7 rrathët koncentrikë të Kinës

Pas arritjes së objektivave të mëdha të modernizimit ekonomik, tani Kina synon që të plazmojë një rend të ri botëror që e shikon si protagoniste. Vizioni i Xi është i formuar nga prioritete të organizuar në unaza koncentrike: në qendër, partia dhe vetëruajtja e saj; përreth, ruajtja e interesave kombëtare, politike dhe ekonomike. Pjesa më e jashtme ka të bëjë në fakt me projeksionin e ri dhe dinamik të Pekinit në botë. Një program ambicioz që ka përpara pengesa të mëdha.

Shumë është shkruar mbi pushtetin politik në rritje të Presidentit kinez Xi Jinping nga ngjitja e tij në pushtet, pesë vite më parë. Megjithatë, po aq i rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar është të kuptojë sesi Xi e sheh botën dhe sesi një vizion i tillë do të influencojë politikën e jashtme të Pekinit. Duke pasur parasysh opacitetin e sistemit politik kinez, është e vështirë tíi përgjigjesh me saktësi kësaj pyetjeje, por po shfaqen disa indikacione të qarta. Vizioni i botës i Presidentit Xi e vendos theksin mbi centralitetin e Partisë Komuniste Kineze (PKK) në aparatin profesional të shtetit dhe mbi rolin parësor të ideologjisë komuniste karshi pragmatizmit politik. Bëhet fjalë për një nacionalizëm të mbrujtur me efikasitet ekonomik, nostalgji dhe brenga, të cilave u bashkangjitet një siguri e tepruar politika vite drite larg nga ortodoksia e Ten Hsiao Pinit, që përmblidhej në moton “fshihe forcën tënde, prit momentin tënd dhe vepro pa rënë në sy”. Interesat që përbëjnë qasjen e re janë të konceptueshme si një tërësi 7 rrathësh koncentrikë. Bërthama përbëhet nga centraliteti i partisë; pasojnë uniteti i vendit, rëndësia e një rritje ekonomike të mbështetshme në planin mjedisor, ruajtja e kontrollit mbi 14 shtetet kufitare, projektimi i forcës detare në rajon, ekspansioni i forcës ekonomike në periferinë kontinentale dhe reforma e ngadaltë dhe e pjesëshme (sigurisht jo totale) e rendit ndërkombëtar të pasluftës për t’ju përgjigjur më mirë interesave të Pekinit. Fakti nëse Xi do tíia arrijë ta realizojë këtë strategji të madhe, në tërësi ose pjesërisht, është një pikëpyetje e madhe.

Partia në zemër të kombit
Në qendër të strategjisë së Xi është partia dhe interesi kryesor i saj: të mbesë në pushtet. Në 40 vitet e fundit ka pasur një konsensus të heshtur, të paktën në pjesën më të madhe të Perëndimit, rreth faktit që Kina do të përqafonte gradualisht liberalizmin e promovuar nga fuqitë kapitaliste në shkallë globale. Në mbështetjen e kësaj, shumë studiues linin pasdorë debatin e brendshëm në parti, i përfunduar në dekadën e parë të këtij shekulli me vendimin për të shmangur çfarëdolloj ndryshimi sistemik që mund t’i japë fund sistemit monopartiak kinez. Kjo zgjedhje nuk ka buruar vetëm nga instinkti i vetëruajtjes së Partisë Komuniste, por edhe nga bindja e drejtuesve se Kina nuk do të mund të bëhej kurrë një fuqi e madhe në mungesë të një lidershipit të fortë qendror. 10 vite më vonë, Xi e ka kompletuar procesin e prirur që të transformojë Kinën në një shoqëri me kapitalizëm shtetëror me në qendër partinë. Xi e ka forcuar në mënyrë të çfrenuar pushtetin, prestigjin dhe prerogativat e partisë mbi makinën administrative të shtetit. Në dekadat e mëparshme, roli i partisë ishte bërë dora dorës më i kufizuar dhe ideologjikisht më i spikatur; sot nuk është më kështu. Lideri kinez e ka kuptuar se dobësimi i rëndësisë strukturore të partisë – e nënkuptuar si institucion – në procesin vendimmarrës të vendit do tiia minonte në mënyrë të pashmangshme pushtetin. Për pasojë, është ndërhyrë me vendosmëri për ta përmbysur një proces të tillë. Nën Xi, niveli drejtues kinez ka privilegjuar idelogjinë ndaj pragmatizmit. Presidenti dhe pjesa tjetër e lidershipit qendror e dinë se normalisht kërkesa për liri politike rritet kur e ardhura për frymë kalon një prag të caktuar. Përgjigja e tyre ndaj kësaj dileme ka qenë një riafirmim i ideologjisë marksiste – leniniste dhe një fushatë intensive propagandistike që synon ta identifikojë partinë me kombin. Xi mendon se mund ta mundë profecinë historike e Francis Fukuyama, sipas të cilës demokracia liberale e markës perëndimore është formë e fundme dhe më e lartë e qeverisë. Pasi aksioni i tij është ndihmuar nga teknologjitë e reja e kontrollit shtetëror (përfshi sisteme të njohjes së fytyrës të menaxhuara nga një aparat më i gjerë i sigurisë së brendshme i forcave të armatosura), shumë kinezë besojnë se në fund ky qëllim do të realizohet.

