Manchester City është eliminuar sërish nga Champions League dhe për të disatën herë nuk e ka kaluar dot pragun që ndan klubet normale me klubet legjendare. “Qytetarët” kanë një ndër buxhetet më të mëdha në historinë e futbollit, por janë ndalur që në çerekfinale edhe këtë sezon, ndaj mediat në Spanjë e Angli i bëjnë gjyqin trajnerit Pep Guardiola.
Ky i fundit ka fituar gjithçka te Barcelona, por më pas te Bayern nuk ia doli mbanë të fitonte Champions, gjë që po i ndodh edhe te City.
Në tre sezonet e fundit, me Guardiolën në stol, City ka shpenzuar 608 milionë euro për përforcime, duke marrë në këmbim dy eliminime në çerekfinale dhe një në turin e dytë.
Shifra shkon në 812 milionë, nëse shtohen edhe periudhën kur Pep drejtoi Bayernin. E mori pas triumfit të Jupp Heynckes, bleu Götze, Thiago Alcántara, Arturo Vidal, Benatia e Douglas Costa, por të paktën mbërriti gjithnjë në gjysmëfinale.
Ndërkaq, në sezonin e parë te City u shpenzuan 213 milionë euro, për emra si Stones, Gabriel Jesus dhe Gündogan, ndërsa në Champions erdhi eliminimi nga Monaco.
Vityin pasardhës u vendos rekord, me 317.5 milionë të shpenzuar në merkato, për emra si Bernardo Silva, Ederson, Kyle Walker, Benjamin Mendy, Laporte, Danilo… Liverpool i hoqi qafe në çerekfinale.
Këtë sezon buxheti është ulur ndjeshëm, me vetëm 77 milionë euro të shpenzuara, ndërsa Riyad Mahrez ishte blerja më e shtrenjtë, për 67 milionë. Sërish eliminim në çerekfinale.
Ndoshta pak nga pak pronari Mansour bin Zayed Al-Nahyan po e kupton që futbolli nuk është thjesht çështje parash, sepse që prej 2008, kur e bleu klubin, ka shpenzuar 1.66 miliardë euro për të blerë yje (shpesh të paguar më shumë nga sa duhej), por në Europë asnjë sukses, qoftë edhe i vogël.