Anketa vjetore e Kostos së Jetesës nga Agjencia “Mercer”, për të 22-tën herë këtë vit, rendit nga më i shtrenjti te më i liri qytetet botërore, nga kostoja e shtëpive, transporti, ushqimi, kafeja dhe veshjet etj., (në total 200 artikuj dhe shërbime) dhe i adresohet kryesisht të huajve që punojnë e jetojnë në vende të ndryshme nga ai i origjinës
Jetesa në kryeqytetin shqiptar, një të huaji i kushton më shumë se në Maqedoni, Serbi e Bosnjë. Ndonëse Shqipëria renditet ndër 20 qytetet më të lira në botë, sërish ajo mbetet më e shtrenjta në rajon. Të dhënat jepen në Indeksin e Kostos së Jetesës 2016, publikuar së fundmi nga “Mercer”. Anketa vjetore e Kostos së Jetesës nga Agjencia “Mercer”, për të 22-tën herë këtë vit, rendit nga më i shtrenjti te më i liri qytetet botërore, nga kostoja e shtëpive, transporti, ushqimi, kafeja dhe veshjet etj., (në total 200 artikuj dhe shërbime) dhe i adresohet kryesisht të huajve që punojnë e jetojnë në vende të ndryshme nga ai i origjinës. Tirana renditet në vendin e 186, mes 209 qyteteve që janë marrë në konsideratë. Beogradi është më i lirë se Tirana për një të huaj dhe ndodhet në pozicionin e 193. Sarajeva është në vend të 195 dhe Shkupi mbetet më i liri në rajon, por edhe ndër 10 më të lirët në botë, në vendin e 199. Raporti i mëparshëm i “Mercer” i cilësisë së jetesës, publikuar në shkurt të këtij viti e rendiste Tiranën në listën e tri qyteteve më të këqija në Europë, për sa i përket cilësisë së të jetuarit.
Hong Kongu më i shtrenjti në botë
Hong Kong kryeson listën e qyteteve më të shtrejta për të huajt, duke e kaluar Luandën e Angolas në vend të dytë për vitin 2016. Zyrihu dhe Singapori mbeten në vendin e tretë dhe të katërt përkatësisht, ndërsa Tokio është në të pestin, duke u ngjitur me gjashtë vende në raport me vitin e kaluar. Kinshasa, renditet e gjashta, duke u shfaqur për herë të parë në top 10, nga pozicioni i 13. Qytete të tjera që shfaqen në listën e 10 më të shtrenjtave të “Mercer” për të huajt janë Shanghai (7), Gjeneva (8), N’Djamena (9), dhe Pekini (10). Qytetet më të lira janë Windhoek-Namibi (209), Cape Town-Afrika e Jugut (208), dhe Bishkek-Kurkizistan (207). Renditja e “Mercer” është ndër më domethënëset në botë dhe këtë vit përfshin 209 qytete në pesë kontinente dhe mat kostot krahasuese për më shumë se 200 njësi në çdo vend, përfshirë strehimin, transportin, ushqimin, veshjet, produktet e shtëpisë dhe zbavitjen.