Pas katër orësh protestë, kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh gjatë fjalës së tij nga selia e PD se, tani shumica fizike e morale në Shqipëri janë protestuesit dhe opozita. Ai shtoi se, nesër e gjithë kjo sakrificë do të mbahet mend si themeli i Shqipërisë Europiane.
Protesta kombëtare e 13 Prillit është bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër qeverisë ilegjitime, padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit. Këtë bashkim nuk e ndal më as dhuna, as gazi lotsjellës, as propaganda.
Këto 8 javë, Shqipëria ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Ne nuk jemi në betejë për pazarin politik të rradhës apo për të ndërruar Edi Ramën me Lulzim Bashën. Jemi për të shembur këtë regjim të korruptuar.
Pas largimit nga parlamenti, bashkimi ynë ka tejkaluar konturet e çdo partie. Ky mandat besimi i Shqipërisë së shumicës së përjashtuar, të grabitur e të dhunuar, shkon përtej nevojës akute për rotacion politik.
Nuk ka kompromis me ëndrrën tonë: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”! Kurrë më asgjë më pak se standardi evropian për zgjedhje të lira e të ndershme, drejtësi dhe ekonomi tregu.
Pengesa e vetme për Shqipërinë si gjithë Europa është qeveria e bërë njësh me krimin, që ka mbyllur dyert e integrimit prej 6 vitesh, është asgjësimi i themeleve europiane të bashkëjetesës demokratike.
Është asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese që Edi Rama të kalojë ligje që vjedhin shqiptarët. Gjykata e Lartë nuk jep dot drejtësi. Është shkatërruar me themele për t’i vënë minat shtetit ligjor.
Kjo është qeveria që u kap duke vjedhur zgjedhjet e 2017-ës, pengesa dhe kërcënimi numër 1 për demokracinë, për sigurinë, për mirëqenie. Vota është themeli i demokracisë. Nuk ka demokraci pa zgjedhje të lira.
Nuk ka e nuk do të ketë as pazare politike, as kompromise tavolinash, me këtë aspiratë evropiane. Kushti i patjetërsueshëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën për të garantuar zgjedhje të parakohshme dhe drejtësi.
Asgjë më pak se standardet evropiane, asgjë më pak se standardet amerikane. Ky është zotimi ynë. Dëgjojeni mesazhin e popullit: Liri a vdekje, demokraci a vdekje!
Dy Shqipëri përballë njëra-tjetrës. Shumica, pa punë, pa siguri, pa shpresë, e dhunuar, pa mbrojtje ligjore, me një pakicë derrash të majmur, armiq të popullit shqiptar, oligarkë, kriminelë, politikanë të korruptuar.
Këto dy Shqipëri nuk qendrojnë dot më bashkë. Njëra do të qëndrojë, tjetra do të zhduket. Shqipëria që do të qendrojë, është Shqipëria e shumicës. Kurrë më të përjashtuar nga drejtësia, kurrë më nën darën e papunësisë e të varfërisë.
“Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne”! Asnjë hap prapa!
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA
Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë sonte!
Ja ku jemi më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë, më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit. Jemi bashkë në këtë vërshim të paparë e të padëgjuar për Bulevardin Dëshmorët e Kombit, me këtë bashkim zemrash, mendjesh dhe vullnetesh, burrash dhe grave fisnikë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet, po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë, e padrejtësive dhe krimeve më të përbindshme ndaj shqiptarëve, që nga kohërat e pushtuesve më mizorë. Nuk kanë parë shqiptarët një pakicë dhe një kryekriminel kaq barbar dhe urryes ndaj popullit të tij, një njeri që hyn në histori si njeriu që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, në shtëpitë e fëmijëve të tyre, që nisi rruspat për t’u prishur shtëpitë, për të pasuruar veten e tij dhe krimin e organizuar, që e ka ulur në institucionet e Republikës tonë.
Ky muzg është muzgu i bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminel të Edi Ramës. Rama Ik!
Asgjë nuk e ndal më këtë bashkim, as frika, as barbaria e horrave mbi nënat dhe baballarët tanë, kur dalin për të mbrojtur shtëpitë e tyre, as gazi lotsjellës, as propaganda e shfrenuar nuk na ndal dot, nuk na përçan dot.
