Prodhimi i naftës në pikiatë, Bankers raporton ulje me 8.2 për qind

Prodhimi i naftës në vend u ul me 8.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit krahasuar me një tremujor më parë. Bankers Petroleum, kompania më e madhe prodhuese e naftës në vend, raportoi se për periudhën prill-qershor, prodhimi i naftës rezultoi mesatarisht 15,934 fuçi në ditë nga 17,363 fuçi në ditë që ishte në tremujorin e parë. “Si pasojë e bllokimit të aktivitetit të Petroliferës italo-shqiptare (PIA) në fund të muajit maj, kompania e reduktoi prodhimin me rreth 4,000 bopd përgjatë 5 ditëve si pasojë e reduktimit të kapaciteteve magazinuese”, njoftoi Bankers përmes një komunikate zyrtare. Sipas kompanisë, prodhimi nisi të normalizohej më 8 qershor dhe u rikthye në nivelet e mëparshme brenda një jave. Sipas Bankers, në tremujorin e dytë 2016, shitjet mesatare të naftës arritën në 15,023 fuçi në ditë, kundrejt 17,280 fuçi që ishin në tremujorin e parë 2016. Kjo edhe pse çmimi mesatar i shitjes u rrit. “Çmimi mesatar i naftës së Bankers ishte rreth 29.99 dollarë/fuçi, kundrejt një çmimi prej 21.07 dollarë/fuçi që ishte në tremujorin e parë”, tha Bankers. Sipas kompanisë kanadeze, shitjet në eksport gjatë tremujorit të dytë 2016 përbënin 94% të totalit të shitjeve. Çmimet e shitjes në tremujorin e dytë u përmirësuan kundrejt tremujorit të parë 2016 pasi çmimi i Brent-it u rrit në mbi 40 dollarë/fuçi, por edhe për shkak të rritjes së kërkesës për naftë bruto në tregun e huaj dhe vendas. Gjatë gjashtë muajve të parë deri më 30 qershor 2016, shitjet mesatare të naftës ishin 16,152 fuçi në ditë ose 18 për qind më pak se sa gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar ku eksportet rezultuan mesatarit 19,900 fuçi në ditë. Konjuktura e pafavorshme në tregun ndërkombëtar ka bërë që kompania të pezullojë plotësisht shpimet e reja prej disa muajsh. “Si pasojë e mjedisit të çmimit të ulët të naftës, Bankers vendosi të ndalojë aktivitetin e shpimit në fillim të vitit për të garantuar një bilanc të fortë financiar të kompanisë”, thuhet në deklaratë. Sipas kompanisë kanadeze, tashmë në proces shitje, aktiviteti i shpimit do të rinisë sapo çmimet të rriten dhe po shikohet mundësia për ta rikthyer në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Artikulli paraprakOSHEE dështon me arkëtimet e energjisë dhe borxheve
Artikulli tjetërBE: Kujdes me borxhin dhe papunësinë