Një javë pas grabitjes milionere më në fund “Raiffeisen Bank” e ka pranuar edhe zyrtarisht se paratë e marra ishin të saj dhe po dërgoheshin në Vjenë, atje ku edhe ka selinë qendrore kjo bankë. Banka e nivelit të dytë në Shqipëri, ka reaguar në profilin e saj në Facebook, duke shpjeguar se beson në punën e Policisë dhe Prokurorisë që do të zbardhin këtë ngjarje.
“Përsa i përket ngjarjes së Rinasit, organet kompetente, Policia dhe Prokuroria po hetojnë çështjen dhe ne kemi besim në aftesinë dhe profesionalizmin e tyre në ushtrimin e detyrës.
“Raiffesien Bank” në Shqipëri mbetet e angazhuar në shërbimin ndaj klientëve. Klientët tanë janë prioriteti ynë dhe ne synojmë të ofrojmë gjithmonë produktet dhe shërbimet më të mira në treg”, thuhet në reagimin e bankës.
Ndërkaq banka ka sqaruar edhe komisionet e reja që do të vendosen, duke nisur nga muaji tetor.
Ndërkohë, tetë ditë pas grabitjes së ndodhur në Rinas, Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar është mbledhur për të diskutuar për masat që duhet të ndërmerren për të rritur elementët e sigurisë në Rinas.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil, drejtori i TIA-s, Castro Vasquez, përfaqësues të doganave, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ai i Kufirit, zv/ministri i Transporteve, Bahri Shaqiri, përfaqësues të Albkontroll, Emergjencave Civile dhe SHISH.
Analizimi i ngjarjes së 30 qershorit dhe masat shtesë të sigurisë në koordinim mes institucioneve ligjzbatuese për t’iu përgjigjur dhe sfidave në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kanë qenë tematika e mbledhjes, e cila zgjati dy orë. Pas mbledhjes drejtori i TIA-s, Castro Vasquez, pranoi se janë marrë masa shtesë, por duke u rezervuar të japë detaje.