Populli është i vendosur, Shqipëria është e bashkuar.
Kjo është Shqipëria e burrave dhe e grave, e gegëve dhe e toskëve, e myslimanëve dhe e krishterëve, e së djathtës dhe së majtës, që i thotë ndal Edi Ramës dhe bandës së tij. Shporru! Largohu! Rama ik!
Kjo është Shqipëria e vërtetë e qindra mijëra halleve të shtuara e të bëra kapicë nga një kryeministër dhe një qeveri që asnjë ditë të vetme nuk i ndau, nuk i kuptoi, nuk i dëgjoi dhe nuk deshi të shihte hallet e shqiptarëve, sepse ata punojnë për veten, për kriminelët, për oligarkët, për armiqtë e popullit shqiptar.
Ndaj, tetë javë më parë, vetëm tetë javë më parë ju ju përgjigjët thirrjes së opozitës së bashkuar dhe u ngritët në atë që deri më sot ishte bashkimi më i madh kombëtar i 16 shkurtit. Ne u përgjigjëm me atë që ishte verdikti juaj, akti më i madh moral në historinë e pluralizmit, djegien e mandateve, largimin nga parlamenti i krimit, largimin nga strofka e krimit, largimin nga strofka e korrupsionit. Që nga ai moment radhët e bashkimit tonë kanë tejkaluar konturet e çdo partie dhe gjithë partive të marra së bashku, të koalicionit të opozitës-sot koalicioni i maxhorancës absolute.
Ne partitë e opozitës, unë, Partia Demokratike, e dimë fare mirë se ky mandat besimi, që vjen nga Shqipëria e shumicës të përjashtuar, e shumicës së grabitur, e shumicës së dhunuar, shkon përtej nevojës akute për një rotacion të menjëhershëm politik.
Ne dimë se ajo që na ka bashkuar me masa dhe konture të paprecedenta për Shqipërinë dhe shqiptarët, që në fillim vitet ’90-të është rizgjimi kombëtar i një aspirate për të cilën kemi sakfrikuar shumë, për të cilën kemi patur dhimbje, kemi patur përparime, por edhe prapsje e zhgënjime. Por që sot është dita të mos bëjë më kompromis me aspiratën. Kurrë më asgjë më pak se standardi evropian për zgjedhje të lira e të ndershme.
Kurrë më asgjë më pak se standardet perëndimore për drejtësi, që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e kapur si Edi Rama dhe banda e tij kriminale duke vjedhur votën e shqiptarëve.
Kurrë më asgjë më pak se stdandardet europiane të konkurencës, të lirisë, të ekonomisë që hap vende pune me paga të larta dhe kushte dinjitoze për shqiptarët dhe Shqipërinë tonë të dashur.
Me fjalë të tjera le të ushtojë nga ky muzg i tiranisë, nga kjo lindje e Lirisë Europiane për Shqiptarët, ta dëgjojnë nga gjokset tona, të gjithë ne që jemi bashkë, ta dëgjojnë miliona shqiptarrë që janë bashkuar me këtë bashkim të madh. Ta dëgjojë bota se nuk ka e nuk mund të ketë kompromis me ëndrrën tonë: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!”.
Vëllezër e motra,
Pengesa e vetme për Shqipërinë si gjithë Europa është qeveria e bërë njësh me krimin, që tash 6 vjet i ka mbyllur dyert e integrimit europian.
Pengesa dhe rreziku numër 1-vdekjeprurës për Shqipërinë si gjithë Europa është asgjësimi i themeleve europiane të bashkëjetesës demokratike.
Është asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, nga Edi Rmaa me qëllim kalimin e ligjeve antikushtetuese për të vjedhur shqiptarët, për të vjedhur vogëlushët tuaj, për të vjedhur studentët, për të vjedhur pensionistët, për të vjedhur fermerët, për të vjedhur dhe grabitur biznesin.
