“Sigurisht, ngjarja është shumë e rëndë, sepse cenon rendin publik, por dhe sigurinë kombëtare”.
Kështu pohoi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pas grabitjes së armatosur të një ngarkese parash në pistën e Aeroportit të Rinasit, javën e shkuar, nga tri persona të cilët hynë e dolën nga aeroporti pa hasur asnjë pengesë dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.
Grabitja, por edhe informacionet e bëra më pas publike në lidhje me sigurinë e Aeroportit të Rinasit dëshmuan se kufijtë tanë janë të pasigurtë dhe se Aeroporti i Rinasit nuk ka asnjë kapacitet për të shmangur, parandaluar apo mbrojtur nga aktet e mundshme terroriste.
Në fund të fundit, sikurse e pa e gjithë siguria e pikës kryesore të kalimit të kufirit në Shqipëri ishte e “siguruar” me një dryn të thjeshtë që mbante të mbyllur një derë po ashtu të thjeshtë, e cila nuk monitorohej as nga kamera dhe as nga punonjës sigurie – grabitësve iu deshën vetëm pak sekonda me mjete të thjeshta për të hyrë në zonën e brendshme të aeroportit përmes kësaj porte. Duhet theksuar se kjo portë përdoret për futjen e makinave që bëjnë furnizimin e avionëve dhe është e pashpjegueshme se si ajo është lënë pa asnjë monitorim.
Ministri Tahiri deklaroi se policia nuk ka përgjegjësi për ngjarjen, pasi siguria në aeroport është përgjegjësi e kompanisë TIA, e cila menaxhon aeroportin. Sipas zotit Tahiri kontrata koncesionare ia ndalon policisë të kujdeset për sigurinë në aeroport.
Nga ana e saj, TIA pohoi se ajo e kishte njoftuar policinë në momentin kur kriminelët ishin ende në pistë, por policia nuk kishte reaguar, përfshi policët e armatosur që ndodheshin në pistë vetëm pak metra larg grabitësve.
Përtej mungesës së reflektimit për përgjegjësinë morale dhe politike, justifikimi i ministrit Tahiri duket i çuditshëm, pasi ai pretendon se përgjegjësitë për mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve shtetërorë ka kaluar nga qeveria tek një kompani private pa asnjë kontroll dhe mbikëqyrje nga policia dhe strukturat e sigurisë së vendit.
Në të vërtetë, përgjegjësia e Ministrisë së Brendshme për kontrollin dhe sigurinë e Aeroportit të Rinasit është e qartë dhe pa asnjë mëdyshje ligjore. Kjo përgjegjësi është e shprehur në një sërë ligjesh dhe vendimesh të qeverisë.
Më poshtë po informojmë me ndonjë koment të shkurtër përcaktimet më të rëndësishme të ligjit kryesor që sanksionon përgjegjësitë për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve- Ligjit Nr. 9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”.
Në nenin 5 ligji përcakton qartësisht se, “Kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit janë kompetencë e Ministrisë së Brendshme” dhe se detyrat e kontrollit dhe të mbikëqyrjes së kufirit i kryen Policia Kufitare dhe e Migracionit.
Ndërkohë, neni 4 i ligjit nuk lë asnjë dyshim se kontrolli dhe mbikëqyrja e pistës dhe gjithë hapësirës jashtë terminalit të Aeroportit të Rinasit janë juridiksion i policisë. Neni 4 përcakton se “Zona e kontrollit kufitar në pikën e kalimit kufitar… vlerësohet: i) territori nga kabina e kontrollit, salla e transitit, përfshirë edhe vendqendrimin e avionëve (VQA), për daljen nga kufiri; ii) territori nga VQA-ja deri te dalja jashtë kabinës së kontrollit, për hyrjen në kufi”.
Neni 6 i ligjit përcakton qartë se Policia Kufitare dhe e Migracionit ka për detyrë:
Kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.
