Berisha rikthehet në stërvitje tek Lacio

Lazio po kalon një moment kaotik. Pas refuzimit të Marcelo Bielsas dhe rikthimit të Simone Inzaghit, situata nuk është aspak e qetë në klubin italian. Nga zhvillimet e fundit, padyshim që preket edhe portieri kuqezi, Etrit Berisha. Me Bielsan në stol, gardiani shqiptar synonte që të bindte argjentinasin për aftësitë e tij, por rikthimi i Inzaghit i redukton ndjeshëm shanset që ai të gjejë një vend titullari te Lazio, pasi trajneri aktual edhe gjatë pjesës së fundit të sezonit të shkuar, tregoi se beson verbërisht te Marchetti. Në këtë mënyrë, Berisha i ka ndërprerë pushimet e merituara pas europianit, duke u rikthyer menjëherë në Formello për t’u stërvitur me skuadrën.
Portieri i lindur në Prishtinë ka kërkuar që të jetë i pranishëm në kompleksin malor në Auronzo di Cadore bashkë me skuadrën për të nisur sa më shpejt punën.
Bashkë me të do të jenë të pranishëm edhe Tomas Strakosha dhe Guerrieri, ndërsa Marchetti do të vazhdojë pushimet për t’u rikthyer në ditët e fundit të korrikut. Një vendim i papritur nga e ana e Berishës që nuk kërkon të humbasë kohë me përgatitjet për sezonin më vendimtar të tij te Lazio. Lamtumira nuk është opsioni më i mundshëm aktualisht dhe numri 1 kërkon një tjetër mundësi për të ndryshuar hierarkinë. Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për interesimin e trajnerit të Everton, Ronald Koeman, por situata mbetet e pandryshuar, pasi vendimin përfundimtar për largimin ose jo të Berishës do ta marrë Lazio. Kontrata aktuale e gardianit me bardhekaltërit skadon në datën 31 qershor të vitit të ardhshëm.

Artikulli paraprakGashi rrëfen Europianin unik të Shqipërisë
Artikulli tjetërDeshamps: Jemi gati!