Nis gjyqi ndaj Tahirit, prokurorët sjellin në gjykatë 53 dosje me prova

Ka nisur mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seanca e parë e një prej gjyqeve më të bujshëm dhe të shumëpritur nga opinioni publik. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i shoqëruar nga avokati i tij Maksim Haxhia është paraqitur edhe vetë personalisht në këtë gjyq. Nga ana tjetër ajo që ka rënë në sy në korridoret e Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë qenë provat e shumta të organit të akuzës, të cilat janë transportuar me karrocë dore. Bëhet fjalë për plot 53 fashikuj që përmbajnë mijëra dokumente dhe përgjime.
Në paraqitjen e fundit në Gjykatë pasi seanca dështoi, avokati Maksim Haxhia, në një prononcim për mediat la të hapur mundësinë për të kërkuar gjykim e shkurtuar për ish-ministrin. Shqyrtimi i hetimeve të Prokurorisë do të bëhet sot, pasi seancën e shkuar nuk ishin njoftuar 3 të hetuarit e tjerë, ish-policët Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, që ndodhen në arrati prej më shumë se një viti.

Artikulli paraprakPas çdo dhimbje dhëmbi fshihet një problem shëndetësor
Artikulli tjetërStudenti tregon dhunën në komisariat: Bashkë me shokun tim na mbajtën në birucë me fraktura dhe hemoragji