Rama, tersi i reformës, e do vetingun për vete

Rama mund të konsiderohet si “tersi” i reformës në Drejtësi dhe gjasat për miratim të saj sipas rekomandimeve të Venecias rrëzohen pasi Rama e kërkon Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për veten e tij.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi rrëzoi dje pretendimet e socialistëve se propozimi i ri i PD në lidhje me Reformën në Drejtësi synon politizimin e procesit të vetingut. Në një prononcim mediatik, Bylykbashi sqaroi se ajo çka parashtron propozimi i PD përmes formulës së re është garancia për profesionalizmin dhe largimin e ndikimit politik.
Ai sqaroi se propozimi i PD është lëvizje nga modeli i vendeve të rezervuara, por që garanton në mënyrë të plotë zbatimin konsenguent të paragrafit 88, çka garanton çdo gjë që parashikon Komisioni i Venecias. Bylykbashi tha se në këtë propozim konsiston edhe oferta e PD për kompromis me mazhorancën në lidhje me Reformën në Drejtësi.
Përkundrejt pretendimeve të PS, deputeti demokrat bëri të qartë se në procesin e vetingut dhe në përzgjedhjen e komisionerëve që do të bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, partitë politike nuk do të kenë asnjë rol, as në ardhjen e kandidaturave dhe as në filtrimin e kandidaturave që përputhen me kriteret kushtetuese dhe ligjore.
“Partia Socialiste vijon të spekulojë duke pretenduar në mënyrë të gënjeshtërt dhe duke u përpjekur si gjithmonë që të hedhë hi në sytë e publikut shqiptar se propozimi i Partisë Demokratike, që është propozim më shumë se dyjavor, i kundërshtuar pa asnjë argument deri më sot, se qenka një propozim që përfshin politikën në procesin e vetingut. Ky është një pretendim dhe një gënjeshtër flagrante. Dua të bëj shumë të qartë që propozimi ynë dhe që është qëndrim parimor i yni, është që në procesin e vetingut dhe në përzgjedhjen e komisionerëve që do të bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, partitë politike nuk do të kenë asnjë rol, as në ardhjen e kandidaturave dhe as në filtrimin e kandidaturave që përputhen me kriteret kushtetuese dhe ligjore. Në këtë proces, partitë politike, qoftë në mazhorancë apo qoftë në opozitë, nuk duhet të kenë rol dhe propozimi i PD përcakton ekzaktësisht këtë”, u shpreh Bylykbashi.
Deputeti demokrat bëri të ditur se përmes votës sekrete në përzgjedhjen e kandidatëve që do të votohen nga Parlamenti garantohet integriteti jo politik i kandidaturave që do të dalin nga komisioni i vetingut. Bylykbashi tha se kjo garantohet plotësisht nga kalimi i kandidaturave në filtrin e Gjykatës Kushtetuese dhe nën monitorimin e ndërkombëtarëve.
“Së dyti, në propozimin që bëjmë ne për të cilin do të keni më shumë detaje në prezantimin që do të bëhet nesër, nëpërmjet votës sekrete në përzgjedhjen e kandidatëve që do të votohen nga Parlamenti, garantohet diçka thelbësore; pamundësia e plotë për të etiketuar politikisht secilën prej 12 kandidaturave që do të dalin për komisionin e vetingut. Pra, vota sekrete e garanton katërcipërisht këtë. Nuk do të jetë e mundur të etiketohet askush. Parlamenti i Shqipërisë është parashikuar që në fillim që të jetë ai që do të përzgjedhë midis kandidaturave profesionale dhe kjo nuk do të thotë aspak politizim. Filtrimi jo nga partitë, por nga Gjykata Kushtetuese, me monitorim ndërkombëtar, do të garantojë që kandidaturat të jenë jashtë çdo ndikimi politik. Pra, e theksoj që ky proces largon maksimalisht politikën nga përzgjedhja e këtyre kandidaturave”, tha deputeti demokrat. Bylykbashi sqaroi se propozimi i PD garanton respektimin dhe zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
“E fundit që dua të theksoj është që me propozimin që ne bëmë dje publik, PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe EURALIUS dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur nga Partia Demokratike në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Propozimi që bëjmë sot është lëvizje nga modeli i vendeve të rezervuara, por që garanton në mënyrë të plotë zbatimin konsenguent të paragrafit 88, duke garantuar çdo gjë që parashikon Komisioni i Venecias dhe duke qenë i tillë është absolutisht oferta jonë e kompromisit”, u shpreh Bylykbashi.
Deputeti demokrat deklaroi se e vetmja formulë e propozuar nga socialistët aktualisht është ajo e trafikimit të votave për të votuar një reformë që kap sistemin e drejtësisë dhe e vendos atë nën kontrollin e plotë të mazhorancës.
“Ajo që bën Partia Socialiste është se vazhdon të propozojë që nga muaji shkurt votën e transferueshme, e cila në llogaritë e tyre i jep më shumë influencë dhe pushtet mazhorancës sesa opozitës dhe nga ana tjetër përveç që është diçka shumë komplekse dhe që dështon në rrethanat e Shqipërisë, është gjithashtu një formulë e ekspozuar ndaj korrupsionit politik që do ta kthente votën e vetme të transferueshme në një votë të trafikueshme. Unë besoj se kjo do të ishte një goditje jo vetëm për interesin e demokracisë shqiptare, por në mënyrë specifike për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e produktit të Reformës në Drejtësi. Besoj që është mirë që Partia Socialiste të tërhiqet nga pozicioni që kanë refuzuar më herët dhe të pranojë këtë ofertë të re kompromisi dhe të mos refuzojë siç ka bërë deri më sot pa asnjë arsye”, tha deputeti demokrat.

Artikulli paraprak20 milionë euro në 12 minuta, Rama dhe Taho i fshihen Parlamentit
Artikulli tjetërBasha-Ramës: Prano kompromisin për Reformën në Drejtësi