421 është numri i aksidenteve rrugore gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti sipas INSTAT, duke pësuar një rritje me 10.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, numri i personave të vdekur nga aksidentet është 54 persona (45 meshkuj dhe 8 femra), duke shënuar një rritje me 3.8%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2015.
“Numri i personave të plagosur është 500, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur 3,3%. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, numri i personave të plagosur femra është rritur 11,3%, ndërkaq tek meshkujt ky tregues nuk paraqet ndryshim”, thuhet në Buletinin Statistikor të tremujorit të parë të Institutit të Statistikave.
Shumica e aksidenteve, 354 kanë ndodhur për faj të drejtuesve të mjeteve, ndërsa 67 për faj të këmbësorëve.
Rrugët urbane janë ato që kanë njohur më shumë aksidente (199), më pas ato interurbane (154). Më pak aksidente kanë ndodhur në rrugët lokale (47) dhe autostrada (21). Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e aksidenteve rrugore lidhet kryesisht me drejtimin e gabuar të drejtuesve të mjeteve.
Gjatë këtij tremujori vihet re gjithashtu, një rritje e numrit të femrave të plagosura, të cilat kanë qenë drejtuese të automjeteve me rreth 11.3% të rasteve, por për meshkujt nuk ka ndryshim të treguesit.
Raporti i INSTAT veçon si problematike edhe cilësinë e rrugëve urbane, por edhe interurbane.
Sipas policisë shkak për aksidentet është edhe mungesa e sinjalistikës në rrugë, ndërkohë nga Ministria e Transporteve vjen një tjetër argument ku thuhet se, fondet kryesore për infrastrukturën janë përdorur për vendosjen e elementëve të sinjalistikës.
Për të ulur numrin e aksidenteve të ndodhura në vend, qeveria ndërmori një ashpërsim të gjobave për të gjithë drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Në Kodin Rrugor është parashikuar dyfishim i gjobave për shkeljen e sinjalistikës deri në pezullim të lejeve të drejtimit.
Kodi i ri Rrugor parashikon gjoba që variojnë nga 20.000-30.000 lekë, nëse kalon me semafor të kuq. Përsëritja e shkeljeve sjell pezullim të lejes së drejtimit nga 9 deri në 12 muaj.
Gjoba më e vogël është ajo për mosvendosjen e rripit të sigurimit, e cila u bë 1.000 lekë të reja nga 500 që ishte më parë. Ndërsa në rastin më të keq, heqja e lejes së qarkullimit do t’i detyrojë shoferët t’i rikthehen autoshkollave.
Ministria e Brendshme e konsideroi ashpërsimin e gjobave si një mënyrë efektive për të rritur sensibilizimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe për uljen e numrit të aksidenteve si dhe shtoi numrin e patrullave.
Por duket se diçka ka çaluar për aq kohë sa numri i aksidenteve në tremujorin e parë të 2016 u rrit me mbi 10%.