Krimi i organizuar edhe zyrtarisht me eskortë policie, vendimi skandaloz i qeverisë: Policia do të jepet me qera!

Pa kaluar një javë nga fjala e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, me kapital 100 % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë. Pra, policia po jepet me qera pë rata që paguajnë. Mos u habisni që nga moment i miratimit të këtij ligji kur krimi i organizuar të shqoërohet me eskortë policie.

Sipas vendimit të Qeverisë, bëhet me dije se Ministria e Brendshme tashmë do të ofrojë dhe shërbime policore kundrejt pagesës. Në VKM theksohet se “Illyrian Guard” do të regjistrohet në QKR dhe do të ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike, publik dhe privat. Pas këtij vendimi Ministrja e Brendshme do të ketë dy polici, atë të shtetit dhe një tjetër private.

Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a. do të jetë dhjetë milionë lekë, që janë siguruar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Në vitin 2017, kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj anuloi një udhëzim të paraardhësit të tij në këtë detyrë për funksionimin e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike dhe Qendrës së Trajnimit Privat të Punonjësve, ose siç njihet ndryshe për policinë private.

Në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin shumë “polici private”, të cilat janë bërë shpesh objekt i akuzave të ndërsjellta sa i përket tenderave që kanë marrë për ruajtjen e objekteve shtetërore. Përplasja e fundit ka qenë mes rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe fakulteteve.

Edi Rama, 28 mars 2019 në Kuvend: Unë dua ta sjell edhe këtu, nxitjen, në mos të përditshme, të përjavshme për Ministrin e Brendshëm, për të përfunduar një projekt të nisur, që duhet bitisur, për krijim e kompanisë së sigurisë së Policisë së Shtetit, për të dhënë shërbime për objektet e rëndësisë jo të veçantë dhe për të futur në tregun e deformuar dhe jashtë çdo standardi të sigurisë së objekteve, një trupë të re, që do t’i krijojë mundësi shumë prej punonjësve që tanimë janë në një moshë të caktuar dhe nuk kanë më mundësi të na japin atë efikasitet që kërkohet, që të bëjnë një kalim të butë nga dalja nga shërbimi në Policinë e Shtetit, në daljen në pension.

Pra, të kenë një periudhë të ndërmjetme, ku të mund të vazhdojnë të punojnë, ku të mund të fitojnë dhe ndërkohë ku të mund të rrisin në mënyrë të ndjeshme cilësinë e shërbimit të sigurisë së objekteve, duke shkurtuar kostot. Kemi një industri të tërë rojesh private që, me përjashtime që përforcojnë rregullin, është jashtë standardeve.

Kemi një numër të madh rojesh private që sot janë të keqpaguar, të keqtrajtuar, të diskriminuar dhe nuk arrijnë dot të japin shërbim për shkak se faturat e kripura që paguajnë institucionet për t’u mbrojtur me këto roje private shkojnë kryesisht në xhepin e pronarëve dhe nuk përkthehen as në shpërblime të denja dhe as në sigurime siç duhet për të gjithë.

KRIJIMIN E SHOQËRISË “ILLYRIAN GUARD”, SH.A., DHE PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PUBLIK, QË PËRFAQËSON SHTETIN SI PRONAR TË AKSIONEVE TË KËSAJ SHOQËRIE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 81, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a., me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.

2. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

3. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
4. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., është Ministria e Brendshme.

5. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

6. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

7. Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

8. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

9. Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:
a) themelimin e miratimin e statutit të shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a.;
b) regjistrimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

10. Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.

11. Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta
sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

12. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., nga inventari i saj i pronave publike, mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.

13. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Vendimi është miratuar sot në mbledhjen e qeverisë.

Artikulli paraprakZv.ministri i Brendshëm: Policët po merren me protestat, jo me vrasjet, prandaj nuk kapen vrasësit
Artikulli tjetërBasha nga Berlini: Rama konsiderohet i mbaruar, në Perëndim i kanë vendosur kryqin