Blutë duan hakmarrje

Francë-Gjermani, një tjetër klasike europiane në përballjen e parafundit të këtij europiani, ku dy superfuqi të futbollit kontinental do të përplasen për të ndarë biletën e finales së Parisit. Franca, ashtu si Gjermania ndaj Italisë, duhet të thyejë një mallkim të gjatë. Blutë kanë një llogari të hapur me Gjermaninë, pasi nuk arrijnë të triumfojnë ndaj “panzerave” në një kompeticion zyrtar që prej vitit 1958. Gjithsesi, ndeshja e së enjtes në orën 21:00 në “Velodrome” prezanton një sfidë pothuajse të paparashikueshme, ku diferencën do ta bëjnë detajet.
Didier Deschamps drejton ndoshta skuadrën më të talentuar të 18 viteve të fundit dhe do të ketë mbështetjen e qytetit të Marsejës, ndërsa Gjermania ka në anën e saj traditën dhe moralin në yje pas suksesit të çmendur ndaj Italisë. Francë-Gjermani është një duel pa të nesërme, sepse për fituesin ka vend në librin e historisë, ndërsa humbësi do të marrë një goditje të madhe, pasi të dyja skuadrat kanë pritshmëri të mëdha nga ky kompeticion. Pikëpyetja më e madhe mbetet fuqia e vërtetë e Francës që nuk është testuar ende ndaj një kundërshtari të fortë në letër. Miqësorja e muajit nëntor në Paris foli për vendasit që dominuan 1-0, por Gjermania ka një statistikë më komode në favor, pasi ka arritur ta eliminojë Francën nga çerekfinalja e Botërorit 2014.
“Gjelat” rigjejnë ekuilibrin në mbrojtje me rikthimin e Adil Ramy, ndërsa N’Golo Kante do të jetë në dispozicion të Deschamps. Në krahun tjetër, Gjermania mund të reflektojë në fushën e lojës mungesën e sigurt të Mats Hummels në qendër të mbrojtjes dhe Mario Gomez në majën e sulmit, ndërsa Bastian Schweinsteiger e Sami Khedira mbeten në dyshim deri në minutat e fundit përpara startit. Gjithsesi, kjo është një përballje që shkon përtej çdo parashikimi sepse në fushë do të zbresin disa nga lojtarët më në formë të Europës.
“Hakmarrje” kanë kërkuar francezët për atë eliminim të pamerituar në Brazil dy vjet më parë, por në krahun tjetër Joachim Low po tregon se nuk ka vetëm një plan për t’u bërë ballë kundërshtarëve. Trajneri gjerman me sigurinë e kampionit të botës po shfaqet një strateg i vërtetë dhe me shumë mundësi, Gjermania e tij do të ketë një tjetër fytyrë krahasuar me ndeshjen ndaj Italisë. “Die Manchaft” e ka fituar pjekurinë e nevojshme për të ndryshuar marshin edhe gjatë ndeshjes dhe kjo ndoshta është pika më e fortë e grupit aktual. Pogba përballë Kroos dhe Ozil, Payet ndaj Draxler apo Muller kundër Griezmann.
Duele titanësh në çdo cep të fushës. Gjermania mund t’ia besojë çelësat e sulmit heroit të Rios, Mario Gotze, ndërsa Franca do të përdorë muskujt e pakonsumuar deri në këtë fazë të europianit për t’i shtuar teknikës edhe fuqi. Franca kërkon trofeun e parë që prej vitit 2000, ndërsa Gjermania synon të rikthehet në një finale europiani pas dy dekadave. Ka ardhur koha që Europa të kthejë gjithë vëmendjen nga përballja e titanëve. Kjo mund të jetë finalja e vërtetë e Euro 2016.

Artikulli paraprakKonte do Elseid Hysajn te Chelsi
Artikulli tjetërArgjentina, Simeone ose Bielsa për stolin