Qeveria shqiptare disbursoi këstin e parë të kontratës koncesionare të Rrugës së Arbrit në masën 2.5 miliardë lekë më 21 janar 2019, pasi kompania Gjoka 87 deklaroi se kishte përfunduar 7 miliardë lekë punime ose mbi 25% të kontratës, bëhet e ditur nga të dhënat e degës së thesarit dhe dokumentet e marra nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi.
Pagesa u krye me firmë të ish-Ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, i cili dorëzoi detyrën vetëm pak ditë pasi firmosi urdhrin për kryerjen e pagesës.
Punimet për rrugën e Arbrit, e cila duhet të lidhë Tiranën me Dibrën, nisën zyrtarisht në qershor 2018 pasi qeveria nënshkroi kontratën koncesionare përmes miratimit të një ligji special në Parlament për negocim të drejtpërdrejtë të kontratës me kompaninë Gjoka Konstruksion. Kontrata [link], parashikon punime me vlerë të përgjithshme prej 33.6 miliardë lekësh, ndërsa buxheti i shtetit pritet të paguajë në total 40.3 miliardë lekë (të reja) sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave në dokumentin e investimeve publike, të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. [Link]
Kontrata, e cila është pjesërisht publike dhe pjesërisht konfidenciale, parashikon që koncesionari të paguhet në fund të vitit të parë pasi kontrata është bërë efektive, në rast se ka kryer më shumë se 20% të volumit të punimeve.
Njësia e Zbatimit të Projektit njoftoi Ministrinë e Infrastrukturës më 11 janar 2019 se kompania ka lëshuar fatura tatimore çdo muaj dhe kompania mbikëqyrëse, e cila filloi punën zyrtarisht në nëntor 2019, ka kryer verifikimin e punimeve dhe ka firmosur vërtetësinë e situacioneve. [Link raporti].
Pesë ditë më vonë, më 16 janar 2019, Gjiknuri firmosi urdhrin për kryerjen e pagesës së këstit të parë. [Link shkresa]
Gjoka 87 është kompania e posaçme e krijuar në prill 2018 për zbatimin e kontratës së koncesionit. Ajo u krijua fillimisht me një kapital themeltar prej 80 milionë lekësh, ndërsa në korrik mori një kredi me vlerë 9.5 miliardë lekë nga banka BKT.
“BIRN”