Zyrtarë të policisë pas trafikut të drogës në Elbasan

Zbulohen detaje të reja për masakrën e 3 shkurtit në lokalin e familjes Çapja në Elbasan, ku u vranë tre persona dhe u plagosën 8 të tjerë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, 7 minuta para ngjarjes ishin fikur qëllimisht kamerat e lokalit. Po ashtu, patrulla e policisë që rrinte aty ishte larguar 10 minuta para masakrës. Policia bëri të ditur pas ngjarjes se, masakra ku mbetën të vrarë shtetasit Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe Eno Bedalli ka ndodhur për hakmarrje, por kjo akuzë u rrëzua nga Prokuroria.
Grupi hetimor i Prokurorisë bëri të ditur se pista kryesore e hetimit është ajo e trafikut të drogës. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ka dyshime se kemi të bëjmë me një trafik në përmasa të mëdha të trafikut të drogës, ku përfshihen edhe zyrtarë të policisë. Sipas të njëjtave burime, në këtë trafik përfshihen interesa të mëdha pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Po ashtu akuza e hakmarrjes u rrëzua edhe nga familjarët e Fadil Memës. Familja Mema, një nga dy fiset që aludohet se janë përfshirë në konfliktin e Elbasanit, ka reaguar për këtë ngjarje, duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me masakrën. Anëtarë të familjes Mema, duke reaguar nga Torino, në Itali, u distancuan nga konflikti, duke thënë se, janë strukturat shtetërore ato që duhet të bëjnë punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas familjes Mema, aludohet për lidhje që nuk ekzistojnë. “Mbiemri ynë është keqpërdorur nga media, veçanërisht nga shtypi i shkruar. Ne jemi larg kësaj ngjarjeje dhe këtij konflikti. Qyteti i Elbasanit na njeh mirë, cilët jemi ne. Mediat t’u referohen burimeve zyrtare për ngjarjen”, thanë pjesëtarët e familjes Mema.
Masakra e Elbasanit ndodhi mbrëmjen e 3 shkurtit të këtij viti në lokalin e familjes Çapja. Ndonëse u mbushën tre muaj nga kjo masakër, ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, policia nuk ka arritur ende të zbulojë dhe arrestojë autorët. Katër personat që qëlluan me breshëri automatiku ishin të veshur me uniforma policie. Të maskuar si Forcat Speciale, ekzekutuesit kaluan lehtësisht perimetrin e sigurisë të familjes Çapja, mendohet se e kanë bërë vëzhgime me dylbi termikë për të lajmëruar më parë ekzekutorët që të vinin me makinën e tyre për të kryer masakrën. Agron Çapja besohet se ishte shënjestra e atentatit. Tre persona kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të lokalit, ku ndodheshin familjarët Çapja dhe të afërmit e tyre, ndërsa personi i katërt qëndronte në makinë si shofer, duke qëndruar në gatishmëri për t’u larguar me shpejtësi.
Një makinë ngjyrë gri u ndalua para lokalit të tyre, në afërsi të kryqëzimit të Krastës, përbri autostradës Elbasan-Librazhd. Me shpejtësi të befasishme tre nga autorët zbritën nga makina dhe hapën zjarr me breshëri automatiku. Agron Çapja, 50 vjeç, Ardit Sinakoli, 27 vjeç dhe Eno Bedalli, 38 vjeç, vdiqën në vend nga breshëritë e plumbave. 11 persona ishin në lokal, jashtë dhe brenda. Tavolina ku ishte ulur Çapja që besohet se ishte dhe shënjestra e atentatit, ndodhej jashtë. Bashkë me të edhe dy viktimat. Pas kryerjes së masakrës, ata janë larguar me shpejtësi, me makinën që i priste ndezur e që drejtohej nga një tjetër person.
Hetuesit besojnë se vrasësit ose bashkëpunëtorët e tyre, kanë vëzhguar viktimat dhe kanë mbajtur nën monitorim të gjitha lëvizjet e tyre, derisa kanë arritur të qëllojnë në mënyrë të studiuar. Sipas hetuesve, njëri nga vrasësit është futur të lokal për të qëlluar sërish mbi të plagosurit, por dyshohet se arma nuk ka shkrepur, duke shmangur një masakër edhe më të madhe. “Mënyra se si ishte qëlluar lë të dyshosh se autorët i kanë dashur të vdekur të gjithë personat që ndodheshin në lokal. Madje, ata kanë menduar se i kanë vrarë të gjithë, pasi pranë vendit të ngjarjes kanë hedhur edhe dy nga armët e përdorura, të cilat kanë qenë të mbushura”, bënë të ditur pas ngjarjes burime nga grupi hetimor.
Prokuroria e Elbasanit ka bërë të ditur se është në pritje të ekspertizës balistike të tre armëve të gjetura në vendin e ngjarjes nga Policia Shkencore. Është faktuar tashmë se është qëlluar me të tre armët. 65 plumba u derdhën mbi 11 personat që gjendeshin në këtë lokal nga tre atentatorë.
Prokuroria e Elbasanit bëri të ditur para disa ditësh, se i kishte vënë si detyrë policisë dhe agjentëve të SHISH për të zbuluar makinën që autorët kanë përdorur ditën e ngjarjes. Burimet thonë se, makina është identifikuar dhe po kërkohet për llojet e njëjta që të bëhet edhe identifikimi i personave që kishin në përdorim. Ndërkohë, të tre armët e masakrës mendohet se kanë qenë automatik “Kallashnikov”, dy prej të cilave janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Enton DOÇI

Artikulli paraprakBasha i përgjigjet Ramës: Zbato vendimin e Kushtetueses
Artikulli tjetërBllokimi pa plan i qendrës së Tiranës sjell kaos dhe irritim