Skandali/ Ish-zyrtarja e Ramës, sot Komisionere e Vettingut, biznes me ndërtim të paligjshëm

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Medi Bici u vu para përgjegjësisë në seancën dëgjimore të Vetingut, pasi relatorja Valbona Sanxhaktari e konsideroi shkelje të figurës së gjyqtarit faktin që ai kishte ndërtuar pa leje.

Gjyqtari Bici, në përfundim të procesit u konfirmua në detyrë, por mbi të rëndoi dyshimi i rëndë, i artikuluar nga Sanxhaktari, që vinte në dyshim integritetin e tij moral dhe profesional.

Por, disa të dhëna të siguruara në mënyrë ekskluzive nga ‘Boldnews.al” referojnë fakte se edhe vetë komisionerja Sanxhaktari, e cila i kërkoi llogari gjyqtarit Medi Bici, ka ndërtuar pa leje.

Për më tepër, pas ndërtimit, ajo e ka shitur, duke krijuar edhe të ardhura të konsiderueshme, të cilat rrjedhin nga paligjshmëria.

Valbona Sanxhaktari rezulton që, në apartamentin që ka jetuar së bashku me prindërit deri në fund të vitit 2017, ka bërë një shtesë pa leje, rreth 25 metra katrorë. Pas ndërtimit të paligjshëm, ajo ka aplikuar për leje legalizimi. Në fund të vitit 2017, në kohën kur Sanxhaktari ka marrë postin e Komisioneres së Vetingut, ALUIZNI ia legalizon ndërtimin e paligjshëm.

Sipas formularit të legalizimit, të cilin “Boldnews.al” e ka konsultuar, rezulton se vlera e kësaj shtese pa leje është rreth 1 milionë lekë të reja. Pasi ka marrë në dorë dokumentin e zyrës së drejtuar nga Artan Lame, komisionerja Sanxhaktari ka vendosur ta shesë, duke krijuar të ardhura të konsiderueshme.

Valbona Sanxhaktari rezulton që, në fund të vitit 2017, e ka shitur shtesën e ndërtuar pa leje, por të legalizuar me firmën e “kolegut” të saj, Artan Lamen, me vlerën rreth 17 mijë euro.

Ndërtimi pa leje është vepër penale, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Në vendimin për gjyqtarin Medi Bici, vetë komisionerja Valbona Sanxhaktari shprehet se “në vitin 2008 u bënë amendimet e Kodit Penal, duke parashikuar për herë të parë ndërtimin pa leje, si figurë më vete dhe konkretisht neni 199/a i ligjit nr. 10023, datë 27.11.2008, parashikonte se: “Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Por kjo vepër e kryer në tokë publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në 5 vjet.”
Por, ky nen, duket se nuk e ka prekur Valbona Sanxhaktarin, një prej zyrtareve më jetëgjata në postet drejtuese të qeverisë socialiste të Edi Ramës.

Në kronikat e përditshme policore, raportohet për arrestime të qytetarëve, të cilët kanë ndërtuar pa leje. Gjithashtu, shumë prej tyre janë dënuar me burgim vetëm e vetëm pse kanë bërë ndërtime, në pjesëm më të madhe të rasteve me kosto shumë të ulët, për të siguruar një çati për fëmijët dhe të moshuarit.

Në rastet e qytetarëve, ligji vepron me ashpërsinë e tij. Qindra shqiptarë kanë përfunduar në pranga gjatë periudhës që po qeveris Edi Rama, i cili deklarohet se “po bën shtet”.

Ndërkohë, për zyrtarët nën varësinë e tij, si në rastin e Valbona Sanxhaktarit, ligji jo vetëm nuk vepron, por, përkundrazi, ajo favorizohet, lejohet të ndërtojë pa leje dhe, për më tepër, të krijojë edhe të ardhura të majme.

Komisionerët e Vetingut u zgjodhën si personat që përfaqësojnë “ajkën” e shoqërisë, nga të cilët do të vijë pastrimi i sistemit të drejtësisë. Por, të dhënat zyrtare të siguruar nga “Boldnews.al”, dëshmojnë një realitet krejt tjetër- rasti i Valbona Sanxhaktarit është një prej atyre dëshmive se opinionit publik i janë fshehur të vërtetat dhe paligjshmëritë e komisionerëve.

/Boldnews.al

Artikulli paraprakfaqja e pare
Artikulli tjetërSot jepet masa për të arrestuarit e protestës së 13 prillit, përfaqësues të PD në ambjentet e Gjykatës