Është mungesa e Gjykatës së Lartë, garantes së lirive dhe të drejtave individuale të qytetarëve shqiptarë, që sot enden më kot dyerve të gjyqeve, ku ka gjyqe, por jo drejtësi. Me 40 mijë dosje Gjykata e Lartë, njësoj si në Meksikën e qindra milionë banorëve, nuk jep dot drejtësi, sepse nuk është Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë. Është shkatërruar me themele për t’i vënë minat shtetit ligjor.
Kjo është qeveria që u kap duke vjedhur zgjedhjet e 2017-ës. Vota është themeli i demokracisë. Nuk ka demokraci pa zgjedhje të lira. Kjo qeveri është pengesa dhe kërcënimi numër 1 për demokracinë, për sigurinë, për mirëqenie, pë zhvillimin e çdo shqiptari.
Ju që keni ardhur sot në këtë shesh e dini fare mirë, siç e di e gjithë Shqipëria, me Edi Ramën nuk ka shtet, me Edi Ramën nuk ka zhvillim, me Edi Ramën nuk ka punësim, me Edi Ramën nuk ka shëndetësi, por vetëm krim, vetëm korrupsion, vetëm dhunim të drejtave dhe lirive tuaja, vetëm shkatërrim të prespektivës, vrasje të shpresës.
Ndaj, le t’i themi sot nga ky shesh atij dhe gjithë bandës, që i qëndron nga prapa:
Që, sot e tutje ju nuk jeni shteti, jeni antishteti. Ju nuk jeni ligji, jeni antiligji, Ju nuk jeni drejtësia, jeni padrejtësia!
Që sot e tutje shteti, ligji, drejtësia është sovrani i derdhur në këtë shesh e kudo, në qytete, në shtëpi, në fshatrat tona.
Vëllezër e motra,
Zonja dhe zotërinj!
Kjo protestë, e 9-ta në 8 javë, është prova më e qartë se Shqipëria këto 8 javë ka ndryshuar një herë e përgjithmonë.
Banda e Edi Ramës, oligarkët që janë pasuruar mbi djersën tuaj, mercenarët dhe mediat e blera nga pushteti, duan t’ju bëjnë të besojnë se kjo nuk është një betejë e vërtetë, se kjo nuk është një betejë për ekzistencën tuaj, për jetën tuaj, për mirëqenien tuaj, për jetën tuaj, por thjesht dhe vetëm një përplasje poltike e rradhës, që do zgjidhet me pazarin e radhës.
Ju e dini fare mirë që kjo është një gënjeshtër. Por sot, dua ta deklaroj unë me zërin tim, vullnetin tuaj dhe vullnetin tim, të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partisë Republikane, të Lëvizjes për Zhvillim Komëtar, të Partisë Agrare Ambientaliste, të Partisë Demokristiane, të Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, të gjithë partive tona në koalicioni e shumicës së re morale dhe politike në vend.
Ne jemi në këtë betejë jo thjesht për kalkulime politike, elektorale.
Ne jemi në këtë betejë për ju qytetarë të këtij vendi, pavarësisht prej bindjeve politike.
Ne jemi në këtë betejë, që të garantojmë që kurrë më vota juaj të mos dhunohet, të blihet dhe shantazhohet nga krimi i organizuar, që kurrë më taksat tuaja, pasuritë e vendit, shtëpitë tuaja te mos vidhen dhe prishen për të përfituar një grusht oligarkësh.
Ne nuk jemi këtu thjesht dhe vetëm për të ndërruar Edi Ramën me Lulzim Bashën, por për të shembur nga themelet këtë regjim të korruptuar deri në palcë. Rama ik!
Ndaj, ky bashkim ka brenda vetes të gjithë shqiptarët e ndershëm, intelektualët, qëndrestarët për Teatrin Kombëtar, studentët, dritën e syrit të kombit tonë, sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, punëdhënësit që lëngojnë nga një regjim satrap, të korruptuar dhe represiv, fermerët e shtyrë në kufijtë e ekzistencës nga braktisja, harresa dhe çizmja e rëndë e korrupsionit qeveritar, pensionistët shqiptare të cilët janë sot më të varfrit në Evorpë, por edhe ndër më të varfrit në botë që, pasi paguajnë faturat e kripura e të ilaçeve, nuk mbijetojnë përveçse nga ndihma e fëmijëve të tyre emigrantë ose i përkasin Shqipërisë të përjashtimit, që nuk ushqehet dot më shumë se një herë në ditë, plot 290 mijë qytetarë të tillë.
