Zëri i Amerikës jehonë protestës: “Mijëra njerëz para Kuvendit, qeveria ndërpret internetin”

Në Shqipëri një situatë e tensionuar është krijuar para parlamentit, ku opozita u mblodh për të protestuar ndërsa deputetët e shumicës janë në sallë në seancë.
Një grup manifestuesish tentuan të çajnë kordonin e policisë të vendosur në hyrjen kryesore të oborrit të parlamentit, por u sprapsën nga përdorimi i gazit lotsjellës. Disa manifestues u përgjigjën më pas duke hedhur gurë ndaj policisë.
Opozita e nisi protestën ndërsa brenda në sallë zhvillohej një seancë jashtë radhe. Disa mijëra përkrahës të Partisë Demokratike dhe LSI-së u mblodhën me urgjencë për protestën, sapo kryesia e parlamentit ndryshoi datën e seancës.
Ky është tubimi i tretë brenda 10 ditësh që zhvillon opozita, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme.
Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se protestat synojnë të largojnë qeverinë ilegjitime e të korruptuar dhe parlamentin, sipas tij, ilegjitim dhe me mandate të blera.
Protestuesit ndezën zjarre dhe hodhën flakadanë në drejtim të policisë. Ndërkohë, brenda sallës parlamenti vazhdoi seancën plenare. Në rendin e ditës ishin dy ligje mbi strukturën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organe të tjera të drejtësisë.
Policia ishte e shumtë në numër dhe masat shtesë ishin të dukshme, duke përfshirë edhe ndërprerjen e internetit në zonën e protestës. Autoritetet pohuan më herët se heqja e internetit bëhet për arsye sigurie, por opozita tha se kjo është një metode e re për të censuruar protestat dhe mesazhet e saj.

Artikulli paraprakBanda kriminale sulmon me armë kimike edhe gjimnazistët e Pedagogjikes
Artikulli tjetërBasha: Shqiptarët nuk njohin më as Kuvendin dhe as Policinë e krimit. Mosbindja civile nga jugu në veri!