Pas një rënie afër zeros në muajt e parë të 2016, niveli i përgjithshëm i çmimeve ka nisur të rritet në muajin qershor, duke arritur në 1.2%. Përveç veshjeve dhe komunikimit të gjitha grupet e tjera të mallrave kanë shënuar rritje vjetore, duke reflektuar kështu rritjen e taksave dhe kostove për industri të veçanta. Rritja e taksave bashkiake në Tiranë dhe rritja e kostove të biznesit në tërësi, sidomos nga mbifaturimi i energjisë elektrike me tre lekë, duket se është transferuar në çmime. Sipas INSTAT rritja vjetore në muajin qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,97 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar secili me nga +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me 0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,06 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. Krahasuar me muajin qershor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8% pasuar nga grupi, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7%, grupi “Argëtim e kulturë” me 1,6%, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,3%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 7,1%, nëngrupi “qumësht, djath e vezë” me 2,7%, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,1%. Çmimet e nëngrupeve “bukë e drithëra” dhe “mish” u ulën me nga 1,0%. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 3,6%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 1,5%, grupi “komunikimi” me 1,0%. Krahasuar me muajin maj 2016, ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 1,9%. Brenda grupit të ushqimeve ulja më e madhe e çmimeve vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet” me 8,9%. Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se besimi i bizneseve dhe konsumatorëve ka shfaqur luhatje edhe në tremujorin e dytë të vitit 2016. “Besimi i biznesit dhe ai konsumator mbeten të luhatshëm, ç’ka ilustron pozitën ende të pakonsoliduar të kërkesës së brendshme private si motor i rritjes ekonomike”, tha Sejko në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshilli Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Gjatë kësaj mbledhjeje, u vendos që norma e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 1.25%. “Ecuria e dobët ekonomike e partnerëve tanë tregtarë, rënia e çmimit të disa prej produkteve tona tradicionale të eksportit, si dhe fatura e lartë e importit që kanë disa prej investimeve të huaja direkte në Shqipëri, kanë sjellë një zgjerim me 26.3% të deficitit tregtar gjatë pesë muajve të parë të vitit. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, kjo tablo do të ruhet edhe në gjashtëmujorin e dytë, dhe shkëmbimet tregtare me jashtë nuk do të mbështesin rritjen ekonomike gjatë vitit 2016”, shtoi Sejko.
Kryesore
Continue to the categoryBudallenjë, Servilë dhe Epshndjellëse
Nga Namir Lapardhaja
Dy prej kategorive kryesore që i vjen më për shtat çdo pushteti për të përdorur, janë budallenjtë dhe servilët.
Të parët nuk e...