“Reporterët pa kufij”: Në Shqipëri gazetarët sulmohen nga qeveria dhe krimi i organizuar

Organizata “Gazetarët pa kufij”, me seli në Paris, vlerëson në raportin për lirinë e medies se urrejtja ndaj gazetarëve në nivel botëror është shndërruar në dhunë duke nxitur shtimin e frikës.

Sipas raportit që u publikua të enjten, numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të shtrëngojnë kontrollin e tyre mbi mediet.

Në raportin që vlerëson shkallën e lirisë së medies në 180 vende, Norvegjia është e para, ndërsa vendin e fundit e zë Turkmenistani, që është radhitur madje prapa Koresë së Veriut.

Shqipëria
Shqipëria vjet ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh.
Në raport thuhet se “sulmet mbi mediet, qoftë nga qeveria apo krimi i organizuar, arritën shkallë të pashembullt në vitin 2018.

Gazetarët ishin cak i fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe përndjekjeve ligjore, me qëllim të frikësimit dhe pengimit të hetimit të korrupsionit. Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cilësuan ata si ‘kazan’ dhe ‘prodhues të lajmeve të rreme’.

Kryeministri propozoi një ligj të projektuar për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediet elektronike dhe, sipas kritikëve, të kufizojë qasjen në lajme dhe informacione”.

Raporti përmend një studim të përbashkët të “Gazetarëve pa kufij” dhe BIRN-it i publikuar në muajin mars të vitit të kaluar, i cili ka gjetur shumë probleme në mediet shqiptare. “Standardet rregullative janë manipuluar në interes të qeverisë dhe pronësia mbi medien transmetuese është përqendruar në duart e pak afaristëve të mëdhenj.

Kjo, ka krijuar një situatë në të cilën auto censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në ardhmërinë e tyre profesionale”, thuhet në raport.

Kosova
Kosova radhitet në vendin e 75-të, tre vende më mirë sesa një vit me parë.
Në raport thuhet se “situata politike në Kosovë u bë më e tensionuar dhe me e paqëndrueshme në vitin 2018, si rezultat i afrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la qeverinë e Kosovës në një izolim diplomatik. Mungesa e transparencës së qeverisë mbi marrëdhëniet me Evropën, nxitën reagime të fuqishme të publikut dhe gazetarëve”.

Raporti thekson se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa qeveria ka akuzuar gazetarët se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Në raport theksohet se “ndarjet etnike në Kosovë janë burim i problemeve mjaft shqetësuese për gazetarët e pakicës serbe. Mediet e këtij komuniteti janë shpesh shënjestër e sulmeve verbale, atyre kibernetike dhe fushatave të medieve pro qeveritare”.

Megjithatë, raporti thekson se “peizazhi media është relativisht pluralist – të paktën në shikim të parë – dhe shumë media kanë pronarë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që siguron politika editoriale dhe opinione më të shumëllojshme”
Serbia në vendin e 90-të shënon një rënie prej 14 vendesh, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se “brenda pesë vjetëve të qeverisjes nga presidenti Aleksandër Vuçiç, Serbia është bërë një vend ku të bërit gazetari as nuk është i sigurt dhe as i mbështetur nga shteti”.

Maqedonia e Veriut është në vendin e 95-të duke shënuar ngritje nga një vit më parë kur radhitej e 109-ta
Mali i Zi ka renditjen më të keqe në rajon. Ai radhitet në vendin e 104-të. Sipas raportit, 8 për qind e vendeve të botës vlerësohet të jenë në gjendje shumë të mirë, ndërsa 11 për qind në gjendjen më të rëndë.

Artikulli paraprakEurostat: Shqiptarët me pagën më të ulët në rajon dhe Europë
Artikulli tjetërFronti Opozitar, qeveria e tranzicionit në prag, detyra e re e Kryemadhit nga LSI