Nga finalja e Champions League te ajo e Kampionatit Europian për të vazhduar me trofeun e Topit të Artë, beteja mes Cristiano Ronaldos dhe Antoine Griezmann vazhdon. Sulmuesi i Atletico Madrid me dygolëshin e tij eliminoi Gjermaninë dhe arriti të dërgonte Francën në finalën e madhe të Parisit, duke pushtuar kështu dhe zemrat e tifozëve. Gati 1 muaj e gjysmë pas finales së Champions League të fituar nga Reali i Madridit, Griezmann do të ketë sërish përballë në një tjetër finale sulmuesin e Los Blancos, Cristiano Ronaldon dhe mesa duket ajo e “Saint Denis” do të jetë dhe një ndeshje personale mes të dyve, pasi këta dy lojtarë janë në garë për të fituar edhe Topin e Artë për vitin 2016.
Të dy sulmuesit janë protagonistë absolutë në skuadrat e tyre, si në rang klubesh ashtu edhe në kombëtare. Ronaldo numëron 3 Topa të Artë dhe në shënjestër ka vendosur të 4-tin. Përballë tij Griezmann, i cili në një kohë të shkurtër u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm për Los Cholconeros, i cili në vitin e tij të parë me fanellën e Atletico Madrid arriti të shënonte 25 gola, ndërsa sezoni i dytë ishte me të vërtetë fantastik për Griezmann që arriti kuotën e 32 finalizimeve.
I shpejtë, driblues i mirë, luan në mënyrë të shkëlqyer me të dyja këmbët, karakteristika këto, që e bëjnë francezin një lider absolut, jo vetëm tek skuadra e Diego Simeones, por së fundmi dhe tek Blutë. Me 6 gola të realizuar ai është edhe golashënuesi më i mirë i këtij europiani. 6 finalizime të Griezmann po aq sa ish-legjenda Thiery Henry, por më pak se një tjetër legjendë e futbollit francez, Michel Platini dhe më e rëndësishmja ai ka shënuar sa 2-fishin e rivalit të tij që në këtë rast është CR7-ta.
Betejë deri në minutën e fundit, do të jetë finalja e të dielës me tre herë fituesin e Topit të Artë, i cili ende nuk e harruar finalen e humbur të vitit 2004 përballë Greqisë. Të dy futbollistët mbajnë mbi shpinë numrin 7 dhe pa më të voglin dyshim do të jenë ata protagonistët absolutë në mbrëmjen e Parisit dhe ndoshta për t’u takuar sërish në një tjetër mbrëmje të rëndësishme, atë të Zyrihut, në ceromoninë e dorëzimit të Topit të Artë.
Skuadra e Didier Deschamps realizoi misionin që u mungonte Gjelave që nga 1958, mposhti Gjermaninë, kampione të botës, me një fitore të pastër 2-0 në “Velodrome”, aty ku vendosi një dygolësh i Antoine Griezmann, që tani ashtu si në finalen e Championsit dhe në atë të Europianit gjen përballë Cristiano Ronaldon.
Penalltitë gjithmonë fatale për gjermanët, këtë herë në shtesën e fraksionit të parë, nuk është Boateng, por Schwainstiger që prek topin me dorë në zonë gjatë një dueli me Evra dhe për Rizzolin nuk ka dyshime, është 11-metërsh, pavarësisht protestave. Nga pika e bardhë Griezmann nuk i lë shpëtim Neuer dhe përfundon 1-0 me Francën në avantazh pjesa e parë. Në të dytën ka menjëherë një rast për Francën me Griezmann që provon në të 47-ën, ndërsa Gjermania vijon të bëjë zakonin e zotërimit të topit, por pa krijuar rrezik të veçantë në portën e Lloris, derisa për gjermanët i zgjon kambana e alarmit të minutës së 72. Magji e Pogba në të majtë me Neuer që heq topin nga koka e Giroud, por është Griezmann që fryn rrjetën.
Sërish ai, makthi i gjermanëve Antoine Griezmann, autor i 6 golave në këtë kompeticion, kryegolashënues i europianit. Në disavantazh të dyfishtë Gjermania nuk ka se çfarë të humbasë dhe hidhet e tëra përpara, duke krijuar disa raste, por është e kotë për Muller, Kroos e madje dhe Goetzen e futur nga stoli e gjithë të tjerët, pasi fati këtë herë nuk është me gjermanët.