Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) reagoi ashpër lidhur me situatën e rënduar të turizmit në Shqipëri, ku si probleme kryesore renditi: ndërprerjet e energjisë dhe shtrenjtimin e saj; kantieret e ndërtimit, plehrat, infrastrukturën e papërshtatshme dhe mungesën e incentivave që po e bëjnë vendin jokonkurrues në krahasim me rajonin. E gjithë kjo po bën që Shqipëria të mos përfitojë nga zhvendosja e kërkesës turistike, ndryshe nga vendet e rajonit që po unifikojnë politikat e po rrisin stimujt. Në një kohë kur tur-operatorët ndërkombëtarë konstatojnë një zhvendosje sizmike në kërkesën për pushime dhe prenotimet, ndryshim ky i diktuar nga klientela, e cila motivohet prej ndryshimeve aktuale ekonomike apo politike, vendet e rajonit (kryesisht Ballkani Perëndimor) po diskutojnë zhvillimin e përshtatjen e produktit turistik dhe bërjen sa më tërheqëse të vendeve/destinacioneve që përfaqësojnë në tregun ndërkombëtar të turizmit. Në një skenar të ri, i cili përmban sfida edhe mundësi të padiskutueshme, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia unifikojnë politikat dhe veçanërisht stimujt fiskalë për të tërhequr sa më shumë turistë nga Europa. Të tre këto vende subvencionojnë deri në 15 euro për çdo natë qëndrimi për çdo turist. Në veçanti, Maqedonia vë në dispozicion një fond prej 5 mln eurosh për të stimuluar fluturimet loë cost dhe qëndrimet në vend, Mali i Zi po ndërton resortin më luksoz në Mesdhe, Serbia investon në pasurimin e portofolit të eventeve, ndërkohë që Shqipëria fillon sezonin e vonuar me energji 48% më të shtrenjtë dhe shërbime rikonstruktuese të sistemit të shpërndarjes së energjisë në vijën bregdetare nga 15-30 korrik dhe 12 orë ndërprerje energjie në ditë. Sipas ATA-s, në këto tre vjet nuk u mbajt premtimi për stimuj të industrisë me një paketë dinjitoze fiskale sikundër fqinjët. Vetëm pak ditë më parë, ATA lëshoi alarmin për një sërë çështjesh që po pengojnë zhvillimin e turizmit. Industria e turizmit po përballet me probleme madhore. Rajoni po unifikon politikat fiskale për t’iu përgjigjur situatës fiskale në Mesdhe. Turqia me problemet e saj me turizmin, kanë krijuar një deficit të madh. Vetëm pak ditë më parë, Shoqata Ballkanike e Hoteleve dhe Restoranteve realizoi një konferencë të përbashkët për menaxhimin e produktit turistik në Igalo të Malit të Zi. Ballkani është në kushtet kur po unifikon politikat fiskale. Maqedonia, pak vite më parë, nisi një politikë stimuluese që subvenciononte ardhjen e çdo turisti të huaj me net-qëndrim 10-15 euro. Një politikë të ngjashme e nisi edhe Mali i Zi dhe po kështu edhe Serbia. Nga ana tjetër, Maqedonia ka akorduar 5 milionë euro për subvencionimin e kompanive ajrore me kosto të ulët në mënyrë që të nxitet shfrytëzimi i aeroporteve të këtij vendi. Përballë këtyre politikave, Shqipëria mbetet shumë hapa pas. Kësaj i shtohet edhe niveli i lartë i TVSH-së 20%, rritja e çmimit të energjisë me 48%, në një kohë kur rajoni ka një çmim mesatar 6 cent, ne zbatojmë një çmim rreth 10 euro. Rritja e çmimit të energjisë është konsideruar abuzive dhe për këtë ne i jemi drejtuar me letër edhe Entit Rregullator të Energjisë. Gjithashtu ka një rritje të taksës së pronës që përkthehet në rritje të kostove për shërbimin hotelier. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e qyteteve bregdetare e turistike janë kthyer në kantiere ndërtimi. Ne i vlerësojmë investimet që po bëhen, por kjo nuk është periudha e duhur. Të gjitha zonat e Ballkanit raportojnë se që nga data 1 maj është ndërprerë çdo lloj punimi në zonat turistike, me qëllim që të realizohen kontratat e lidhura nga tur-operatorët. Qeveria, nëse e konsideron si prioritet turizmin, duhet që të zbatojë të gjitha masat që ka artikuluar pak kohë më parë, në të kundërt është e kotë që të pretendojmë për zhvillim. Nuk mund të ecet më me mendimin që turizmi zhvillohet vetë, në një kohë kur ai kërkon incentiva. Rajoni po ecën me hapa shumë të shpejtë dhe Shqipëria mbetet gjithmonë pas, duke mos konkurruar dot. Maqedonia ka bërë shumë progres. Në një kohë kur ne kemi 30,000-35,000 shtretër, ajo ka sa dyfishi ynë dhe nuk gëzon burimet natyrore që ne kemi dhe mbi të gjitha dizavantazhohet nga mungesa e daljes në det. Qeveria e Maqedonisë nuk zbaton taksa për një periudhë 5-vjeçare për ata që investojnë në këtë sektor, ndërsa trajnon për 3 vjet falas personelin e hoteleve. Këto janë nisma që e nxisin industrinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Kriza dhe problemet e turizmit nga veriu në jug të vendit
Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) sqaron për krizën, problematikat dhe sfidat që has turizmi sot në të gjithë vendin.
