Megaafera e OSHEE, 8.5 miliardë lekë tender për censusin e klientëve

Një megaaferë është denoncuar dje gjatë punimeve të Parlamentit, e cila ka të bëjë me një tender të fundit që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, do të organizojë për zhvillimin e censusit të klientëve. Tenderi në fjalë sipas deputetit të Partisë Demokratike, Helidon Bushati është 8 miliardë e 560 milionë lekë të vjetra. Sipas deputetit të opozitës, kjo është një vjedhje e hapur dhe pa asnjë bazë. Ai tha nga foltorja e Kuvendit se një shumë kaq e madhe jepet thjesht për të përcaktuar adresat e konsumatorëve. Tenderi u pranua edhe nga ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.
“Ky është lajmërimi i fundit për tenderin e fundit të shpallur nga Operatori i Sistemit Shpërndarës. Fondi limit, 8 miliardë e 560 milionë lekë të vjetra. Afati i zbatimit 6 muaj. Çfarë thotë tenderi? Verifikim dhe regjistrim në çdo banesë të banorëve që banojnë në të ose e kanë në pronësi, duke bërë njëkohësisht regjistrimin e tyre në adresën ku banojnë. Në përfundim të këtij procesi do të dihet më saktësisht se kush banon ku. E kuptoni, 8 miliardë e gjysmë lekë për të ditur se kush banon ku dhe çfarë lloj matësi ka konsumatori i energjisë? E kuptoni çfarë lloj vjedhjeje duan të bëjnë? Skema e tepërt jo vetëm korruptive, por edhe pa asnjë lloj sensi ekonomik. Kjo është një vjedhje e buxhetit të shtetit”.
Sipas super tenderit në fjalë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të nisë shumë shpejt regjistrimin e konsumatorëve derë më derë. Ky projekt do të jetë për nevojat e OSHEE për të detajuar konsumatorët në prag të liberalizimit të tregut dhe formalizimin e plotë të tyre në pagesën e energjisë elektrike. Burimi i financimit do të jetë nga të ardhurat e OSHEE sh.a dhe të buxhetit të shtetit. Agjencia e prokurimit njoftoi se në emër të OSHEE ofertat do të pranohen deri më 7 korrik të këtij viti. Kompanitë pjesëmarrëse do të dorëzojnë produktin (të dhënat për konsumatorët) pas gjashtë muajsh nga nënshkrimi i kontratës.
Sipas shpalljes për tender, identifikimi i konsumatorëve derë më derë do të bëhet për një rakordim me të dhënat që ka regjistri i gjendjes civile. OSHEE qysh prej vitit të kaluar ka përfshirë në një proces identifikimi të gjithë konsumatorët duke nisur fillimisht me bizneset. Është tashmë gati një regjistër me konsumatorët më të mëdhenj mbi 35 kilovolt dhe me fashat e tjera më poshtë këtij konsumi. Harta e re e konsumatorëve ka si qëllim kryesor reduktimin e humbjeve në rrjetin e energjisë elektrike për të arritur objektivat që janë dhënë në strategjinë që aplikohet në sektor. Kjo hartë pritet t’i shërbejë OSHEE për të racionalizuar edhe investimet në rrjet në të ardhmen.

