Dy vëllezër, Astrit dhe Brahim Bilali, u vranë të shtunën nga persona ende te panjohur fare pranë banesës së tyre në lagjen Kiras, në periferi të qytetit të Shkodrës.
Policia mendon se ato janë vazhdim i disa vrasjeve të ndodhura vitin e kaluar, të cilat janë pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale që veprojnë prej vitesh në këtë qytet. Djali i Astrit Bilalit, është arrestuar një vit më parë, i dyshuar si pjesëtar i grupit kriminal ” Bajri”.
Vrasja e dy vellezërve Bilali e çon në shtatë numrin e personave të vrarë në Shkodër që nga fillimi i vitit të kaluar. Asnjëra prej këtyre vrasjeve nuk është zbardhur nga policia. Brahim Bilali, ishte drejtuesi i shoqatës antikomuniste “2 Prilli”.
Pas ngjarjes, në Shkodër kanë shkuar Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun, të cilët po ndjekin nga afër operacionin e forcave të policisë për zbulimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së vëllezërve Bilali.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila deklaroi se Shkodra është lënë qëllimisht në mëshirën e larjes së hesapeve të krimit.