Në ndeshjen ndaj Islandës Moussa Sissoko e bëri siç duhet detyrën e tij, duke zëvendësuar në mënyrën më të mirë të mundshme të skualifikuarin N’Golo Kante. Mesfushori i Newcastle United po kalon një moment të mirë forme dhe është gati për të ndihmuar Francën të kualifikohet në finalen e Euro 2016. Edhe pse nuk është një titullar fiks në formacionin e gjelave, Sissoko ka mbështetjen e trajnerit Deschamps dhe mund të ketë minutat e tij edhe në sfidën gjysmëfinale ndaj Gjermanisë.
“Për mua nuk është e rëndësishme nëse luaj apo jo. Jam këtu për të ndihmuar skuadrën në momentin që trajneri do të më thërrasë në aksion. Ne e dimë që ndaj Gjermanisë do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata janë kampionët në fuqi të botës. Gjithsesi ne do të luajmë në shtëpinë tonë dhe përpara publikut fantastik që do të jetë i pranishëm në stadiumin ‘Velodrome’. Besoj se i kemi të gjitha armët për t’i mposhtur gjermanët dhe për të kaluar në finalen e madhe të Europianit”, u shpreh Sissoko.
Në Francë-Gjermani sipas Moussa Sissoko nuk ka një skuadër favorite për të avancuar më tej. Në vijim të fjalës së tij mesfushori e vuri theksin edhe te fakti që në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Islandës, Franca lëshoi disi në lojë.
“Duhet të tregohemi të vëmendshëm gjatë gjithë 90 minutëshit, madje edhe në shtesë nëse do të jetë nevoja. Është normale që në minutat e fundit të realizohen më shumë gola gjatë një ndeshjeje futbolli sepse lojtarët janë të lodhur. Ndaj Islandës ne e nisëm shumë mirë ndeshjen dhe të njëjtën gjë do të përpiqemi të bëjmë edhe ndaj Gjermanisë, me ndryshimin që të ruhemi deri në fund për të mos pësuar gol. Nuk e kemi harruar humbjen që pësuam në çerekfinalet e Kupës së Botës ndaj tyre dhe do të kërkojmë në njëfarë mënyre të hakmerremi. Gjithsesi Gjermania është një skuadër shumë e fortë dhe unë mendoj se shanset për kualifikim janë 50 me 50″, tha ai.
Franca është rikthyer në stërvitje pas suksesit 5-2 ndaj Islandës, duke hedhur pas krahëve euforinë. Gjermania është skuadra e radhës dhe ndoshta rivali i vërtetë në këtë Europian për blutë, të cilët kanë kujtime të hidhura nga kampionët e botës. Gjithsesi, nga qendra stërvitore e Clairefontaine, francezët duken të çtensionuar edhe pse e pranojnë që ndaj Gjermanisë do të jetë testi i vërtetë i këtij europiani. Në këtë mënyrë e mendon edhe Olivier Giroud, i cili thekson se ndaj skuadrës së Low do të jetë një tjetër histori, pasi Franca kërkon hakmarrje edhe për eliminimin nga Botërori dy vjet më parë.
“Ndaj Gjermanisë është një ndeshje ndryshe sepse ata janë kampionët e botës dhe kanë treguar se janë një skuadër që nuk munden lehtë. Ne kërkojmë të marrim hak për atë humbje në çerekfinalen e botërorit. I mundëm në miqësoren e muajit nëntor, por e përsëris, kjo është një ndeshje që nuk ka precedentë”, u shpreh Giroud.
Stadiumi “Velodrome” do të presë heronjtë vendas pas sfidës ndaj Shqipërisë dhe Giroud e pranon se mbështetja e tifozëve do të jetë shumë e rëndësishme. “Jemi me fat që do ta luajmë gjysmëfinalen përballë publikut tonë dhe jam shumë krenar për atë që kemi arritur deri tani. Shpresoj t’i gëzojmë mbështetësit tanë edhe në këtë takim”, tha ai. Olivier Giroud ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë kundër Islandës ku shënoi golin e parë dhe të 5 në fitoren 5-2.