agresionin në Bosnje, të lirohet”, ka thënë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
Ndaj vendimit të Hagës ka reaguar edhe zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.
“Vendimi për Sheshelin i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte është dështim total i drejtësisë ndërkombëtare. Njeriu ka shkaktuar dhimbje, vdekje dhe kaos për mijëra njerëz”, ka shkruar Selimi në rrjetin social Twitter.
Vetë Sheshel ka thënë “nuk i interesojnë reagimet nga Bosnja dhe Kroacia”.
“Kur kam shkuar në Hagë, e kam ditur se asnjë krim nuk mund të dëshmohet”, ka thënë Sheshel në një konferencë për gazetarë nga Partia Radikale Serbe.
Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, ka thënë se aktgjykimi do të thotë se Sheshel mund të vazhdojë me politikën e tij dhe të bëhet njeri me ndikim.
“Pohimi se Sheshel me vendosjen vullnetarëve paraushtarakë ka dashur të mbrojë civilët, e çon Gjykatën e Hagës nga realiteti në fantazi”, ka thënë eksperti britanik për Ballkanin, Tim Judah.
Lirimi i Sheshlit vjen një javë, pasi Gjykata e Hagës ka dënuar ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me 40 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për gjenocid dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-‘95. Rreth 100,000 njerëz kanë vdekur në këtë luftë.
Ratko Mlladiq, gjenerali serb që ka komanduar forcat serbe të Bosnjës, është duke pritur vendimin për të në Hagë.