Akuzat e opozitës se krimi i organizuar po pastron para përmes sektorit të ndërtimit janë konfirmuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në raportin për Kontrollin e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, që i është paraqitur Kongresit amerikan, DASH e ka klasifikuar Shqipërinë për të tretin vit radhazi, si vend kryesor të pastrimit të parave në botë, duke listuar dhe sektorët se ku mafia pastron të ardhurat që burojnë nga krimi.
“Ndërtimi, projektet e zhvillimit të biznesit dhe lojrat e fatiti janë metodat më prevalente për pastrimin e parave të krimit në Shqipëri,” thuhet në raportin e DASH, të publikuar një ditë më parë. Sipas raportit, në vitin 2018 Shqipëria miratoi një ligj që ndalon lojrat e fatit, i cili pritet të kufizojë disi aftësinë e krimit për të pastruar paratë.
Megjithatë dy sektorët e tjerë të ekonomisë, ai i ndërtimit dhe investimet në biznes mbetet sërish fusha ku pastrohen qindra milionë euro në vit, të cilat vijnë nga trafiqet dhe korrupsioni.
Kredia bie, ndërtimi rritet
Vetëm vitin e kaluar, në Shqipëri u dhanë lejë ndërtimi me vlerë 470 milionë euro, pjesa dërrmuese e të cilave do të ndërtohen në Tiranë. Sektori i ndërtimit po përjeton ndoshta ditët më të vrullshme të tij sic konfirmohet nga rritja me disafish e lejeve të ndërtimit së dyti projektet ambicioze të bëra publike nga vetë ndërtuesit që kanë kthyer vendin në një kantier në shumë zona.
E vetmja që duket se nuk po konfirmon këtë trend të ndërtimit është Banka e Shqipërisë, më saktë tendenca e kreditimit. Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet dhe kredia për këtë sektor në Tiranë po shkojnë në drejtime të kundërta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se teksa ndërtimi zgjerohet vrullshëm, kredia për këtë sektor është më rënie.
Ky paradoks ekspozon edhe më qartë dyshimet se sektori i ndërtimit po financohet me para jashtë rrugëve formale, të cilat burojnë nga aktivitetet e paligjshme, veçanërisht trafiku i drogës, por edhe korrupsioni. Një dyshim që tashmë konfirmohet edhe nga Departamenti i Shtetit.