Saimir Tahiri dhe avokati i tij e kishin parashikuar që gjykata mund të pranonte kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda që ai të gjykohej për veprat e rënda penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale për trafik narkotikësh” dhe “korrupsion”.
Ndaj ata, para se gjykata të vendoste nëse çështja do të kalonte në gjykim apo do të pushohej, paralajmëruan se “do të kërkojnë gjykim të shkurtuar”.
Nëse gjykata do të pranojë kërkesën për “gjykim të shkurtuar”, atëherë Tahiri do të shmangë përballjen në seancë me dëshmitarët, një nga elementët më thelbësorë te hetimit ndaj tij. Gjithashtu, Tahiri synon të shmangë përballjen e provave të Prokurorisë para publikut, medias e qytetarëve. Në seancat e hapura gjyqësore, qytetarët marrin informacionin e nevojshëm, dëgjojnë palët me provat e kundër-provat e tyre dhe krijojnë bindjen mbi fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.
Natyrisht, qytetarët dhe media nuk japin vendime penale. Por opinioni i tyre minimizon mundësitë e Gjykatës për të dhënë një vendim, të cilin e bazon jo mbi provat, por mbi ndërhyrje të jashtme, përfshirë edhe Vetingun.
Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar të drejtën e të akuzuarit për të kërkuar gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë nuk do të thotë domosdoshmërisht se i akuzuari pranon fajësinë. Kur gjykata pranon e këtë kërkesë, atëherë i pandehuri përfiton uljen me një të tretën e dënimit, në rast se ai shpallet fajtor.
Në rastet e “gjykimit të shkurtuar”, palët, pra prokuroria dhe i akuzuari/mbrojtja, paraqesin qëndrimet e tyre me shkrim dhe provat nuk i nënshtrohen procesit rutinor gjyqësor. Pra, asnjë nga palët nuk debaton në seancë për provat, argumentat dhe kundër-argumentat e saj.
Por atëherë, përse i intereson Saimir Tahirit “gjykimi i shkurtuar”, kur ai vetë shprehet se “tani ka ardhur koha që të flasë ai”? Vendi më i përshtatshëm që ai të flasë në mbrojtje të vetes, është pikërisht salla e gjyqit. Por Tahiri dhe mbrojtësit e tij këmbëngulin që procesi ndaj tij të zhvillohet me “gjykim të shkurtuar”, duke i hequr vetes në këtë mënyrë prezantimin e kundër-argumentave ndaj akuzave të Prokurorisë.
Në një proces të hapur gjyqësor, palët paraqesin në mënyrë të plotë provat e tyre, në prani edhe të personave të tretë të interesuar. Në bazë të shqyrtimit të zgjeruar gjyqësor, trupa gjykuese krijon bindjen e saj të plotë, duke analizuar faktet dhe duke dëgjuar argumentat e secilës palë. Në përfundim, gjykata jep vendimin e saj në bazë të bindjes së saj, mbështetur në prova.
Pra, pikërisht krijimin e bindjes tek gjykata nëpërmjet shqyrtimit të plotë synon të shmangë Saimir Tahiri dhe mbrojtja e tij.Tahiri, i cili premton shpesh në publik se ‘do të flasë”, në fakt po bën gjithçka të mundet që “të mos flasë”, por argumentat e tij t’i rendisë vetëm me shkrim.
Larg syve të publikut dhe me një gjykatë nën frikën e Vetingut të kontrolluar nga (ish) kolegët e tij të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri mendon të mbyllë hesapet me drejtësinë në favor të tij.
Boldnews.al