Tenderi tjetër i OSHEE, 650 milionë USD për trajnime

Në prill, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) prokuroi kompaninë “The Headhunter” për të trajnuar rreth 5300 punonjës të saj. Kompania private “The Headhunter” ishte e vetmja që mori pjesë në këtë tender, ndërsa nga OSHEE nuk ka pasur njoftime të mëparshme për këtë prokurim. Kompania “The Headhunter” ofroi një çmim prej 660 milionë lekësh për realizimin e këtij trajnimi, afro 650 mijë dollarë. Ky është një tender i majmë për këtë kompani private nëse i referohesh bilancit të saj tregtar të deklaruar për vitin 2014, ku kompania të gjithë xhiron e saj vjetore rezultonte se e kishte rreth 56 milionë lekë, afro 550 mijë dollarë. OSHEE-ja i ka dhënë kompanisë private një tender që tejkalon xhiron e saj vjetore. “HashtagAL” kontaktoi OSHEE-në dhe e pyeti në lidhje me detajet e këtij trajnimi. Pyetjes së përse këto tendera trajnuese nuk i kryen drejtoria e autorizuar shtetërore e DAP-it, zyra e OSHEE-së iu përgjigj se: Shoqëria OSHEE sh.a. nuk është pjesë e administratës publike, por funksionon në bazë të ligjit për shoqëritë tregtare dhe si rrjedhojë këto trajnime nuk mund të kryhen nga Departamenti i Administratës Publike (DAP), sepse ky i fundit merret vetëm me zhvillimin e trajnimeve të asaj pjese të administratës publike në të cilin vepron dhe zbatohet ligji i Statusit të Nëpunësit Civil, pra ky i fundit nuk mbulon as personelin e administratës publike që marrëdhëniet e punës rregullohen nëpërmjet Kodit të Punës. Nga ana tjetër, OSHEE-ja tha se do të trajnohen të gjitha nivelet e punonjësve të saj, duke nisur që nga punonjësit e thjeshtë që bëjnë matjet nëpër shtëpi dhe biznese e duke përfunduar deri tek drejtorët dhe menaxherët e kompanisë. OSHEE-ja nuk ofroi ndonjë të dhënë apo specifikime teknike në lidhje me pritshmëritë që kishte nga ky trajnim që përfundon në gushtin e vitit 2016. Vetëm pasi trajnimi të ketë përfunduar, OSHEE-ja do të bëjë vlerësimin e ndikimit të tij në rritjen profesionale të punonjësve. Në objektivat e trajnimit OSHEE-ja renditi dhe terma të përgjithshme si “motivimin e punonjësve”, “rritjen e performancës”, “komunikimi i duhur me konsumatorët”, që janë kryesisht objektiva që i synojnë organizatat jo qeveritare (OJF) dhe duken disi të pazakonta për një korporatë si OSHEE-ja.

Tenderi tjetër i OSHEE-së, 240 milion për të pastruar zyrat

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vazhdon të shpenzojë pa asnjë kufi. Pasi ka paguar miliona lekë për imazhin, posterat apo reklamat, ka bërë një tjetër tender të çuditshëm, atë të pastrimit.
Boldnews.al ka siguruar dokumentet e këtij prokurimi, i cili është me objekt “shërbimi i pastrimit të zyrave të OSHEE sh.a”. Fondi limit është 24.118.408 lekë pa tvsh, ndërsa kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Tenderi do të bëhet me 1 gusht.
Sipas dokumenteve, shërbimi që kërkohet është pastrimi që do të kryhet në të gjitha pikat ku OSHEE ushtron aktivitetin e saj sipas listës. Mësohet se shërbimi do të ofrohet çdo ditë pune të javës nga ora 07:00 AM-09:00 AM. Megjithatë, pas bërjes së këtij tenderi lindin dyshime nëse OSHEE do të shkarkojë të gjitha pastrueset.
Shërbimi i pastrimit do të përfshijë pastrimin ditor të kateve dhe ballkoneve. Pastrimin ditor të dritareve nga brenda, pastrimi i sipërfaqeve të brendshme prej xhami një herë në muaj, pastrimi i sipërfaqeve të jashtme prej xhami dhe pastrimi profesional i moketeve një herë në muaj.
Pastrimi ditor dhe fshirja e pluhurave nga dyert dhe mobiljet, pastrimi ditor i kuzhinave dhe pajisjeve të tyre, pastrimi ditor i tualeteve, pastrimi ditor i të gjitha koshave të mbeturinave dhe kujdesi ditor për hedhjen e mbeturinave në vendet e caktuara nga pushteti vendor.
Sipas dokumenteve, ofruesi i shërbimit merr përsipër të sigurojë në të gjitha pikat ku do të ofrohet shërbimi I pastrimit:
Letër higjienike
Peshqirë letre
Sapun të lëngshëm
Qese plastike për plehrat
Të gjithë detergjentet e nevojshëm për ofrimin e shërbimit
Të gjithë aksesoret dhe pajisjet e nevojshme për ofrimin e shërbimit
Në çmimin e ofruar duhet të përfshihen shpenzimet për:
Kosto personeli
Taksa dhe tatime që burojnë nga aktiviteti apo shërbimi i ofruar
Detergjentet, aksesorët, pajisjet e pastrimit dhe transporti i tyre.

Artikulli paraprakLista e institucioneve që kanë krijuar miliona euro detyrime në 4 muajt e parë të 2016-ës
Artikulli tjetërDrejtori i Kufirit për grabitjen në Rinas: Policia ishte aty