-Gjatë kësaj periudhe, a ka pasur shtim të kapaciteteve akomoduese?
Rritja është tejet minimale. Turizmi është industri me risk. Turqia është shembulli i kësaj, ku cenimi i një marrëdhënieje ka shkaktuar tërmet në turizëm, por edhe në sektorët zinxhirë, si ai i bujqësisë. Turizmi në çdo hap kërkon një menaxhim të kujdesshëm të situatës. Është kthyer në një mënyrë jetese. Nga ana tjetër, kriza ekonomike ka shkurtuar distancat dhe qarkullohet me atë që njihet si turizmi i brendshëm (domestik). Europa është një nga destinacionet që tërheq një numër të lartë të turistëve.
-Cilat do të jenë destinacionet më problematike gjatë këtij sezoni?
Velipoja është një destinacion që do të vazhdojë të përballet me probleme. Rruga hyrëse nuk është përmirësuar. Vlora do të jetë një ‘tampon’ për gjithë lëvizjen e Jugut. Projekti i Lungomares nuk u arrit dot të përfundonte. Po kështu, ka rrugë të papërfunduara në Durrës. Rruga hyrëse në Qerret është tejet e ngushtë dhe kjo vështirëson qarkullimin dhe krijon trafik të lartë. Ne kemi zhvilluar takime me ministren e Zhvillimit Ekonomik, e cila u tregua e hapur për të bashkëpunuar edhe në kuadrin e incetivave fiskale. Pushteti vendor gjithashtu duhet të luajë rolin e tij. Menaxhimi i plazheve nuk po bëhet me sistemin e ri, po menaxhohen hapësira pa kontrata, pa standarde. Duhet thënë se me përgatitjen e ligjit për menaxhimin, situata mund të ndryshojë dhe shpresojmë që gjatë muajit korrik, ajo të përmirësohet. Pushteti vendor duhet të marrë përsipër detyrën e tij, Agjencia e Bregdetit do të bëjë monitorimin, ndërsa privati duhet të ofrojë cilësinë e kërkuar. Ndërsa vazhdojnë të mbarten problemet me furnizimin me energji elektrike, ujë të pijshëm dhe kjo kryesisht në zonën e Jugut. Do të vazhdojë të jetë shqetësues numri i pakët i shtretërve. Mungojnë njësitë që kanë kapacitete me mbi 100 shtretër. Në këto kushte do të duhet të konkurrojmë me një rajon që po rrit me një shpejtësi të lartë këto kapacitete. Mali i Zi është modeli më i mirë. Qeveria e këtij vendi e ka shpallur prioritet kryesor dhe çdo sektor tjetër është në funksion të tij. Aktualisht po ndërtohet një nga resortet më luksoze në Mesdhe, që pritet të vihet në funksionim së shpejti. Hotelet që gjenden në afërsi të Portit me Malit të Zi po dyfishojnë kapacitetet. Gjatë këtij viti janë vënë në funksionim rreth 10 hotele me mbi 300 shtretër. Pra, ka një zhvillim të madh që lidhet kryesisht me politikat fiskale që ndjek qeveria. Për Shqipërinë, kjo situatë është e mbartur ndër vite, por ka ardhur koha që për shumë çështje të gjenden zgjidhje. Të tilla janë problemet me pronën, me menaxhimin e burimeve lokale, mungesa e masterplaneve. Nga ana tjetër, nuk mund të ketë investitorë potencialë pa pasur një strategji të qartë. Megjithatë vlen të përmendet se kemi përmirësim të ndjeshëm të sinjalistikës rrugore, por kjo nuk mjafton. Hapja e kantiereve të ndërtimit në disa qytete i zbeh këto përmirësime.
