SHBA, tarifa prej 11 miliardë dollarësh ndaj eksporteve të BE-së

Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të imponojnë tarifa të reja me vlerë prej mëse 11 miliardë dollarësh mbi një sërë eksportesh të Bashkimit Europian.

Komentet vijnë pas përfundimit që arriti në maj 2018 Organizata Botërore e Tregtisë se Bashkimi Evropian subvenciononte në mënyrë të paligjshme kompaninë Airbus.

Sipas kësaj organizate, vendet evropiane kishin dhënë 22 miliardë dollarë subvencione shtetërore për kompaninë Airbus për të ndihmuar në ndërtimin e avionëve të saj A380 dhe A350, duke dëmtuar rivalin e saj në SHBA, Boeing.

Presidenti Trump tha të martën se meqenëse Organizata Botërore e Tregtisë ka deklaruar se subvencionet kanë “ndikuar negativisht ndaj Shteteve të Bashkuara,” ai “do të vendosë tani tarifa mbi produkte të BE-së me vlerë prej 11 miliardë dollarësh!”.

“Bashkimi Evropian, – tha Presidenti Trump, – ka përfituar në tregti në kurriz të SHBA prej shumë vitesh. Kjo do të ndalet shumë shpejt!”

Megjithë deklaratën e zotit Trump, lista e re e tarifave nuk do të hynte në fuqi para se një arbitër i Organizatës Botërore të Tregtisë të vendosë mbi madhësinë e lejuar të paketës tarifore, vendim që kërkon disa muaj për t’u marrë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë patur prej vitesh polemika mbi subvencionet ndaj njëri-tjetrit për avionët Airbus dhe Boeing, shumë kohë para se Presidenti Trump të vinte në Shtëpinë e Bardhë.

Në raste të ndryshme, Organizata Botërore e Tregtisë ka marrë vendime si kundër njërës palë ashtu edhe kundër tjetrës.

Artikulli paraprakOKB-ja shtyn konferencën e paqes për Libinë
Artikulli tjetërÇaji që pastron trupin dhe shëron 50 sëmundje të ndryshme