Grabitja në aeroport, Noka: Po zhduken detajet e aktit kriminal

Deputeti demokrat, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka tha dje në Parlament se me grabitjen në Rinas është cenuar siguria kombëtare dhe se përgjegjësia është e shtetit. Gjatë fjalës së tij, Noka akuzoi Ministrinë e Brendshme se po përpiqet që të zhdukë detajet e aktit kriminal dhe të zvogëlojë sasinë e parave të vjedhura. “Siguria kombëtare në këtë vend është cenuar dhe është në rrezik. Shteti këtu nuk ekziston dhe kjo është minimalja që nuk ekziston. Po të ecim pak më tutje na dalin informacione se shteti është i përzjerë në këtë vjedhje. Si ka mundësi të thuhet se sigurinë në aeroport nuk e ka shteti, por një kompani private? Keni dëgjuar që në ndonjë vend të thuhet se shteti nuk ka sigurinë kombëtare, por e ka privati. Ky i gjati që quhet Kryeministër as e vë ujin në zjarr që të shqetësohet. Ky tjetri as ka ujë fare se përdor kokainën në vend të ujit, se ka mësuar nga ky tjetri. Për çfarë duhet Komisariati i Rinasit, për çfarë paguajnë qytetarët taksat e tyre? Hiqeni pra policinë e ta dimë se nuk i paguajmë taksat të paktën. Pandi mos qesh se kjo është e vërtetë se ta kanë thënë me zë e figurë që policia nuk ka faj”, tha deputeti demokrat. “A është cenuar siguria kombëtare në momentin që 3 banditë futen në Aeroportin e Rinasit? Po. Siguria kombëtare a është monopol i shtetit? Po. Atëherë kush e ka përgjegjësinë kur cenohet siguria kombëtare? Shteti. Keni parë ndonjë të mbajë përgjegjësi, të shkarkohet dikush? Jo. Pse? Ka të bëjë me mungesën e transparencës. Me vrap MPB përgënjeshtroi mënyrën dhe kohën si hynë hajdutët. U mundua të zvogëlohet vlera e parave të vjedhura. U mundua të zhduken detajet e aktit kriminal”, deklaroi Noka. Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e cilësoi një megaskandal ngjarjen e ndodhur në Rinas. Sipas Boçit me grabitjen u cenua siguria kombëtare e vendit. “Përballja me terrorizimin, i çfarëdolloj ngjyre të jetë ai mbetet një nga sfidat kryesore në përpjekjen e tyre për rritjen e sigurisë së qytetarëve. Vendi ynë ka qenë i angazhuar në plotësimin e marrëveshjeve. A ka sot një angazhim real konkret që merret me parandalimin dhe luftën me terrorizmin. Tek kthehemi tek ngjarja në Rinas, do të thoja se ky realitet merr formë tjetër. Është për të ardhur keq për këto fakte dhe ndaj realitetit për luftën ndaj terrorizmit. Atë ditë nuk u grabitën vetëm miliona euro, policia duhet të merret në mënyrë të posaçme, por ishte siguria e milionave njerëz. Ky ishte një megaskandal i vërtetë, pasi tek e fundit kjo qeverisje ka falimentuar. I ka shqyer kufijtë e Shqipërisë. Këtu hyn e del kujt t’i dojë qejfi edhe derri edhe dosa”, tha Boçi.

Artikulli paraprakMinistrja e liderit global: E pranojmë Britaninë në NATO edhe pse doli nga BE
Artikulli tjetërParlamenti Europian miraton heqjen e vizave për Kosovën