Irani: Marrëveshja bërthamore drejt dështimit

Irani thotë se përpjekjet e Evropës për të mbrojtur marrëveshjen bërthamore të 2015-ës po dështojnë dhe se po rritet numri i iranianëve që mbështesin idenë e rifillimit të programit bërthamor të vendit. Në komentet dje në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Xhavad Zarif akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po përpiqen t’i hapin luftë Iranit. Nënpresidenti amerikan, Mike Pence akuzoi më parë Evropën se po ndihmon regjimin vrasës në Teheran.
Evropa po ndjek një linjë të vështirë, nga njëra anë përpiqet të qetësojë aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër përpiqet të mos lejojë dështimin e marrëveshjes me Iranin. Gjatë ditëve të fundit janë shfaqur haptazi probleme:
“Ata janë vënë në krye të përpjekjeve për të krijuar mekanizma që dëmtojnë sanksionet tona. Ata e quajnë këtë makinacion, Mjete për Synime të Posaçme, por ne e dimë se s’është gjë tjetër përveçse një përpjekje për të thyer sanksionet amerikane kundër regjimit vrasës të Iranit,” tha Nënpresidenti amerikan Mike Pence.
Nënpresidenti Pence po i referohej sistemit të pagesave INSTEX, i krijuar për t’u ofruar mundësi kompanive evropiane të bëjnë tregti me Iranin duke anashkaluar sanksionet amerikane.
“Ata e bëjnë këtë duke mos përdorur dollarin, duke mos përfshirë persona amerikanë në këto shkëmbime dhe për momentin po bëhen vetëm prokurime, pra nuk ka tregti të produkteve apo shërbimeve që janë të ndaluara në bazë të sanksioneve amerikane,” thotë juristi Nigel Kushner.

Irani nuk është i kënaqur me këto kushte:
“Sistemi INSTEX nuk mundëson përmbushjen e premtimeve që kanë bërë Treshja Evropiane (Britania, Franca dhe Gjermania) për ta shpëtuar marrëveshjen. Evropa duhet të pranojë të laget nëse do vërtetë të notojë në kundër rrymave të fuqishme e të rrezikshme të unilateralizmit amerikan,” tha ministri i jashtëm iranian.
Evropa shpreson se Irani do të tregohet i duruar.
“Mendoj se Irani do të luajë lojën e pritjes me shpresën se Donald Trumpi nuk do të rizgjidhet vitin e ardhshëm,” thotë juristi Nigel Kushner.
Evropianët janë shqetësuar se fjalimi i Nënpresidentit Pence sinjalizon se Uashingtoni ka plane më të mëdha:
“Ai nuk foli në prizmin e nevojës për ta rinegociuar marrëveshjen, por për nevojën për të ndryshuar regjimin në Teheran,” thotë analistja Florence Gaub.
Uashingtoni nuk ka folur haptazi për ndryshim regjimi në Teheran. Por Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe shumë vende arabe kanë shtuar retorikën për kërcënimet që paraqet regjimi i Teheranit.
Megjithë presionin nga Lindja e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara, Evropa mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes me Iranin, nga e cila Uashingtoni u tërhoq vjet.

Artikulli paraprakAfera korruptive me të cilën Rama mban peng Lefter Kokën
Artikulli tjetër“Llaxore nga vulgu, dil se të erdhi burgu”!