Grabitja në Rinas, Prokuroria zgjeron rrethin e hetimeve

Ende asnjë gjurmë për autorët e grabitjes spektakolare në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Prokuroria e Krimeve të Rënda është fokusuar tek agresorët, të cilët dyshohet se janë i njëjti grup që ka kryer edhe grabitje të tjera në segmentin Tiranë-Rinas, ndërkohë që pjesë e hetimeve është edhe përgjegjësia e institucioneve, të cilat e kanë njohur problematikën dhe nuk kanë marrë masat.
Në një kohë kur Policia e Shtetit dhe Aviacioni Civil vijojnë përplasjet në distancë në lidhje për përgjegjësinë institucionale të dështimit të sigurisë për grabitjen e ndodhur në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, Prokuroria ka zgjeruar rrethin e hetimeve edhe për këtë pjesë.
Zyrtarisht mësohet se, institucionet, të cilat kanë patur dijeni për problematikën në aeroport, e vërtetuar edhe nga testimet e fundit dhe nuk kanë marrë masat do të jenë pjesë e hetimit të akuzës. Mësohet se hetimi aktualisht po kryhet nga Prokuroria e Krujës, e cila ka në juridiksion zonën ku ka ndodhur grabitja, ndërkohë që më pas çështja pritet t’i kalojë për kompetencë Tiranës. Burimet bëjnë me dije se, po shihet gjithë dokumentacioni përkatës, përfshirë edhe kontratën e marrëveshjes.
Gjendet një vare në makinën e djegur
Hetuesit kanë gjetur një vare në makinën e grabitësve të Rinasit, që u dogj pranë aeroportit. Dyshohet se ajo do të përdorej për të goditur blindin ku ishin paratë, në rast se ai do të ishte i mbyllur. Por siç treguan pamjet e grabitjes, nuk qe e nevojshme përdorimi i varesë, sepse shoferi i blindit i mbante dyert hapur, për shkak të vapës. Ky detaj skandaloz, çoi në burg Kujtim Picarin, shoqërues i vlerave monetare i një banke të nivelit të dytë.
Vareja në makinë, për hetuesit tregon se është e njëjta mënyrë dhe mund të jetë i njëjti grup që vodhi 3.8 milionë euro në dhjetorin e vitit të kaluar. Bëhet fjalë për grabitjen e famshme në autostradë të blindit që transportonte sërish paratë e një banke të nivelit të dytë. Në atë kohë, vareja i shërbeu grabitësve për të goditur blindin, të cilit i thyen xhamat, derisa morën paratë. Gjithçka ndodhi nën kërcënimin e armëve dhe rojet e armatosura të kompanisë private patën frikë të reagonin.
Vareja në makinë, zona e përafërt ku ndodh grabitja, sulmi ndaj blindave të kompanive private që transportojnë paratë e bankave janë tre elementë që i bashkojnë ngjarjet. Pa harruar këtu edhe faktin që në të dyja rastet, grabitësit janë larguar pa lënë gjurmë.

“ICTS Albania”, 1.7 milion euro në vit për sigurinë e Rinasit

“ICTS Albania”, kompania që është e kontraktuar nga Tirana International Airport (TIA) për sigurinë ka realizuar një qarkullim vjetor prej 239 milionë lekësh (rreth 1.7 milionë euro) për vitin 2014, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Të ardhurat më 2013-2014 janë luhatur në këto nivele.
Sipas përshkrimit në bilanc, “ICTS Albania” ushtron aktivitetin e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas dhe ofron shërbime konsulence sigurie në “Sheraton”.
Numri i punonjësve të saj në fund të vitit 2014 ishte 129, në rritje nga 110 në vitin 2013. Sipas të dhënave nga bilanci për shpenzimet për paga, paga mesatare bruto e punonjësve është rreth 570 euro.
Në vitin 2014 fitimet e saj ishin 64 milionë lekë apo rreth 460 mijë euro, me një normë të kënaqshme fitimi prej rreth 28%. Për krahasim, vetë TIA, që menaxhon me koncesion aeroportin ka rreth 200 të punësuar, sipas të dhënave zyrtare nga faqja e saj e internetit. Edhe TIA ka një normë të lartë fitimi prej rreth 33%, sipas deklarimeve në bilanc (në vlerë absolute fitimi i TIA-s në vitin 2015 ishte 11.2 milionë euro).
“ICTS Albania” është krijuar në vitin 2005 dhe është 100% në pronësi të “ICTS Europe” dhe ka si objektiv ofrimin e shërbimeve të sigurimit të aviacionit, detar etj. Sipas faqes së saj në internet, kompania ka dhe një filial tjetër “ICTS Albania Integrated System” (ku ICTS Europe ka 75% të aksioneve), që ka një aktivitet minimal, me qarkullim vjetor 150 mijë euro më 2014-n dhe ka rezultuar me humbje.
“ICTS Albania” u gjend në qendër të vëmendjes së fundmi, pasi një vjedhje e parave që do të transportoheshin jashtë vendit nga një bankë, brenda ambienteve të aeroportit ngriti pikëpyetje mbi masat e sigurisë të marra prej saj.

Artikulli paraprakOpozita me ofertë të re konsensusi për Drejtësinë, Rama hesht prej 17 ditësh
Artikulli tjetërMakina e fundosur në Shkopet mund të jetë e grabitësve të Rinasit