“I plotfuqishmi” Erion Veliaj që s’e ndan lopatën nga dora, ka ndryshuar strategjinë e zhvillimit për Tiranë, nga projekti “mbill një pemë” ka kaluar në: “Ngul një kullë”. Aty pranë zonës me dy objekte kulturore të mbrojtura, Xhamisë së Et’hem Beut dhe Sahatit, Lali Eri ka vendosur të ngrejë një kullë, 24 kate.
Gjithçka nisi pas një zjarri të rënë në mes të ditës dy javë më parë, me djegien e “bar sahatit”, pronarët pretendentë të së cilit janë ende në proces gjyqi. Lali Eri shijonte flakët si “Neroni në Romën e lashtë” dhe nën pirgun e thëngjijve, sot po hidhen themelet e një kulle të madhe.
Ngjashmëritë mes Perendorit famëzi Neronit të Romës dhe Lali Erit, lidhen në disa pika. Pasioni i Neronit për garat me karroca dhe për teatrin ishte i madh, ndërsa Lali ka pasion garat me biçikleta, bojatisjen e qytetit, apo shfaqjen çdo ditë në media, ndërsa tifozllëkun për teatrin e lidh kryesisht me shembjen e atij ekzistues dhe ngritjen e një të riu, gjithnjë me kulla përbri.
Edhe Neroni fort i ri erdhi në pushtet, me shumë prentime e pretendime, por do mbahet mend për djegien e Romës për të shkaktuar konflikt civil. Lali është më sqimatar, askush mos guxojë të mendojë se Lali është “piroman” i lindur. Jo, ai është fans i çdo djegie me qëllim ngritjen e kullave.
Kryebashkiaku kërkon një tokë truall dhe kur nuk ka shesh të lirë, ai i vë flakën, ditën apo natën, sipas kohës që kanë xhelatët e trashëgimisë kulturore. Tymi i dalë edhe nga mandatet e djegura të deputetëve të opozitës i ka dhënë lehtësi edhe më shumë Lali Erit për të ndërtuar botën e tij reale me kulla e beton.
Projekti kishte te paktën një vit që qarkullonte, por në bashki punët kanë radhë… Fillimisht duhej hartuar një ligj i veçantë që kompanisë private “Fusha sh.p.k” ti jepej leje për shtatë kulla bri Teatrit Kombëtar. Kaq nuk mjafton, prap kërkon kulla në një nga zonat më të mira të Tiranës dhe këtë herë e arriti me zjarr.
Kryetari që martohet një herë, por bën dy dasma dhe djeg dy herë shaminë e beqarit, është vizionar, koha është e gjitha e tij, askush nuk e kundërshton, edhe atëherë kur ngrohet nga flakët që i hap rrugë ndërtimit të objekteve shumëkatëshe.
/Boldnews.al