Ne jemi këtu të gjithë bashkë, jo thjesht për të larguar Edi Ramën, sepse Edi Rama ka mbaruar, Edi Rama është një kufomë politike. Ne jemi bashkë për të varrosur fenomenin Rama dhe së bashku për të themeluar bashkëjetesën demokratike të standardeve dhe vlerave evropiane.
Rama ik!
Ndaj nuk ka e nuk do të ketë as pazare politike, as kompromise tavolinash, me këtë aspiratë evropiane. Kushti i patjetërsueshëm është qeveria tranzitore pa Edi Ramën. Rama ik!
Largimi një orë e më parë, largimi i panegociueshëm i Edi Ramës është diktati i sovranit të bashkuar. Rama ik!
Vetëm një qeveri tranzitore që do të shkatërrojë nga themelet mekanizmin kriminal, që do çojë para drejtësisë kupolën e korruptuar kriminale të organizatës kriminale të “Rilindjes”, për të çliruar shtetin, për të çliruar popullin, për të çliruar edhe Partinë Socialiste është parakusht i parakushteve për të garantuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, për t’i rikthyer sovranit të drejtën e vjedhur, për një parlament nga populli, të popullit dhe për popullin. Rama ik!
Ditë për ditë e natë për natë, në sheshe të tejmbushura si ky, në çdo qytet e fshat, rezistencë e përballje, kryengritje demokratike. Rama ik.
Asgjë më pak se standardet evropiane, asgjë më pak se standardet amerikane. Ky është zotimi ynë. Rama ik!
Një popull i tërë, i bashkuar për fëmijët e tij, për të drejtat dhe liritë themelore, për mirëqenie, nuk mund të mbahet peng, nuk mund të mbahet rob, as nga Edi Rama, as nga banditët e tij, as nga interesat e oligarkisë, as nga horrat me uniformë.
Ju bëj thirrje vëllezër e motra të policisë së shtetit, hidhini kapelet, bashkohuni me ne. Rama ik!
Dëgjojeni mesazhin e popullit: Liri a vdekje, demokraci a vdekje!
Kjo betejë do të ketë vetëm një përfundim. Ajo do të zgjidhë dilemën të jetë a të mos jetë Shqipëria Evropiane.
Dy Shqipëri përballë njëra-tjetrës. Shumica, pa punë, pa siguri, pa shpresë, e dhunuar, pa mbrojtje ligjore, me një pakicë derrash të majmur, armiqsh të popullit shqiptar, oligarkë, kriminelë, politikanë të korruptuar.
Zonjë dhe zotërinj!
Këto dy Shqipëri nuk qendrojnë dot më bashkë. Njëra do të qëndrojë, tjetra do të ikë, tjetra do të zhduket.
Le të betohemi sot në këtë muzg të tiranisë dhe në këtë lindje të lirisë dhe Shqipërisë Evropiane, se Shqipëria që do të qendrojë është Shqipëria e shumicës. Kurrë më të përjashtuar nga drejtësia, kurrë më nën darën e papunësisë e të varfërisë.
“Se Zoti vetë e tha me gojë, se kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne”!
Asnjë hap prapa, asnjë hap prapa! Ushtri e lirisë, kryengritje demokratike. Ju jeni drejtësia, ju jeni shteti.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti e bekoftë qëndresën tuaj të mrekullueshme, betejën tuaj për një qëllim “E Duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Meqë Shqipëria e shumicës do të qendrojë, Shqipëria e krimit, Edi Rama dhe banda e tij duhet të ikin një orë e më parë.
Sot ky shesh është mbushur si asnjëherë tjetër. Sa më shumë të mblidhen shqiptarët, aq më larg largohet Rama.
Vëllezër e motra, le ta bëjmë largimin e tij pa kthim, lajmin e parë të lirisë që po lind.
Zoti ju bekoftë ju, Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Fitore!