Dykambistë janë sulmuar në të njëjtën orë në Tiranë dhe në qytetin e Korçës. Policia e Korçës njoftoi se në orën 9:00 është njoftuar se në lagjen nr 10, një person i maskuar, dyshohet se nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, ka marrë një sasi lekësh pranë një pike transferte parash.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, grabitësi me thikë ka vjedhur 2500 euro dhe 100 mijë lekë.
Sulmohet kambisti në Tiranë
Pronari i një pike këmbimi valutor në Tiranë është plagosur me thikë dhe goditur me levë sot nga dy grabitës, që e sulmuan për t’i marrë çantën me para. Ngjarja ka ndodhur në Rrugën e Barrikadave në Tiranë, kur 50-vjeçari po qarkullonte me motorr. Por, Policia është gjendur në vendin e ngjarjes me shpejtësi dhe ka arritur të arrestojë njerin prej agresorëve. Nuk dihet ende identiteti i tij.
Informacion paraprak i Policisë së Shtetit:
Rreth orës 9:12, në rrugën e “Barrikadave” shtetasi A. Sh., rreth 50 vjeç, pronar i një pike këmbimi valutor, ka qënë duke lëvizur me motorr, ndërkohë që është goditur me mjete të forta nga dy persona duke i marrë një sasi lekësh.
Reagimi në kohë i Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të njërit prej autorëve të dyshuar, ndërkohë që autori tjetër ka arritur të largohet. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po punohet për kapjen e tij.