Rrethi i dytë përkon me unitetin kombëtar që mbetet një interes jetik i Pekinit, pasi përfshin si sigurinë e brendshme, ashtu edhe legjitimitetin politik të partisë në perspektivë. Në optikën e qeverisë kineze Tibeti, Ksiniangu. Mongolia e Brendshme dhe Tajvani përfaqësojnë një tërësi të pandashme interesash strategjike, ku në secilin prej tyre ndërthuren faktorë të sigurisë së brendshme dhe të jashme. Tibeti ka një rol qëndror në perceptimin kinez të marrëdhënies strategjike me Indinë, që i ka dhënë azil Dalai Lamave për më shumë se 50 vjet. Ksiniangu përfaqëson portën hyrëse në një botë myslimane që Kina e percepton si gjithnjë e më armiqësore dhe që në rajon kapet pas një separatizmi autokton. Pavarësisht zgjidhjes së problemit kufitar me Rusinë në vitin 1989, Mongolia e Brendshme mbetet një burim ankthi strategjik për të dyja vendet, pavarësisht disekuilibrit demografik (në favor të Kinës) dhe frikërave ruse rreth një mohimi të marraveshjes së kufirit nga ana e Pekinit. I parë për një kohë të gjatë si një lloj aeroplanmbajtëseje e madhe amerikane në Paqësor, Tajvani përfaqëson në optikën strategjike të Pekinit një pengesë të fuqishme ndaj dëshirës për të forcuar kontrollin, domethënë të sigurisë, e kufirit të tij detar, pse jo edhe një pengesë ndaj ribashkimit kombëtar. Nga këtu edhe irritimi ekstrem kinez për miratimin e kohëve të fundit të Taiwan Travel Act, ligjit me të cilin Kongresi amerikan ka autorizuar rivendosjen e raporteve zyrtare midis të gjitha niveleve të administratës amerikane dhe homologëve tajvanezë.

Një ekonomi e fortë, e mbështetshme dhe pengesat për ta realizuar
Rrethi i tretë është ekonomia kineze dhe elementi strategjik i saj: mjedisi. Në terma politikë, pjesa e parë e reformave ekonomike kineze është karakterizuar nga lulëzimi i bizneseve të vogla, shpesh me përbërje familjare; nga prodhime me intensitet të lartë të krahut të punës (i keqpaguar) të destinuara për eksport; nga investime të mëdha publike në infrastruktura, përfshi rrjete komunikacioni, internet të shpejtë, rrugë, hekurudha, porte, centrale dhe rrjete elektrike. Në fillimet e 2013, Xi ka miratuar direktivat për fazën e dytë e programit të reformës ekonomike të vendit, tiparet dalluese të së cilës janë: zëvendësimi i eksporteve me konsumet e brendshme si motori parësor i rriejte ssë ardhshme; zhvillimi intensiv i sektorit privat karshi industrive shtetërore; kalimi i Perëndimit në sektorët e rinj teknologjikë me rëndësi strategjike, midis të cilave bioteknologjitë, teknologjitë e informimit dhe inteligjenca artificiale. E gjitha në një kornizë mbështetshmërie mjedisore, sidomos për sa i përket ndotjes atmosferike dhe ndryshimit klimaterik. 5 vjet nga botimi i linjave drejtuese, regjistrohen përparime minimale në frontin e investimeve, të tregtisë, të financës, të reformimit të kompanive shtetërore dhe pronësisë së tokës; njëkohësisht, Kina duket se po humb terren në fushën e politikës fiskale, të konkurrencës dhe të reformave të punës. E panjohura për ekonominë është nëse Xi, pasi e ka konsoliduar më tej pushtetin e tij, është i gatshëm apo jo ta shpenzojë kapitalin e nevojshëm politik për kryerjen e reformave të tilla, thelbësore, por jashtëzakonisht delikate. Të cilave u kundërvihen interesa të fuqishme të krijuara. Ka edhe sinjale të tjera preokupuese. Sot roli i sekretarëve të partisë nëpër kompani duket i rritur dhe diskutohet nëse shteti duhet të blejë apo jo kuota të kompanive private më të suksesshme. Në vazdhën e fushatës kundër korrupsionit, kompani të ndryshme të mëdha private të vendit duken politikisht në bela: kohët e fundit Pekini ka shtetëzuar konglomeratin e sigurimit Anbang, duke ia marrë përkohësisht kontrollin pasi presidenti i tij është akuzuar, arrestuar dhe dënuar me burg. Ajo që i shërben si kornizë është mungesa e vjetër e gjykatave tregtare dhe e mekanizmave të arbitrazhit vërtet të pavarura.
