Zbulohet korrupsioni i Postës Shqiptare me tenderat 1 milionë dollarë, kush është politikani i madh…

Disa tendera, me vlerë totale rreth 1 milion dollarë, të zhvilluar nga Posta Shqiptare për blerje pajisjesh teknologjike, e të fituara nga e njëjta kompani, “Sinteza &Co” krijojnë dyshime të forta për abuzime në procedurat e prukurimit publik. 1 1
“Boldnews.al” mori një denoncim, sipas të cilit kompania “Sinteza & Co” ka fituar tenderat, pasi “flet” në emër të një politikani shumë të lartë të Partisë Socialiste. Sipas këtij denoncimi, kjo kompani i mban kontaktet me zyrtarin e lartë, nëpërmjet kunatit të tij, i cili ështe me shtetësi të huaj.
“Boldnews.al” e ka emrin e politikanit dhe familjarit të tij, por ka vendosur të mos i publikojë, për faktin se nuk arriti të konfirmojë me prova të pakundërshtueshme dhe në burime alternative lidhjen e “Sinteza & Co” me këtë politikan shumë të lartë.
Gjithësesi, nisur nga denoncimi publik, “Boldnews.al” konsultoi të dhënat në Buletinin e Prokurimeve Publike për vitin 2018, në të cilin rezultuan se “Sinteza & Co” ka fituar të paktën 3 tendera në Posta Shqiptare.
Nga këto tre tendera, “Sinteza &Co” është shpallur fitues i një tenderi rreth 500 mijë dollarë edhe pse ka dhënë ofertën më të lartë, ndërsa në një tender tjetër, me thuajse të njëjtën vlerë, ka qenë konkurente e vetme.

Në 4 Korrik 2018, Posta Shqiptare e drejtuar nga zyrtari i lartë i Partisë Socialiste, Laert Duraj, shpall fituese kompaninë “Sinteza & Co” në tenderin për blerje pajisje IT (printera termik, kompjutera, printera, telefona VOIP). Vlera limit e tenderit ishte 47.5 milionë lekë të reja.
Në dokumentat e publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, rezulton se “Sinteza” ka dhënë ofertën më të lartë-41.8 milionë lekë.
Në këtë procedurë kanë marrë pjesë edhe disa kompani të tjera, të cilat kanë dhënë ofertë më të ulët, pra me shanset më të larta për të fituar.
Një prej kompanive pjesëmarrëse ishte e gatshme që të ofronte shërbimin e kërkuar nga Posta Shqiptare e Laert Duraj për një vlerë 34.5 milionë lekë. Një tjetër konkurent ishte i gatshëm për të ofruar shërbimin për shifrën e 37.2 milionë lekë.
Por “Posta Shqiptare” ka zgjedhur të bashkëpunojë me kompaninë që kërkonte më shumë para publike për të dhënë shërbimin e kërkuar.
Në bazë të të dhënave të Buletinit të Prokurimit Publik, dy kompanitë që kanë ofruar vlera më të ulta janë skualifikuar për shkak të disa “problematikave” minore, të cilat nuk lidheshin aspak me cilësinë e mallit që ofronin.
Posta Shqiptare skualifikoi njërën prej kompanive, për faktin se kompania ndërmjetëse që sillte mallra cilësorë nga një firmë e mirënjohur botërore, nuk kishte një çertifikatë sipas standarteve që kërkonte stafi i Laert Durajt.

Kompania ndërmjetëse ishte e pajisur me çertifikatë në Greqi, një vend i Bashkimit Europian. Por, “Posta Shqiptare” nuk e pranoi dhe vendosi skualifikimin e kompanisë tenderuese. Autoriteti Kontraktor, pra Posta, nuk kishte asnjë vërejtje për cilësinë e mallit, të cilin kjo kompani e ofronte me çmim favorizues. E, megjithatë, vendosi të mos nënshkruajë kontratë me këtë kompani, duke e skualifikuar.
Njëlloj edhe me kompaninë tjetër. “Posta Shqiptare” gjithashtu e skualifikoi, jo për cilësinë e mallit, të cilën po ashtu e ofronte me çmim më të ulët se “Sinteza”. “Kleçka” u gjet sërish tek teknikalitetet.
Vetëm një muaj më pas, në 24 Gusht 2018, “Sinteza & co” fiton një tjetër tender të fuqishëm te Laert Duraj. Gjithnjë sipas Buletinit të Prokurimeve Publike, “Sinteza” shpallet fituese e tenderit për “Blerje, ndërtimin dhe konfigurim i sistemit disaster site”. Vlera e tenderit ishte 500 mijë dollarë dhe “Sinteza” ishte e vetmja kompani pjesëmarrëse.
Është e çuditshme që kompani të tjera serioze, me aktivitet të zgjeruar në shërbimin e tenderuar, vendosën të mos marrin pjesë në këtë tender me vlerë të konsiderueshme. Burime nga “Posta Shqiptare” deklarojnë se mos-paraqitja e kompanive të tjera mund të lidhet me “eksperiencën e hidhur” të tenderit të kaluar.
Para këtyre dy rasteve, “Sinteza &co” ishte shpallur fituese edhe në një tender tjetër, të zhvilluar nga “Posta Shqiptare” në Qershor 2018, ku vlera ishte 1.8 milionë lekë të reja.
/Boldnews.al/

2 1

Artikulli paraprakBatërdi me legalizimet në bregdet, ja skandalet e Lames me fondet dhe tenderat
Artikulli tjetërDenoncimi tek Berisha: “Beso i Tajvanit na detyron t’i kthejmë rrogën mbrapsht”