Rinovimi i Elsied Hysajt po kthehet në një çështje te Napoli. Mbrojtësi shqiptar, i cili shkëlqeu gjatë sezonit të kaluar me fanellën e kaltër konsiderohet si pjesë e rëndësishme e projektit të së ardhmes dhe drejtuesit napoletanë për asnjë arsye nuk dëshirojnë të privohen nga shërbimet e 22-vjeçarit. Ditë më parë, mediat italiane e bënë fakt të kryer rinovimin e Hysajt me Napolin deri në vitin 2021 me kuqeziun që nga kontrata e re do të ketë një pagë dyfish më të lartë se ajo që përfiton aktualisht rreth 1 milion euro në sezon, por mesa duket akordi mes palëve ende nuk është arritur dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit ka menduar edhe njëherë tjetër menaxheri i Hysajt, Mario Giufreddi.
Në një prononcim për mediat italiane sëfundmi agjenti i mbrojtësit është shprehur se, nëse Napoli dëshiron të rinovojë kontratën me 22-vjeçarin dhe t’i rrisë pagën lojtarit duhet të shpejtojë, pasi në të kundërt, ai do të shohë edhe opsione të tjera përsa i përket të ardhmes së klientit të tij. Në intervistën e tij, Giuffredi nënvizoi gjithashtu faktin se ka patur një takim mes tij dhe drejtuesve të Napolit. “Hysaj meriton rinovimin e kontratës me një pagë shumë herë më të lartë, sepse sezonin e kaluar ai firmosi me të Kaltërit si një i ri premtues, ndërsa në vetëm 1 vit u afirmua se është një lojtar që zotëron një potencial të jashtëzakonshëm”, shtoi Giuffredi.
Në përfundim, menaxheri i futbollistit shqiptar u shpreh gjithashtu se takimi që ka patur me drejtuesit e Napolit para disa ditësh i ka shërbyer atij për të kuptuar më mirë situatën. Napoli është i paralajmëruar dhe tashmë mbetet për t’u parë se çfarë ndodh, pasi për Hysajn kanë treguar interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës, si Barcelona, Bayern Munich apo Arsenali.