Ish-Kryeministri Sali Berisha, i ftuat në Ora News, ka komentuar grabitjen e 10 milionë eurove në Rinas. Ish-kryeministri deklaroi se ajo ishte një grabitje e pastër shtetëror.
Sipas tij, nëse nuk do të kishte mbështetje shtetërore, kjo grabitje do të ishte e pamundur të bëhej dy herë në të njëjtin vend.
“Kjo është një vjedhje shtetërore me të njëjtin skenar identik si në vitin 2016-të. Me një falimentim total të shtetit, me një precizion të jashtëzakonshëm, i cili mund të realizohet vetëm me një pjesëmarrje të elementëve të sigurisë së aeroportit, përveç kësaj edhe me pjesëmarrjen e qeverisë. Është gjithçka një skenar shtetëror, se ndryshe as Arsen Lypen dhe asnjë bandit në botë nuk mund të realizonte të njëjtin skenar në të njëjtin vend”, tha Berisha.
Sipas Berishës, përgjegjës kryesor është Autoriteti i Aviacionit Civil, kryetar bordi i të cilit ka qenë ministri aktual i brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Se përgjegjësia e kinezit dhe ata nuk njohin asnjë përgjegjësi. Ministër i brendshëm ka qenë kryetar bordi i Autoritet të Aviacionit Civil kur ka qenë gjeneral kanabisi pranë Noriegës së Shqipërisë. Xhepat i mbushte por nuk çau kokën në asnjë moment.
Del ndrikulla Belushka, e lidhur këmbë e krye me Eno Bushin, me Riformaton, se ata nuk kanë përgjegjësi,. Se këtu asnjë nuk ka përgjegjësim, përveç kinezit, që unë nuk mund të them që nuk kanë. Të hetohen. Por përgjegjësia është e Autoritet të Aviacionit Civil. Kemi një shtet të falimentuar”, u shpreh Berisha.
VKM, dhjetor 2017
Ve VKM të dhjetorit 2017, kryeministri Edi Rama do të emëronte Sandër Lleshajn kryetar bordi të Autoritetit të Aviacionit Civil.Sipas VKM, të 13 dhjetorit 2017, këshilli drejtues i Autoritetit të Aviacionit Civil mori këtë përbërje:
Sandër Lleshi, kryetar;
Brunilda Lilo, anëtar;
Hajrulla Çeku, anëtar;
Vladimir Avdiaj, anëtar;
Etleva Kondi, anëtar.
V E N D I M PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
Emërimin në detyrën e kryetarit dhe të anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil, si më poshtë vijon:
– Z. Sandër Lleshi, kryetar; – Znj. Brunilda Lilo, anëtar; – Z. Hajrulla Çeku, anëtar; – Z. Vladimir Avdiaj, anëtar; – Znj. Etleva Kondi, anëtar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA