Veliaj jep me qira objektet e pronarëve të ligjshëm

Bashkia e Tiranës ka përgatitur dokumentacionin për të dhënë me qira të disa objekteve që ndodhen brenda një trualli që i përket trashëgimtarëve të lënë nga pronari i ligjshëm. Bëhet fjalë për objektin e njohur si Galanteria dhe që Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka kthyer pronarit Ismail Kallushi. Trashëgimtarët e kësaj prone, Besnik Tamfizi, Belul Tamfizi, Foti Nikolla dhe Mergi Bajramaj, të përfaqësuar nga Bardhyl Veizaj i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës për të anuluar procedurat e dhënies me qira të objekteve të ndodhura brenda truallit të njohur trashëgimtarëve të Ismail Kallushit.
Trashëgimtarët shprehen në letrën drejtuar kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se, janë vënë në dijeni me faktin që Drejtoria e Aseteve pranë Bashkisë Tiranë po përgatit dhënien me qira të objektit të njohur me emërtimin Galanteria, e cila është në përgjegjësi administrimi të Bashkisë. “Kjo procedurë është iniciuar si rrjedhojë e një kërkese të subjektit privat, i cili ka kërkuar marrjen e këtij objekti me qira. Nga ana jonë në cilësinë e pronarëve ligjorë të njohur si të tillë nga KKK Pronave, Bashkia Tiranë dhe të legjitimuar si të tillë edhe nga Gjykata, i jemi drejtuar kësaj Drejtorie me shkresë zyrtare, duke i vërtetuar faktin se trashëgimtarët e Ismail Kallushit janë pronarë legjitimë të truallitm mbi të cilin është ngritur ky objekt (pra nuk ka interes publik) për këtë arsye pronarët e truallit kanë iniciuar procedurat ligjore për privatizimin e objektit”, shkruhet në letrën drejtuar kreut të Bashkisë Tiranë.
Trashëgimtarët e objekteve shprehen më tej, se pavarësisht kërkesave dhe dokumentacionit shkresor, Drejtoria e Aseteve pranë Bashkisë Tiranë në mënyrë arrogante ka pretenduar se bën ç’të dojë me pronën, madje në mënyrë krejtësisht abuzive ka marrë të mirëqenë kërkesën e “Birra Korça” për dhënien me qira. Pronarët e objekteve tek Galanteria i bëjnë të qartë Bashkisë Tiranë se subjekti “Birra Korça” rezulton se ka humbur gjyqin ndaj trashëgimtarëve të Ismail Kallushit me vendim të formës së prerë, kjo pasi ata kanë pretenduar në gjykim se, pronarë i ligjshëm i pasurisë ka qenë pikërisht “Birra Korça” dhe jo Ismail Kallushi.
“Pas dhënies me qira të truallit për subjektin “Birra Korça” në fakt qëndron një vjedhje djallëzore e qëllimshme që po përgatitet t’i bëhet pronës. Kjo skemë vjedhje është inicuar dhe vazhdon të këmbëngulet pavarësisht faktit se cilësimi ynë si pronarë të ligjshëm është botërisht i njohur dhe i treguar publikisht para Drejtorisë së Aseteve. Vjedhja e parapërgatitur e kësaj prone, bëhet për faktin se, subjekti propozues ka ndërmend të kryejë një investim të supozuar mbi 150% të vlerës së truallit, siç parashikon kreu VIII pika 4 e VKM 54 viti 2014. Pra, duke kryer këtë investim mbi 150% të vlerës së truallit dhe duke përmbushur kushtin e mbajtjes prej 5 vitesh me qira, ky subjekt ka ndërmend të kryejë privatizimin dhe përvetësimin e truallit dhe objektit e më pas ta transformojë krejtësisht sipas oreksit”, shkruhet në letrën e trashëgimtarëve drejtuar kreut të Bashkisë Tiranë.
Për këtë qëllim po ju paralajmërojmë, pasi edhe ne si pronarë të ligjshëm të truallit dhe për të cilën na është njohur e drejta e parablerjes kemi inicuar gjithashtu procedurën e privatizimit të këtij objekti dhe truallit funksional. Bashkia duhet të reflektojë për këto konstatime që ne po ju parashtrojmë, pasi veprimet e vartësve tuaj, janë haptaz në kufijtë e shpërdorimit të detyrës dhe rrjedhimisht konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Ana objektive e konsumimit të kësaj vepre është pikërisht favorizimi që i bëhet subjektit “Birra Korça” në kurriz të pronarëve të pasurisë. Për sa kohë është bërë i njohur statusi i pronarëve të ligjshëm të pasurisë. Përsa kohë ne provojmë faktin se jemi në procedurë privatizimi të objektit ku vërtetojmë është fakti se kjo pronë nuk përbën interes publik, Drejtoria e Aseteve minimalisht duhet të prononcohet në favor të privatizimit dhe kalimin e pronësisë tek pronarët e ligjshëm dhe jo të nxisë vjedhjen e pasurisë.
Nëse kjo drejtori nuk reflekton mbi këtë situatë do të vazhdojmë trajtimin e çështjes në rrugë ligjore, duke paraqitur ankesë edhe në Këshillin Bashkiak, organet e tjera ligjzbatuese si dhe do të sinjalizojmë Gjykatën e Strasburgut për përshpejtimin e procedurës së ndëshkimit të shtetit shqiptar për kërkesën e regjistruar pranë kësaj gjykate”, përfundon kërkesa e trashëgimtarëve të ligjshëm. Trashëgimtarët e objektit që bashkia kërkon të japë me qira i kanë paraqitur kreut të Bashkisë edhe dokumentacionin e plotë të njohjes së pronësisë.

Artikulli paraprakQeveria fsheh ligjin që iu merr shtëpitë shqiptarëve për një copë bukë
Artikulli tjetërProkuroria: Nën hetim zyrtarët e policisë për grabitjen në Rinas