Në fakt, Kina ka bërë përparime të prekshme në politikën e novatorizimit – ku vëllime të mëdha aktiviteti në kërkim e zhvillim të financuara nga shteti kanë filluar të japin rezultate – dhe në fushën mjedisore, përfshi një përmirësim të konsiderueshëm të cilësisë së ajrit në qytete të ndryshme të mëdha. Bëhet fjalë për një rezultat jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi në 35 vitet e fundit tragjedia e zhvillimit të shpejtë kinez ka qenë shkatërrimi i plotë i ekosistemit. Mjedisi nuk është vetëm një preokupim i popullit kinez: sasitë e gazit serë të emetuara në atmosferë nga Kina janë me rëndësi themelore për të ardhmen e sigurisë klimaterike botërore. Në kontekstin e vizionit global kinez, si aktual, ashtu edhe emergjent, një ekonomi e fortë dhe një mjedis i shëndetshëm përbëjnë dy faktorë njëlloj të rëndësishëm për legjitimitetin e partisë.

Rritja e influencës rajonale
Rrethi i katërt kalon sferën e brendshme dhe përqafon atë që Pekini e konsideron si sferën e tij të influencës. Po flasim për 14 shtetet kufitare me Kinën. Historikisht, vende të tilla kanë qenë ndërmjetësi i kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare kineze, të konkretizuara në pushtime të përsëritura të huaja. Nëpërmjet diplomacisë politike dhe ekonomike, Pekini synon kështu që të ndërtojë marrëdhënie bilaterale pozitive, akomoduese dhe, për sa të jetë e mundur, fitimpruëse me secilin prej këtyre fqinjëve. Veç kësaj, Kina ndjek një strategji më të gjerë influence në periferinë e saj kontinentale, në të gjithë harkun që fillon nga Azia Verilindore në atë Jugperëndimore. Ia shohim pasqyrimet edhe në konsensuset me të cilat Shanghai Cooperation Organization (SCO) apo në projekte më ambicioze infrastrukturore, sidomos Belt and Road Initiative (BRI). Imperativi strategjik që qëndron nën secilin prej këtyre projekteve është i qartë: të konsolidojë marrëdhëniet e Kinës me shtetet kufitare. Gjë që do të thotë në thelb të rrisë influencën e saj strategjike në kontinentin euraziatik, duke përfshirë pikërisht fqinjin e jashtëm.
