Djali i legjendës holandeze Johan Cruyff, Jordi, beson se ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, e ka fituar një vend në listën prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohëve përkrahë babait të tij.
Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, e ka shijuar sezonin e tij debutues në Torino me Juventusin, duke i shënuar 23 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat, transmeton Gazeta Express.
Skuadra e Massimiliano Allegrit është në rrugë të drejtë për ta fituar titullin e tetë radhazi të Serisë A dhe këtë sezon synon triumf edhe në Ligën e Kampionëve.
Në këtë garë elitare të Evropës, Juventusi do të përballet me Ajaxin në çerekfinale. Klubi holandez arriti ta eliminojë Real Madridit në fazën e kaluar.
Para ndeshjes mes këtyre dy skuadrave, Cruyff e ka krahasuar Ronaldon me babanë e tij të ndjerë, i cili e kishte shijuar karrierën edhe si lojtar, edhe si trajner, në Ajax dhe Barcelonë.
Ronaldo e shënoi një het-trik në ndeshjen e fazës së kaluar kundër Atletico Madridit, për t’ia siguruar Juventusit një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, garë kjo në të cilën portugezi është shpallur kampion në tri sezonet e fundit me Real Madridin.
“Në futboll ka shumë të vdekshëm dhe vetëm pak të pavdekshëm. Mund të them se si babai im, Cristiano do të mbahet mend gjithmonë”, ka thënë Cruyff për Gazzetta dello Sport.
“Së bashku me Messin, pa pasur nevojë të them se cili nga ta është më i mirë. Shumë futbollistë kanë pasur sukses për një sezon, por vetëm këta të dy kanë qenë të suksesshëm për 15 sezone”.