Policia lejoi makinën e grabitësve në Aeroport

Dalin në dritë të tjera detaje për lëvizjen e autorëve të grabitjes të më shumë se 10 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit. Dje u publikua një tjetër video tjetër, ku tregohen lëvizjet e grabitësve. Pamjet janë regjistruar nga kamerat vëzhguese të një biznesi në rrugën nacionale Rinas-Fushë-Prezë, afërsisht 3 km në veriperëndim të aeroportit. Ato tashmë janë administruar nga Prokuroria, nëpërmjet të cilave hetuesit po ndërtojnë një skemë të lëvizjes së autorëve pas grabitjes në Rinas.
Nga pamjet duket qartë se, mjeti i përdorur nga grabitësit vjen nga një rrugë e fshatit Fushë-Prezë dhe futet në rrugën e Rinasit. Shpejtësia e mjetit duket se është relativisht e lartë për kategorinë e rrugës ku ai është duke lëvizur.
Edhe futja e tij në rrugën drejt Rinasit, bëhet në mënyrë të shpejtë. Pak minuta, pasi vetura doli nga kjo rrugë, ndodhi grabitja në Aeroportin e Rinasit, ku u morën më shumë se 10 milionë euro. Makina është parë edhe nga punonjësit e policisë që kanë qenë në rrugën nacionale, por edhe nga ata që ishin në hyrje të aeroportit dhe rreth tij. Ditën e ngjarjes, policët ishin të shumtë në numur për shkak të masave të shtuara të sigurisë në Aeroport pas sulmit terrorist në aeroportin e Stambollit. Policët nuk kanë bërë asnjë reagim, as dhe nuk kanë njoftuar për makinën e dyshimtë që lëvizte me shpejtësi drejt Aeroportit dhe po ashtu u fut me shpejtësi në Aeroport.
Pasi është kryer grabitja brenda aeroportit, vetura e autorëve futet sërish në rrugën në të cilën kishte dalë 10 minuta më parë. Vetura ka marrë në të majtë, në drejtim të fshatit Fushë-Prezë, në një rrugë të shtruar me asfalt.
Pasi ka ecur rreth 600 metra, mjeti është futur sërish majtas në një rrugë me çakull, ku edhe është djegur. Në këtë kohë, aty ka qenë duke pritur një furgon “Mercedez-Benz”, që është përdorur në fazën e dytë të grabitjes.
Me të personat janë larguar, duke ndjekur një rrugë në drejtim të fshatit Fushë-Prezë për të dalë në fshatin Gjeç-Fushë në drejtim të fshatit Bërxull. Grabitësit dyshohet se kanë përdorur kryqëzimin e rrugës së Rinasit me atë Bërxull-Laknas.
Pikërisht në këtë zonë nuk ka më informacion se çfarë drejtimi ka mbajtur automjeti. Hetuesit dyshojnë se itinerari i përdorur nga grabitësit ka qenë përafërsisht i njëjtë dhe i paracaktuar.
Lëvizja me shpejtësi e makinës së grabitësve drejt Aeroportit të Rinasit është dëshmuar edhe nga persona të ndryshëm që kanë qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes. Në atë ngjarje, sipas deklarimeve të dëshmitarëve, autorët ishin pesë persona, të përshkruar si me trup mesatar, të mbushur, me konstrukt të rregullt trupor, me gjatësi rreth 175-180 cm, me veshje si të policisë, në dukje ngjyrë blu, me xhepa anash, me jelekë dhe me kambale në këmbë, me maskë në fytyrë si të Forcave Speciale, me syze në sy. “Pozicionet e tyre ishin të ndara, pasi disa qëndruan tek blindi dhe dy te makina ku ndodhej personeli i shoqërimit. Të gjithë autorët mbanin me vete armë kallashnikovë. Përveç kësaj, personat që kanë bllokuar punonjësit e autoveturës së shoqërimit mbanin edhe armë pistoletë në brezat e tyre”, thuhet nga dëshmitarët. Tre personat e armatosur dhe të maskuar arritën që të merrnin shumën e parave në aeroport me lehtësi, pasi nuk pati rezistencë nga rojet private të sigurisë dhe as nga policia. Rojet private ishin të paarmatosur për shkak se nuk lejohet prania e armëve në pistë.

R.POLISI

Artikulli paraprakBritania rrëzon Ramën për Beketin: Sulm hakmarrës
Artikulli tjetërPolicia, atentat të riut për t’i faturuar grabitjen