Rrethi i pestë i interesave strategjike kineze prek periferinë detare, të cilën Xi dhe drejtuesit e lartë e konsiderojnë një aspekt jashtëzakonisht të vështirë. Kina i shikon të kërcënuara rivendikimet e saj territoriale në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore, të cilave u bën referim konstant në terma të interesave themelore kombëtare, njëlloj si me Tajvanin. Pekini e percepton rajonin si strategjikisht armiqësor, me një zinxhir vendesh – Koreja e Jugut, Japonia, Tajvani dhe Filipinet – afër me Shtetet e Bashkuara, për të mos folur për dispozitivin e mrekullueshëm luftarak amerikan (njerëz dhe mjete) të dislokuar në rajon në Komandën e Paqësorit. Strategjia detare kineze synon që tíi prishë këto aleanca, të konsideruara si mbeturina të Luftës së Ftohtë, dhe në privilegjimin e zhvillimit të Marinës dhe Aviacionit respektivisht ushtrisë tokësore. Në Xi, ndryshimi i organizimit, i doktrinës dhe i strukturës së forcave të armatosura kineze ka qenë i thellë. Kapacitetet detare dhe ajrore të vendit shtrihen shtrihen tani mbi ishujt e kontestuara e Detit të Kinës Jugore dhe Pekini ka zhvilluar me shpejtësi në territorin e tyre një arsenal raketor në rrezen e të cilit përfshihen Tajvani dhe manovrat detare amerikane në Paqësorin Perëndimor. Në kompleks, strategjia politiko – ushtarake e Kinës është e qartë: të ngjallë në administratat e ardhshme amerikane një dyshim të bazuar mbi aftësinë për të fituar një konflikt të armatosur me forcat kineze brenda zinxhirit të parë të ishujve. Kjo nënkupton të minojë bindjen e Amerikës se mund ta mbrojë me efikasitet Tajvanin. Aspekti më soft i strategjisë kineze në Azinë Lindore dhe në Paqësorin Perëndimor është penetrimi ekonomik nëpërmjet tregëtisë, investimeve, flukseve të kapitalit dhe ndihmës për zhvillimin. Në perceptim dhe në realitet, Kina është tashmë partneri ekonomik më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara sesa për të gjitha vendet e Lindjes së Largme.

Si Pekini shikon botën, drejt një rendi të ri
Dy rrathët e fundit kanë të bëjnë me mënyrën sesi Kina sheh të ardhmen e saj në nivel global. Në rrethin e gjashtë, prioriteti i Pekinit është raporti me vendet emergjente, origjina historike e të cilit i përket Luftës së Ftohtë dhe, më saktësisht, rolit të Maos dhe Kryeministrit Çu En Lai në lëvizjen e Vendeve të Paangazhuara. Sot Pekini është jashtëzakonisht aktiv në Afrikë, por edhe në vende si Bangladeshi, Pakistani dhe Sri Lanka. Në Afrikë, Kina ka ndërtuar infrastruktura të shumta, ndërsa në Azi dhe Amerikë Latine ka kryer investime të mëdha dhe vendosur raporte të qëndrueshme tregëtare. Në shumë raste, prania masive kineze gjeneron kundërshti dhe rezistenca në terren, por aspekti i dallueshëm i strategjisë kineze është këmbënngulja dhe aftësia e përshtatjes në kohë. Analistët perëndimorë kanë studiuar në terren shumë projekte kineze investimesh në botën në rrugën e zhvillimit. Disa kanë pasur rezultate zhgënjyese, si në Zambia, ku sjellja e kompanive të caktuara kineze ka provokuar reagime të forta politike në nivel kombëtar, të përfunduara me një ndryshim qeverie. Kurse të tjerë janë përmirësuar me kalimin e kohës, si në Etiopi, ku kompanitë kineze kanë krijuar punësuar, rritur rrogat dhe investuar në komunitetet lokale. Gjëja që impresionon është numri i historive pozitive në ekonomitë në rrugën e zhvillimit. Kështu, kur Kina kërkon zëra kombëtarë në mbështetje të interesave të saj, në brendësi të Kombeve të Bashkuara apo në vendet e multilateralizmit global, aftësia e saj për të siguruar mbështetje politike dhe diplomatike rezulton e monsiderueshme.
