Rey Manaj te Pescara, pritet vetëm zyrtarizimi

Rey Manaj mund të konsiderohet praktikisht një futbollist i Pescarës. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Interi dhe klubi abrucez kanë arritur marrëveshjen për transferimin e sulmuesit të talentuar shqiptar te Pescara. Edhe pse në orët e fundit ishte folur për një transferim të 19-vjeçarit jashtë Italisë, në fund Manaj vendosi ta vazhdojë karrierën te skuadra e sapongjitur në Serinë A, që drejtohet nga trajneri Massimo Oddo. Nga një interesim i thjeshtë, në pak orë drejtuesit e Pescarës kanë lëvizur konkretisht për të marrë shërbimet e 19-vjeçarit dhe në fund falë raporteve shumë të mira që ekzistojnë mes klubit zikaltër dhe atij abrucez, është arritur marrëveshja për transferimin e sulmuesit shqiptar në stadiumin Adriatico.
Lojtari do të transferohet te Pescara në formë huazimi pa të drejtë blerjeje, formulë kjo që të lë të kuptosh se trajneri Roberto Mançini dhe drejtuesit e Interit besojnë shumë te Manaj dhe e cilësojnë kuqeziun si pjesë të rëndësishme për të ardhmen. Fillimisht, dëshira e lojtarit dhe menaxherit të tij ishte për një eksperiencë jashtë Italisë, por i bindur nga ideja për të treguar vlerat në një kampionat si Serie A, Manaj zgjodhi Pescarën. Që të zyrtarizohet kalimi i djaloshit të lindur në Lushnjë te klubi abrucez pritet vetëm firma mbi kontratë që do të vijë në orët e ardhshme.

Artikulli paraprakArmando Sadiku, në planet e Steaua të Bukureshtit
Artikulli tjetërKonte do Elseid Hysajn te Chelsi