Landi i Turingisë në Gjermani: Shqipëria jo vend i sigurtë

Debati në Parlamentin e Landit të Turingisë në Gjermani shkoi gati në përplasje mes të majtëve dhe partisë së Kancelares Merkel. Socialdemokratët dhe të gjelbrit nuk pranuan propozimin e CDU-së që Shqipëria dhe Kosova të shpalleshin vende të sigurta origjine, një kërkesë që Kancelares ia bëri dhe Kryeministri Rama në Tiranë. A i favorizon kjo azilkërkuesit tanë në këtë pjesë të Gjermanisë?
Gjatë vizitës së Kancelares Merkel në Tiranë çështja e azilkërkuesve u trajtua si një çështje që duhet të ndalet, sikur ata nuk kanë asnjë shpresë në Gjermani. Por në fakt, të paktën publikisht asgjë nuk u kuptua, se çfarë në të vërtetë do të ndodhë me mijëra azilkërkuesit shqiptarë: Do t’i mbajnë apo do t’i kthejnë të gjithë, do të ketë një përkujdesje për ata që janë më në nevojë apo favorizim të më të kualifikuarve, janë disa pyetje që mbeten pa përgjigje që kur mijëra shqiptarë nisën të provojnë fatin muajt e fundit në atë që disa e quajtën si eksodi i dytë i shqiptarëve.
E vërteta është që mijërat e shqiptarëve të larguar vijojnë të qëndrojnë atje, një pjesë edhe të përfshirë në kurse gjuhe apo trajnime të ndryshme.
Zonja Merkel e bëri të qartë se kur një vend kërkon t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE, azilkërkuesve të tij nuk mund t’u jepet statusi i azilantit.
Kryeministri Rama kërkoi që Shqipëria të shpallet vend i sigurt origjine, çka do ta bënte thuajse të pamundur marrjen e azilit për shqiptarët. Ndonëse Kancelarja e mirëpriti, ajo në të njëjtën kohë pohoi se jo të gjitha landet në Gjermani janë të bindura se Shqipëria është vend i sigurt.
Dhe siç raportojnë mediat gjermane, Parlamenti i Landit të Turingisë votoi të premten kundër propozimit që Shqipëria dhe Kosova të jenë vende të sigurta të origjinës.
Ishte një debat emocional e madje në prag përplasjesh mes të majtëve e të djathtëve, (pasi të parët i mëshojnë një vlerësimi individual dhe jo në mase të azilkërkuesve).
Socialdemokratët dhe të Gjelbrit votuan kundër propozimit të CDU-së së Merkelit që Shqipëria të njihet si një vend i sigurt.

Artikulli paraprakBelgjika jep alarmin: Në Shqipëri shkelen të drejtat dhe liritë e qytetarëve
Artikulli tjetërNën syrin e policisë u grabitën miliona euro në aeroportin e Rinasit