Marrjen e masave për ndalimin e personave, që kryejnë veprimtari të kundërligjshme nëpërmjet kufirit, si dhe të personave të kërkuar; bllokimin e mjeteve dhe të mallrave, që hyjnë ose dalin në mënyrë të kundërligjshme.
Nga më sipër, është e qartë se bllokimi i mjetit që hyri në mënyrë të kundraligjshme në territorin e aeroportit duhet të ishte bërë nga Policia Kufitare.
Ligji përcakton gjithashtu edhe detyrimet e operatorëve që menaxhojnë aeroportet, pra në rastin e Aeroportit të Rinasit të TIA-s.
Neni 17 thekson se operatorët kryejnë kontrollin kufitar sipas ligjeve të vendit. Ligji e përcakton kontrollin kufitar si kontroll në çdo vend të kufirit, për t’u siguruar se personat, përfshirë mjetet e tyre të transportit dhe objektet që kanë me vete, plotësojnë kushtet për të hyrë apo dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Kjo do të thotë se ligji u kërkon operatorëve të aeroporteve të bëjnë kontrollin në pikat e kalimit të kufirit, por jo mbikëqyrjen e kufirit, qëllimi i të cilit, sipas ligjit, është “për të shmangur mundësinë, që dikush të anashkalojë kontrollin kufitar gjatë kalimit të kufirit”.
Këtë detyrim, pra të mbikëqyrjes së kufirit, ligji ia njeh Policisë Kufitare, të cilën e ngarkon, sipas nenit 22 të ligjit, për të marrë të gjitha masat e nevojshme përfshi përdorimin e njësive fikse dhe të lëvizshme “për të penguar dhe kapur personat që u shmangen kontrolleve në pikën e kalimit kufitar”.
Në mënyrë të veçantë neni 22 e ngarkon policinë “për të patrulluar dhe qëndruar në vende, përgjatë vijës së kufirit, që mendohen si të mundshme për kalim të paligjshëm” duke përdorur për këtë mjete teknike dhe elektronike.
Pikërisht dera nga hynë grabitësit, e cila shërben për hyrjen e mjeteve që bëjnë furnizimin e avionëve me karburant apo produkte të tjera, është një nga vendet e “mundshme për kalim të paligjshëm”. Prandaj, përgjegjësia e mbikëqyrjes së saj përmes patrullimit apo njësive fikse, si dhe monitorimit të saj me mjete teknike dhe elektronike është e Policisë Kufitare.
Neni 31 e ngarkon operatorin e aeroportit të marrë masa për të parandaluar hyrjen dhe daljen e personave të paautorizuar në/nga zonat e rezervuara ose në/nga zona tranzit.
Ky nen mund të interpretohet se e ngarkon me përgjegjësi operatorin, TIA, edhe pse termat “zonë e rezervuar” dhe “zonë transit” janë të papërcaktuara në këtë ligj. Nisur nga dokumente të tjera, zonë tranzit konsiderohet zona brenda në terminal që kufizohet nga vija e kontrollit kufitar dhe daljet nga terminali për në pjesën e brendshme të aeroportit. Kurse zonë e rezervuar mund të intepretohet zona e perimetrit të brendshëm të aeroportit jashtë terminalit, përfshi edhe pistën. Nëse ky intepretim është i vërtetë, atëherë TIA është përgjegjëse për mosmarrjen e masave të mjaftueshme për parandalimin e hyrjes në aeroport të makinës së grabitësve.
Si përfundim, është e qartë se përgjegjësia kryesore për thyerjen e sigurisë në Aeroportin e Rinasit është e Minsitrisë së Brendshme, veçanërisht Polisicë së Kufirit dhe Migracionit, e cila duhet të kishte marrë masat për sigurimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e vazhdueshëm të gjithë territorit të Aeroportit të Rinasit, si dhe për të reaguar menjëherë kundër grabitësve pas njoftimit për grabitjen.
Përgjegjës është edhe operatori i aeroportit, TIA, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e thyerjes së gardhit të sigurisë së aeroportit.