Në Beograd thuhet se krerët e Gjermanisë dhe Francës në Berlin do të kërkojnë nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por ka spekulime edhe për “sovranitetin e dyfishtë”. Vajtja e delegacionit të Serbisë në Berlin më 29 prill po shoqërohet me deklarata të shumta kontradiktore në Beograd.
Preidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq flet gati çdo ditë për Kosovën. Por ajo që bie në sy është zhdukja e optimizmit të tij nga dita të ditë. Vuçiqi ka përshtypjen se “në Evropë dhe në rajon e kanë varrosur idenë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme”. Ai pohon se “Serbia ka bërë të gjitha për të arritur deri tek ndonjë kompromis”, por kompromisi duket aktualisht i pamundur.
Në takimin e partisë së tij SNS, ai tha se „nga Beogradi do të kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa ne nuk do të fitojmë asgjë”. Vuçiqi pret që në Berlin të “fillojë një format i ri, me qëllim njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës, ndërsa Serbia nuk do të fitonte asgjë”.
Në mediat serbe thuhet se konferenca rajonale në Berlin do të jetë vendi ku Serbia do të përballet me ultimatum dhe plane, me të cilat ajo duhet të dakordohet. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pohon se në Berlin nuk do të ketë ndonjë agjendë sekrete.
Mediat serbe citojnë burime perëndimore, sipas së cilave, “është varrosur” ideja për ndryshimin e kufirit të Kosovës, sipas bazave etnike. Sipas tyre, Gjermania “do të propozojë një status special për veriun e Kosovës”. Analistët serbë thonë se suksesi i takimit në Berlin varet nga oferta për palën serbe, pra nëse ajo do të fitojë “diçka” ose “asgjë”.
Kosova është problem evropian?
Mendoj se qëllimi i konferencës në Berlin është që Beogradi dhe Prishtina të fillojnë një seri takimesh të tjera, sepse dialogu është ndërprerë tani, thotë për DW, Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Studime Evropiane. „Problemi i Kosovës nuk do të jetë në fokus në muajt e ardhshëm, për shkak të zgjedhjeve në BE”, pohon Beshiri.
“Ndaj mund të pritet që Franca të mbështetë kundërshtimin gjerman të ndryshimit të kufijve. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm, se çështja e Kosovës mund të zgjidhet në Evropë, sepse Kosova është në oborrin e saj dhe jo në Uashington”.
Analisti politik Dragomir Angjelkoviq mendon se në Berlin do të promovohet edhe politika e brendshme ne Bashkimit Evropian. “Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron do të dërgojnë mesazhin se ata e kanë nën kontroll gjendjen në Kosovë dhe se këtë fushë kontestuese nuk do t’ua lënë në dorë amerikanëve apo rusëve”, pohon Angjelkoviqi.
Ndërsa esenca e pohimeve për “statusin special për veriun” është gjetja e ndonjë zgjidhje kalimtare, e cila do t’i mundësonte Kosovës ecjen përpara dhe anëtarësimin në organizatat tjera ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, nënvizon Naim Leo Beshiri.
„Serbia do të kishte përfitime financiare dhe ekonomike si dhe një përparim më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE. Franca aktualisht ka rezerva në këtë drejtim, por në takimin e Berlinit mund të ketë ndonjë marrëveshje me Gjermaninë”, pohon Beshiri.
Anëtarësimi në BE – nuk mjafton
Serbia aktualisht nuk është e kënaqur me ofertat për anëtarësimin eventual në BE. Naim Leo Beshiri thotë se këtë e dëshmojnë edhe studimet e fundit. “Në pyetjen a duhet pranuar pavarësia e Kosovës, nëse lejohet një anëtarësim më i shpejtë në BE, 78% e serbëve janë kundër.
Kjo do të thotë se serbët nuk joshen tepër me këtë ide”, pohon Beshiri. Skeptik është edhe Dragomir Angjelkoviqi. “Si skeptik ndaj idesë evropiane mendoj se Bashkimi Evropian në kushtet e tasnishme nuk ka ndonjë perspektivë. Por ka dhe politikanë që mjaftohen me hapjen e një perspektive për anëtarësim”, nënvizon ai.
Beogradi nuk dorëzohet
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm nëse duam që gjërat të lëvizin përpara. Pengesa më e madhe në këtë rrugë janë taksat e Prishtinës për mallrat nga Serbia.
Vuçiqi pohon se Beogradi nuk do t’i rikthehet tavolinës së bisedimeve pa heqjen e taksës. Kjo temë me siguri që do të trajohet edhe në Berlin. Megjithatë Beshiri mendon se është shumë vështirë të përfytyrohet njohja e Kosovës nga Serbia, pavarësisht ofertës nga Berlini apo vendet e tjera.
“Mendoj se pala serbe nuk do që të zgjidhet ky problem, sepse kjo mund të thotë edhe fundi i karrierës politike të tyre. Prej futjes së sistemit shumëpartiak në Serbi, çdo lider politik është zhdukur nga skena politike kur është marrë me çështjen e Kosovës”, pohon Beshiri.