Neymar beson se bashkëlojtari i tij te PSG, Kylian Mbappe, tashmë është një “fenomen” dhe do të mbetet një nga emrat më të mëdhenj në futbollin botëror. Talenti francez ka pasur një rritje të madhe që nga sezoni i tij i shpërthimit me Monaco (2016-2017), duke fituar dy herë titullin e Ligue 1 dhe Kupën e Botës.
Ai ka shënuar 31 gola dhe ka dhënë 15 asiste në të gjitha garat, në 35 ndeshje këtë sezon. Nga këto, 26 gola dhe 8 asiste janë regjistruar në 23 ndeshje të Ligue 1. Të dy, Neymar dhe Edinson Cavani, dy anëtarët e tjerë të “tridentit” të PSG, janë prekur nga lëndimet, çka ia ka shtuar përgjegjësinë Mbappe.
Neymar ishte plot lavdërime për bashkëlojtarin e tij, që mund të përmirësohet edhe më tej. “Për mua, Mbappe është një fenomen tashmë. Ai mund të ketë një karrierë të madhe dhe të bëhet më i mirë se është tani, – tha Neymar në një intervistë ekskluzive me DAZN. – Unë nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet një nga emrat më të mëdhenj në futbollin botëror. Kylian është një person i qetë, i lumtur, plot gëzim, gjithmonë i gatshëm për shaka”.
Të dy, Neymar dhe Mbappe, janë lidhur rregullisht me Real Madridin, një lëvizje që mund të kryhet për shumë para. Këto zëra janë përforcuar veçanërisht për Mbappe, pas riemërimit të francezit Zinedine Zidane si trajner i të bardhëve. Mbappe nuk e ka mbajtur sekret admirimin që ka për “Los Blancos”, por u bashkua me PSG nga Monaco, përpara sezonit 2017-2018.