Në një kohë që evropianët e shohin Gjermaninë me rol në rritje, fuqia franceze dhe britanike shihen “në rënie”, sipas një studimi të ri. Shumë janë të shqetësuar për perspektivat afatgjata.
Në një studim të publikuar të martën në mbrëmje nga Pew Research Center, gati gjysma e të anketuarve në 10 shtete anëtare të BE thanë se Gjermania luan një rol më të rëndësishëm në botë, në krahasim me atë që ka luajtur një dekadë më parë. “Në Evropë ekziston një kuptim i caktuar, se në një kohë që fuqia e Gjermanisë është në rritje, fuqia e Francës dhe e Britanisë janë në stanjacion ose në rënie”, bëri të ditur qendra.
Vështrimi në Evropë
Ideja që Gjermania luan një rol më të rëndësishëm sot është më e theksuar në Greqi, ku 81 përqind e të anketuarve e mbështesin këtë. Në Itali dhe në Spanjë, rreth 56 përqind ndajnë të njëjtin mendim. Megjithatë, vetëm 37 përqind e të anketuarve në Britani e kanë këtë pikëpamje, niveli më i ulët. Mesatarja në 10 shtetet anëtare ishte 47 përqind.
BE merr nota të përziera
Për shumicën dërmuese të qytetarëve të BE në 10 shtetet anëtare, BE nxit paqen, vlerat demokratike dhe përparimin. Të anketuarit në Poloni dhe në Spanjë dhanë vlerësimet më të larta për BE, ndërsa personat e pyetur në Greqi dhe në Mbretërinë e Bashkuar kishin mendimin më të ulët për BE. Kjo megjithatë nuk do të thotë se nuk ka probleme me BE. Një mesatare prej 62 përqind e të pyeturve tha se BE ka humbur kontaktin me qytetarët e tij. Një shumicë e mbronte këtë pikëpamje në tetë nga dhjetë shtetet. Vetëm në Gjermani (49 përqind) dhe në Poloni (42 përqind) situata dukej e ndryshme, pra mbështetja për Bashkimin Evropian është më e theksuar.