-Cila do të jetë politika e çmimit për këtë sezon?
Nga kontaktet që ne kemi pasur kemi informacion që, çmimet nuk do të pësojnë ndryshime në krahasim me vitin e kaluar dhe ky është një sinjal që ne e kemi marrë nga 240 njësi, me të cilat ne komunikojmë periodikisht.
-A po gjendemi përballë një paradoksi ku nga njëra anë po promovohemi nga mediat e huaja dhe nga ana tjetër, kemi një sërë problemesh në terren? Turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, janë kryesisht të tërhequr nga aventura, kultura, nga sportet outdoor, që nuk sjellin shumë të ardhura. Ndërsa politika e rajonit është që të tërheqë sa më shumë net-qëndrime, sepse për këto bëhet gara.
Edhe ne duhet të synojmë që të tërheqim këtë kategori turistësh, ata që shpenzojnë. Një turist gjerman shpenzon mesatarisht 700-800 euro në pushimet e tij, ndërsa në Shqipëri vijnë pushues që mesataren e shpenzimeve e kanë 50-100 euro. Në zonat malore, çmimet janë të ulëta dhe kjo gjë i favorizon ata. Ne kënaqemi kur realizojmë 7-8 milionë net-qëndrime në një kohë kur vetëm Ulqini realizon 9-10 milionë të tilla. Kjo tregon sesa larg jemi ne në krahasim me rajonin. Për turizmin shqiptar, mënyra më e gabuar e investimit është ndërtimi i vilave apo njësive akomoduese të vogla që nuk ofrojnë zgjidhje. Ne duhet të mësojmë nga dështimet e të tjerëve, nga ajo që ndodhi në Spanjë apo në Egjipt. Orientimi duhet të jetë fokusi. Çdo zonë duhet të ketë orientimin e duhur në zhvillimin e produktit turistik. Deri më sot, janë hartuar tre strategji turistike dhe asnjëra nuk ka funksionuar. Deri në vitin 2012, duhet të ishin ndërtuar 250 hotele me kapacitet 100-200 shtretër, por ato thjesht kanë mbetur në letër. Investimet janë në shifra minimale dhe nuk arrijnë dot kërkesën aktuale, në një kohë që nuk mund të flitet për rritje të shifrave.
-Pak ditë më parë, ministri i Financave, pas mbylljes së radhës së Misionit të FMN-së, tha se konsultimet për rishikimin e TVSH-së në turizëm do të mbeten për një moment të dytë…
Koncepti është shumë i thjeshtë, turizmi është eksport, e si i tillë nuk duhet të taksohet. Nga ana tjetër, vendet e rajonit e kanë reduktuar nga 7-10%. Që këtu jemi në disavantazh sa u përket çmimeve. Barra e lartë fiskale zbeh dëshirën e investitorëve për të investuar në turizëm. Megjithatë, zgjidhjet alternative për të zbutur efektin e TVSH-së qëndrojnë. Turizmi kontribuon me rreth 1.5 milionë euro të ardhura vetëm nga TVSH-ja. Vetë FMN, gjatë diskutimeve që ka pasur edhe me ne, nuk është shprehur kundër formave alternative siç është subvencionimi nga shteti i një pjese të TVSH-së, që mund të jetë në masën 10%. Reduktimi i kësaj takse do të niste bizneset që operojnë në këtë fushë, që të formalizoheshin dhe automatikisht shteti do të rriste bazën e tatimpaguesve. Sipas studimeve, Shqipëria ka 45–60 ditë turizëm veror, në një kohë që shtetet e tjera punojnë me kontrata 180 ditëshe. Ekspertët e Universitetit të Harvardit që qeveria thirri për të asistuar, në fushën e turizmit për TVSH-në, ofruan dy zgjidhje: ulje ose subvencionim. Pra, zgjidhjet ekzistojnë, por duhet vetëm vullneti.