Hysaj, 1 milion euro te Napoli

Elseid Hysaj është fare pranë rinovimit të kontratës te Napoli. Megjithë interesin e shfaqur nga disa prej skuadrave më prestigjoze të Europës, mbrojtësi shqiptar duket se ka zgjedhur të qëndrojë në San Paolo dhe të vazhdojë rritjen si lojtar në klubin e Serisë A.
Së shpejti presidenti Aurelio De Laurentiis dhe menaxherit e 22-vjeçarit do të takohen për të rishikuar kushtet e kontratës së lojtarit. Marrëveshja aktuale e Hysajt përfundon në vitin 2020 dhe duket se aspakti i vetëm për të cilin do të diskutohet është ai financiar. Aktualisht kuqeziu përfiton 500 mijë euro neto pagë vjetore në sezon, shifër që e bën lojtarin më pak të paguar mes titullarëve të pazëvendësueshëm të Napolit.
Kjo është arsyeja përse në takimin me drejtuesit e klubit, përfaqësuesi i lojtarit do të kërkojë të paktën dyfishimin e rrogës. Një milion euro në sezon për një lojtar të formacionit, që ka tërhequr vëmendjen e klubeve si Barcelona, Atletico Madrid, Bayern Munchen apo edhe Arsenal e Chelsea, duket një shifër e arsyeshme. Në diskutimet për rishikimin e kushteve financiare të kontratës së Hysajt, nuk përjashtohet edhe zgjatja e marrëveshjes me Napolin deri në vitin 2021.
Ndërkohë Rey Manaj vesh fanellën e Pescaras. Sulmuesi i lindur në Lushnjë do të mbajë mbi shpatulla peshën e sulmit të skuadrës abruceze pas largimit të Lapadullas. 19-vjeçari i Interit është transferuar në “Adriatico” i huazuar nga zikaltërit, të cilët vendosën ta mbajnë kartonin për të mos e humbur lojtarin që konsiderohet edhe si një nga talentet e së ardhmes. Lojtari shqiptar i kaloi me sukses testet mjekësore në klubin e ri dhe gjatë ditëve të ardhshme do të nisë stërvitjen me skuadrën e rikthyer në Serinë A. Klubi i Pescaras postoi fotot e testeve mjekësore rutinë.

Artikulli paraprakFernando Santos kërkon kulmin e karrierës
Artikulli tjetërGashi rrëfen Europianin unik të Shqipërisë