Rrethi i shtatë dhe i fundit ka të bëjë me të ardhmen e rendit botëror. Rendi në fuqi – i ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore – mbështetet mbi dy shtylla. Nga njëra anë, një seri institucionesh ndërkombëtare thelbësisht liberale, midis të cilave OKB-ja, sistemi i Bretton Woods, GATT-i (më pas WTO) dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948. Nga ana tjetër, posedimi i një forcë të konsiderueshme politike, ekonomike dhe ushtarake, si edhe prirja për të përdorur në mbrojtje të rendit në fjalë. Në kohë, Amerika ka synuar që ta mbrojë sistemin nëpërmjet rrjetit të saj të aleancave, nga NATO-ja në Europë tek traktatet bilaterale të sigurisë në Azinë Lindore. Deri më sot. Uashingtoni ka mbetur superfuqia dominuese; ama tani ndodhet në një fazë ndryshimi të thellë. Themelet e rendit liberal janë faktikisht nën sulm, nga jashtë dhe nga brenda. Shumë qytetarë perëndimorë janë zhgënjyer nga demokracia që i qeveris dhe akoma më shumë nga sistemi aktual multilateral; ndërkaq, Kina e shpalos me krenari “kapitalizmin autoritar” të saj si alternativë të vlefshme ndaj modelit amerikan. Veç kësaj, Pekini është afër kalimit të Shteteve të Bashkuara si ekonomia e parë e botës dhe shpejt do të jetë në gjendje ta sfidojë primatin ushtarak rajonal (jo global) amerikan. Pastaj, Kina po krijon rrjetin e saj të institucioneve multilaterale, si Banka Aziatike e Investimit për Infrastrukturat (AIIB), dhe vazhdon që ta zgjerojë influencën e saj strategjiko – ekonomike në Azi dhe në Europë. Vetë Xi e ka thënë qartë se në të ardhmen Kina nuk synon të kufizohet në ruajtjen e rendit ndërkombëtar liberal me drejtim amerikan.

Pekini e ka theksuar shumë herë se rendi aktual është krijuar nga fuqi perëndimore dhe në masë të madhe koloniale, pothuajse të gjitha të dala fitimtare nga konflikti i dytë botëror. Megjithatë, deri më tani nuk i ka specifikuar se çfarë ndryshimesh synon që të ndjekë: do të jenë në çdo rast modifikime të prirura që ta bëjnë sistemin ndërkombëtar më të përputhshëm ndaj interesave dhe vlerave të tij. Për shembull, kjo do të pasqyrohet në disiplinën e të drejtave të njeriut, që mbështetet mbi 3 traktate ndërkombëtare dhe mbi Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (me seli në Gjenevë) të frymëzuar nga parimet e demokracisë liberale.
Implikime të konsiderueshme ndërkombëtare do të ketë edhe në aspektin ekonomik, përfshi këtu edhe Organizatën Botërore të Tregëtisë, sidomos nëqoftëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin të dilnin nga kjo organizatë në tentativën që t’i zgjidhnin unilateralisht konfliktet tregëtare me Kinën. Për sa i përket sigurisë globale, sot situata është më shumë se kurrë fluide dhe e paqartë, për arësye të lidhura në një masë të mirë me dinamikat politike të brendshme të Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara. Do të donin këto të fundit të ishin polici global i instancës së fundit? Po Pekini do të ketë interes që ta mbushë boshllëkun e lënë nga Uashingtoni? Tani për tani, sinjalet që vijnë nga qeveria kineze tregojnë për jo. Këto linja të mëdha drejtuese të politikës kineze po bëhen gjithnjë e më të dukshme nën Xi. Në shumë aspekte, janë pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se Kina ka nisur të realizojë aspiratën e vet shekullore për pasuri dhe pushtet; aspiratë që i ka rrënjët e saj në muzgun e Dinastisë Cing. Atëhere, prioriteti ishte të mbetej e bashkuar dhe sovrane përpara pushtimeve dhe ndërhyrjeve të përsëritura të huaja. Ai objektiv tashmë është arritur; megjithatë, ajo që mungon në traditën e gjatë historike të vendit është një model nga ku të frymëzohet për ta përdorur këtë pasuri dhe fuqi të rinovuar në drejtimin e çështjeve botërore. Në këtë profil, vizioni i Xi gjithsesi është për t’u sqaruar. Sapo kemi hyrë në fazën e tretë të raportit midis Kinës pas1949 dhe botës: pas revolucionit politiko – kombëtar të Mao Ce Dunit dhe modernizimit ekonomik të Ten Hsiao Pinit, Xi po plazmon sot në botë vizionin e tij për Kinën. Sipas të gjitha gjasave, Republika Popullore Kineze nuk ka ndërmend të mbesë një fuqi konservatore.
(Ish Ministër i Jashtëm dhe Kryeministër i Australisë, Kevin Rudd është President i Asia Society Policy Institute)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakIsh-ministri: ”Ky është i vetmi pacient që nuk i themi dot “të shkuara”!
Artikulli tjetërIntervistë me Boualem Sansal për romanin “2084 – Fundi i botës