Milan, 100 milionë euro për merkaton

100 milionë euro për merkaton. Ky është buxheti që pritet të ketë Milani për t’u përforcuar. Para që do të shfrytëzohen për të realizuar blerje të mëdha, ku menjëherë po përflitet për dy emra të rëndësishëm. Negociatat ndërmjet grupit kinez, Evergrande dhe Silvio Berlusconi-t për shitjen e mazhorancës së aksioneve të “Djallit” mund të konkretizohen në orët në vazhdim.
Investuesit orientalë synojnë të lënë në dispozicion të klubit buxhetin prej 100 milionë eurosh, për ta rikthyer Milanin në nivele të larta. Pas afrimit të sulmuesit 27-vjeçar, Gianluca Lapadula nga Pescara, te kuqezinjtë po përgatiten për një goditje të dyfishtë. Milani është pranë Leandro Paredes, mesfushorit argjentinas, që ishte një prej zbulimeve të sezonit të kaluar. Organizatori 22-vjeçar, i cili është në pronësi të Romës, zhvilloi një kampionat fantastik me fanelën e Empolit, ku ishte një prej lojtarëve kryesorë të Giampaolo-s.
Paredes refuzoi ofertën e Zenit St Petersburg, duke qenë se dëshira e tij është që të luajë te Milani, ndërsa edhe trajneri i ri kuqezi, Vincenzo Montella, e vlerëson futbollistin, vlera e të cilit përllogaritet në 13 milionë euro.
Një tjetër emër për “Djallin” është edhe Alvaro Arbeloa, që vetëm pak ditë më parë mbylli aventurën te Real Madrid. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, mbrojtësi 33-vjeçar është fare pranë transferimit te Milani.

Artikulli paraprakPerspektiva si strategji
Artikulli tjetërShanset 50 me 50